Një lajm që ka tronditur jo pak opinionin publik këto ditë ka qenë se disa ushtarë më origjinë shqiptare, pjesë e ushtrisë greke, kanë bërë shenjën e shqiponjës. Fotot kanë dalë fillimisht në rrjetet sociale, më tej në medie dhe prej me të janë marrë edhe autoritetet shtetërore greke. Në fakt, nuk është se lajmi ka ndonjë rëndësi të veçantë, aq sa t’i jepet gjithë kjo vëmendje, por ia vlen të shtrohet si pyetje: Çfarë i shtyn këta të rinj, shqiptarë me gjak, por që grekë me shtetësi, të bëjnë shqiponjën? Si iu ringjallet atyre ndjenja e përkatësisë nacionale? A thua kaq beftë? A thua kaq në mënyrë të papritur?
Pra çfarë ndodh tanimë me instancat? Qeveria greke, që shpresohej të ishte internacionaliste e majtë, siç pretendon të jetë SYRIZA, përpiqet që shqiptarët t’i vendosë si në konservë për tua shkatërruar thuajse totalisht origjinën dhe për t’i paraqitur ata sikur janë grekë. Kjo ka nisur që në fillim të viteve 1990, kur shqiptarëve iu ndërrohej emri, nga Arjan në Jani apo histori të ngjashme.
Por grekët harrojnë se ajo që i bën ata të ndjehen shqiptarë është gjuha, kultura dhe shumë norma e zakone që shumë prej emigrantëve vazhdojnë t’i ruajnë megjithëse jetojnë në një shoqër tjetër. Pra, metoda e ndjekur nga autoritetet greke për të imponuar një identitet helen është e gabuar, Totalitarizmi identitar grek, imponimi i greqizimit ndaj të huajve është diçka që nuk ngjit.
Kjo nuk do të thotë se shqiptarët e emigruar në Greqi nuk marrin nga kultura e vendit ku ata jetojnë. Amin Maluf thotë se, megjithëse njeriu merr nga vendi i origjinës, ku ka lindur e është formuar, përsëri ai thith edhe nga vendi ku jeton. Në këtë rast, djemtë shqiptarë nuk është se kulturalisht nuk kanë asgjë të përbashkët me grekët, pasi janë rritur në mjedis të atillë, dhe se patjetë do të marrin edhe disa zanoke e norma nga shoqëria e tyre. Por ata janë shtyrë më fort drejt identitetit shqiptar prej autoritazmit të shtuar të Greqisë dhe faktit se ata kanë pasur presion se duhet të jenë patjetër grekë. Njerëzit priren shpesh të shfaqin të kundërtën e idesë totalitare që iu imponohet. Kjo i ka bërë ata djem me fort të lidhur me identitetin e tyre amësor, të vendlindjes apo origjinës, pra identitetin shqiptar.