Për profesorin e ekonomisë së Oksfordit Paul Collier gjërat janë të qarta: “Angela Merkel është përgjegjëse për krizën e refugjatëve. Kush tjetër?”. Do të ishte e lehtë të hidhej poshtë pohimi i Collier, nëse nuk do të ishte pjesë e një kori që e shikon politikën e Gjermanisë për refugjatët si lojë morale – me Merkelin në krye, në ndjekje të një shpagimi për mëkatet historike të Gjermanisë.
I ndjeri Lord Weidenfeld fliste për një publik gjerman i entuziazmuar nga mikpritja naive e tij për refugjatët “si të ishte një mënyrë për të shlyer mëkatet e gjyshërve”. Kryeministri hungarez Viktor Orban e akuzoi Merkelin për “imperializëm moral”.
Mbështetësit e Merkelit ishin njësoj të tunduar për ta vlerësuar politikën për refugjatët në terma të morale. Në një fjalë para parlamentit gjerman, mbijetuesja e Holokaustit Ruth Kluger shprehu admirimin e saj për Merkelin që u hapi derën refugjatëve sirianë, duke thënë se qëndrimi i saj “heroik” i kishte “siguruar Gjermanisë një duartrokitje botërore”. Pavarësisht nëse e shikojmë me dashamirësi apo jo, trajtimi i qëndrimit të Merkelit në rastin e refugjatëve si një çështje morale nuk reflekton arsyet reale që motivuan kancelaren gjermane dhe do të përcaktojnë vendimet e saj në muajt e ardhshëm.
Në zemër të politikës së Merkelit për refugjatët është shqetësimi për Europën. Para shumë homologëve të saj, Merkeli mbrojti idenë që çështja e emigracionit paraqiste një sfidë më të egër se kriza e borxhit të eurozonës. Ajo e pa sa e papërgatitur ishte BE për valën masive. BE i anashkalonte kushtet e vështira të refugjatëve në Turqi, Liban dhe Jordani; kufijtë e jashtëm të saj të pasiguruar dhe një sistem azili i rrënuar në Greqi dhe vende të tjera; parajsa për trafikantët e qenieve njerëzore në Turqi dhe vendet e Mesdheut. Nuk kishte mekanizëm solidariteti pan-evropian për shpërndarjen e refugjatëve, dhe politikanët populistë nxitën urrejtjen kundër myslimanëve – ca, si puna e Orban, e bënë këtë nga posti i kryeministrit.
Ndërsa gjendja doli jashtë kontrollit verën e kaluar, Merkeli ishte e qartë për rreziqet me të cilat përballej Evropa, dhe Gjermania në veçanti, si vendi që përfitoi më shumë nga integrimi evropian. Një katastrofë njerëzore zhvillohej në zemër të kontinentit, tensionet u ngritën në Ballkan, dhe zona e Shengenit ishte gati të shembej. Merkeli arriti në përfundimin që Gjermania ishte i vetmi vend i BE në pozicion për të dhënë ndihmë emergjente: Ajo ka ekonomi të fortë (dhe kjo krijoi legjendën që tregu gjerman i punës mund t’i përthithë me lehtësi refugjatët), një mjedis mediatik më të favorshëm, dhe mungesën e një lëvizjeje të djathtë të fuqishme dhe të organizuar. Merkeli u hapi dyert refugjatëve që nuk i donte Hungaria, sepse ajo pranoi rolin e Gjermanisë si hegjemoni politik liberal i Europës – shpagimi dhe superioriteti moral nuk ishin forcat shtytëse. Gatishmëria e Gjermanisë për vepruar si “mundësi e fundit për mbrojtje” reflektoi dëshirën e saj për të shmangur një masakër humanitare në zemër të Europës dhe t’i jepte kontinentit kohë të gjente një zgjidhje multilaterale për krizën.
Kumar politik në vendin e saj
Ishte e qartë që kjo lëvizje do të kishte kosto të lartë. Merkeli nuk ka asnjë dyshim që elektorati gjerman nuk është më virtuoz se i vendeve fqinje. Por ajo ishte e gatshme të investonte kapitalin e saj politik dhe të mbante përkohësisht koston politike në vendin e saj. Duke bërë këtë, ajo ka ndjekur realpolitikën pa sentimentalizëm. Merkeli ka mbrojtur qëndrimin për sigurimin e kufijve të jashtëm të Evropës dhe krijimin e të ashtuquajturave “zona të nxehta” në vendet kufitare, duke iu mohuar refugjatëve të drejtën të zgjedhin vendin ku kërkojnë azil në Europë. Ajo përkrah zgjerimin e listës së “vendeve të sigurta të origjinës” dhe të bëjë marrëveshje me Turqinë dhe vende me regjime të diskutueshme nga Algjeria në Eritre (ku ajo dërgoi ministrin e saj për bashkëpunim dhe zhvillim në dhjetor).
Në të njëjtën kohë, ajo është përpjekur t’u bëjë presion vendeve të tjera evropiane të bien dakord për shpërndarjen e drejtë të refugjatëve brenda Evropës. Por shumë shtete të BE duket se e pëlqejnë faktin që Gjermania vuan problemin e refugjatëve që ata e shikojnë si problem gjerman, jo evropian – si shpërblim, ndoshta, mungesën e solidaritetit të Gjermnaisë për çështje të tjera politike.
Për Merkelin, kostoja politike po rritet me shpejtësi, Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e djathtë populiste, merr në sondazhe kombëtare më shumë se 10{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} dhe ka gjasa të hyjë në tre parlamente rajonale në zgjedhjet e marsit. Siç do të bënte çdo hegjemonist liberal, Merkeli vret mendjen nëse kjo kosto ia vlen ende. Ndoshta do të ishte më mirë të mbyllej kufiri bavarian dhe të ushtronte të drejtën e Gjermanisë sipas rregullave të Dublinit për të kthyer refugjatët që kanë kaluar në vende të tjera të sigurta në Europë.
Për ndërrimin e mendimit në një trajektore të tillë ka precedentë historikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA dha garanci për norma shkëmbimi valutor të qëndrueshme sipas marrëveshjes Bretton Woods. Më 1971, ndërsa kostot e SHBA u rritën për shkak të spekulimit kundër dollarit, presidenti Nixon vendosi të hiqte dorë nga premtimi – pjesa tjetër e botës e quajti “tronditja Nixon.”Është koha për pjesën tjetër të Europës që bëhet gati për “tronditjen Merkel”.
Politico