Më pak se dy javë pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, Irani po kryen tashmë marrëveshje të mëdha me Europën. Prodhuesi francez i makinave Peugeot-Citroen tha të enjten se do të rikthehet në Iran, ndërsa Irani dukej i vendosur të blinte 100 avionë nga kompania Airbus.
Zhvillimet e të enjtes erdhën pas një vizite në Francë nga presidenti i Iranit Hasan Rouhani, dhe pason qëndrimin e tij në Itali në fillim të javës, ku ai shpalli marrëveshje biznesi me vlerë rreth 18 miliardë dollarë.
“Franca është e hapur për Iranian,” tha kryeministri francez Manuel Walls, i cili shtoi se priteshin marrëveshje shtesë në fusha të tjera. “Irani duhet të ketë besim te Franca.”
“Le të harrojmë dallimet e të shkuarës e t’ia nisim nga e para,” tha Rouhani në një fjalim për përfaqësues të biznesit, raportoi Reuters.
Ekonomia e Iranit ka vuajtur për një kohë të gjatë nga menaxhimi i keq si dhe sanksionet ndërkombëtare. Masat ndëshkuese më të ashpra u vendosën vitet e fundit në përgjigje të programit bërthamor të vendit.
Sanksionet bërthamore u hoqën më 16 janar, pasi Irani përmbushi detyrimet e tij në përputhje me marrëveshjes e arritur verën e kaluar me gjashtë fuqitë botërore. Kjo ka çliruar dhjetëra miliardë dollarë që ishin ngrirë në banka ndërkombëtare për shkak të sanksioneve.
Peugeot do të kthehet në Iran
Peugeot-Citroen lajmëroi nisjen e bashkëpunimit me prodhuesin iranian të armëve Khondro për të prodhuar 200 000 makina në vit në Iran. Peugeot u largua nga Irani më 2012 për shkak të sanksioneve. Sipas marrëveshjes së re, makina e parë e re do të prodhohet më 2017 si pjesë e një marrëveshje me vlerë 436 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Irani është gjithashtu i interesuar të sigurojë një brez të ri avionësh civilë për të zëvendësuar flotën e tanishme, e cila është ndër më të vjetrat në botë. Irani i bleu avionët e tij prej kompanisë Boing kur SHBA dhe Irani kishin marrëdhënie të ngushta para revolucionit islamik më 1979. Por që atëherë, Irani ka pasur vështirësi në gjetjen e pjesëve të këmbimit dhe të blejë avionë të rinj.
Një marrëveshje me Airbus është diskutuar gjerësisht në media ditët e fundit, megjithëse nuk ka pasur një shpallje zyrtare. Sipas televizionit shtetëror iranian, Airbus do t’i japë Iranit 100 avionë pasagjerësh gjatë katër viteve të ardhshme. Zyrtarët francezë thanë se po punohej ende për detajet përfundimtare, sipas Reuters.
Europa ishte partneri tregtar më i madh i Iranit para se të vendoseshin sanksionet, dhe vendet evropiane kanë këmbëngulur në ri-zhvillimin e atyre marrëdhënieve. SHBA ruan ende disa sanksione ndaj Iranit në lidhje me drejtat e njeriut dhe terrorizmin. Për rrjedhojë, biznesi amerikan do të përballet me një sërë kufizimesh, dhe kompanitë amerikane nuk parashikohet të hyjnë në Iran me përmasa të mëdha.
Rilidhja me Europën
Turi evropian i Rouhanit është një hap i madh përpara në përpjekje për t’u hapur ndaj botës dhe për të pakësuar izolimin e Iranit, veçanërisht në Perëndim. Por Irani përballet ende me shumë kritikë perëndimorë në lidhje me të drejtat e njeriut dhe rolin e tij në konflikte në gjithë Lindjen e Mesme. Rouhani, ndërkohë, e goditi Europën në një fjalim në qendrën studimore franceze IFRI.
Presidenti iranian tha se Irani ka strehuar shifra të larta refugjatësh afganë për dekada me radhë, dhe e krahasoi këtë me reagimin e Europës gjatë vitit të kaluar përballë rrjedhës së emigrantëve, kryesisht nga Siria.
“Kombi ynë ka mbajtur një barrë të rëndë gjatë këtyre viteve, duke pranuar 3 milonë emigrantë pa u ankuar,” tha ai. Afganët u dyndën drejt Iranit pas pushtimit prej Bashkimit Sovjetik të Afganistanit më 1979. Në Iran ka ende 1 milionë refugjatë afganë.
“Europianët, me gjithë fuqinë ekonomike dhe burimet e tyre, thoshin, “100 000 emigrantë kanë mbërritur në tokën tonë, çfarë të bëjmë tani? 200 000 emigrantë kanë përmbytur (kufijtë tanë), çfarë të bëjmë tani?”” tha Rouhani.