Glenn Hubbard
New York Times
Propozimet ekonomike të presidentit Obama në fjalimin Gjendja e Federatës [State of the Uninon] të martën ishin zhgënjyese. Idetë e tij nuk shkuan përtej propagandës së thjeshtë. Pa asnjë mundësi për të përfshirë republikanët, ato do vyshken pa vënë veshin kush.
Por propozimet e presidentit tërheqin vëmendjen për reformë taksash më të pranueshme, të bazuar mbi rritjen ekonomike, punën dhe mundësinë, dhe jo mbi rishpërndarjen.
Mungesa e vullnetit tonë për t’u përballur me mangësitë në ligjin e taksave të vendit dhe detyrimi në rritje për programet e përkrahjes sociale ka çuar në kufizimin në rritje të mundësive. Reforma e taksave të korporatave mbahet peng nga ideja e gabuar se ulja dhe ngritja e taksave duhet të balancohet vetëm brenda sektorit të korporatave.
Rritja e krediteve të taksës për fëmijë (përkraje sociale për fëmijët) dhe subvencionimet për kujdes shëndetësor mbi diferencën e ngushtë në zinxhirin e të ardhurave familjare, siç propozon presidenti, çon në shkallë taksimi të lartë mbi fitimet nga puna, kursa asistenca zhduket. Po kështu, rritja e normave të taksave margjinale mbi investimet nga të pasurit ul çmimin e aseteve dhe është kërcënim për zgjerimin e vazhdueshëm ekonomik.
Atëherë, si mund ta zgjerojmë rritjen, punën dhe mundësinë? Për këtë mund ta ndihmojnë katër hapa.
E para, duhet kaluar te një sistem taksimi për biznesin të thjeshtë, me normë takse margjinale më të ulët dhe pa preferenca industriale të veçanta. Të mos ketë taksë korporate të ndarë, vetëm një taksë mbi të ardhurat për të gjithë bizneset. E mira do ishte që investimet të konsiderohen shpenzime, kostoja e tyre të zbritet në vitin e parë dhe jo gradualisht. Bizneset do të ishin në gjendje të sjellin nga jashtë fitimet e tyre, pa taksën shtesë të SHBA. Një taksë modeste për një herë mbi fitimet jashtë SHBA mund të përdoret për të financuar reformën. Taksa të tilla mbi të ardhurat e biznesit do të inkurajonin rritjen ekonomike dhe shtimin e mundësive për biznes në SHBA, ndërkohë që ofron më shumë vende pune dhe paga më të larta për punëtorët amerikanë.
Hapi i dytë është përdorimi i taksës individuale mbi të ardhurat. Norma më e lartë e taksimit për shumicën e amerikanëve do të jetë e njëjtë me atë të bizneseve. Për të ruajtur progresivitetin, një taksë ekstra (surtax) mund t’u merret personave me të ardhura më të larta.
Punëtorët duhet të kenë mundësinë e kalimit te opsionet e disponueshme në ligjin e tanishëm për sigurimet e shëndetit që ofron punëdhënës dhe llogaritë e kursimeve shëndetësore, ose shkrirja e sigurimeve të tyre shëndetësore dhe llogarive të kursimeve shëndetësore si rritje të ardhurash. Reduktimi i normës së taksës margjinale për të përkrahur punën duhet të paguhet për kufizime mbi bashkimin e taksave për familjet me të ardhura më të mira.
Hapi i tretë fokusohet te arsimi dhe trajnimi. Ashtu si investimi në teknologji dhe makineri, investimet për kapitalin njerëzor duhet të hiqen nga të ardhurat. Shpenzimet për shkollim të mirë dhe trajnimet duhet t’u zbriten të gjitha familjeve, me përjashtim të familjeve me të ardhura të mira. Për personat që përballen me më shumë se papunësi të përkohshme duhet të bëhen të disponueshme llogari personale ripunësimi, me mbështetje financiare individuale për trajnim dhe shpërblim për ripunësim.
Hapi i katërt është forcimi i sigurisë së pensioneve, ndërkohë që të pranohet nevoja për konsolidim financiar në shpenzimin e përkrahjes sociale. Minimumi i përkrahjes sociale për Social Security (Sigurimet) dhe Medicare (Sigurimet shëndetësore) mund të forcohet për të garantuar që njerëzit me të ardhura të ulëta gjatë jetës të shmangin varfërinë në moshën e pleqërisë. Për të ulur defiçitet në këto programe dhe çlirimi i fondeve për të përkrahur punën dhe mundësinë për punëtorët e rinj në të ardhmen, përfitimi nga rritja e përfitimit nga Social Security duhet të ngadalësohet për familjet me të ardhura më të mira.
Në të njëjtën frymë, ndryshimi Medicare me qëllim që individët mund të blejnë sigurime nga njëri prej planeve konsumuese, me qeverinë federale që paguan një pjesë të kostos, mund t’i fokusojë subvencionet për sigurime shëndetësore te ata që kanë të ardhura të ulëta gjatë gjithë jetës.
Këto katër hapa ofrojnë një plan për rritje, punësim dhe mundësi pa sakrifikuar sigurinë e të ardhurave. Politika të tjera, përfshi tregti të lirë, garë të hapur dhe reformë emigracioni, janë gjithashtu të rëndësishme. Por këto katër hapa mund të zhvillohen në një diskutim për buxhetin.