Enis Sulstarova
Ndeshja e ndërprerë futbollistike Serbi-Shqipëri në Beograd solli në qendër të debatit, ndoshta si asnjëherë më parë, hartën e Shqipërisë Etnike (Shqipëria Natyrore për disa). Deri edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian e cilësoi të rrezikshëm mesazhin politik që, sipas saj, përmbante fluturakja e telekomanduar! Në mënyrë paradoksale, BE-ja shqetësohet për një hartë në stadium, ndërkohë dhe e quan legjitime që Serbia të vazhdojë ta përfshijë në kushtetutë Kosovën si pjesë të territorit të saj sovran dhe që fëmijëve serbë në shkolla t’u mësohet që harta e shtetit serb në Morinë takohet me atë shqiptar. Në krahun tjetër edhe ne si shqiptarë duhet të shprehim me forcë shqetësimin tonë sa herë që hartat në dokumentet e BE-së nuk e paraqesin shtetin e Kosovës! Fjalët që kryeministri ynë ia tha homologut serb lidhur me shikimin në sy të realitetit, duhet t’ua përsërisim edhe atyre vendeve të BE-së që akoma ngurojnë të njohin shtetin e pavarur të Kosovës.
Edhe disa gazetarë e opinionistë shqiptarë e kritikuan paraqitjen e hartës së Shqipërisë Etnike në Beograd, sepse ajo mund të keqkuptohet nga diplomacia ndërkombëtare si tregues i projektit politik i “Shqipërisë së Madhe”. Ata nxituan që me shkrimet e tyre të sigurojnë çdokënd se ky projekt nuk është i përqafuar nga qeveria e Shqipërisë dhe as nga ajo e Kosovës. Gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Beograd edhe ministri i jashtëm Bushati gjeti rastin që të shprehet se ata që mendojnë për “Shqipërinë e Madhe” jetojnë në një botë tjetër nga ajo e tij, duke rënduar edhe më trysninë politike e mediatike ndaj atyre që mendojnë se vetëvendosja dhe bashkimi politik i kombit shqiptar është kërkesë legjitime politike (që të tjerët për ta injoruar apo denigruar e njësojnë me parullën e “Shqipërisë së Madhe”). Gjithsesi le të përqendrohemi te vetë harta dhe të shohim se çfarë përfaqëson ajo dhe nëse duhet përdorur politikisht apo jo.
Ekzistojnë disa variante të hartës, disa të hequra në bazë të studimeve etnografike që kanë bërë shqiptarë e të huaj e disa duke marrë për bazë pretendimet historike të nacionalizmit shqiptar në kohën e Rilindjes e tutje. Prandaj do të ishte më mirë që të flisnim në shumës për harta të Shqipërisë Etnike dhe jo për një të vetme. Gjithashtu duhet të kemi parasysh se megjithëse termi “Shqipëri Etnike” ka hyrë në përdorim për të shenjuar tërësinë e pandarë të atdheut të kombit shqiptar dhe se ky term është më i drejtë se sa ai i “Shqipërisë së Madhe”, prapëseprapë epiteti “etnik” duhet marrë si dallues i shqiptarëve si një komb i veçantë nga të tjerët përreth tij, por jo si tregues i statusit politik të shqiptarëve. Shqiptarët e përfytyrojnë veten si një komb dhe jo etni, edhe pse sot ka përpjekje për ta zhveshur përfytyrimin e kombit shqiptar nga statusi politik dhe për ta ulur në statusin e disa etnive shqiptare në shtete të ndryshëm, që qenkan në procesin e shndërrimit në kombe të ndryshëm.
Në variantin më të shtrirë të hartave, Shqipëria Etnike i bie që të barazohet me territorin e katër vilajeteve osmane. Mund të duket ekzagjerim i parimit të etnografik, por edhe kjo e ka një shpjegim. Duhet të sjellim ndërmend që para rilindësve shtrohej detyra për të paraqitur grafikisht shtrirjen territoriale të kombit shqiptar dhe për të përcaktuar kufijtë e pretenduar të shtetit të ardhshëm shqiptar. Zgjidhja më komode për vetë kushtet ishte që ata ta kombinonin parimin e etnografisë me kufijtë ekzistues administrativë të Perandorisë Osmane, sepse për sa kohë që ky shtet do të ekzistonte, ishte më e lehtë në këtë mënyrë ishte më i lehtë formulimi dhe ngritja e kërkesat politike, si p.sh. për njësimin e administratave ekzistuese nën një vilajet “shqiptar”, për të futur përdorimin e gjuhës shqipe në administratë e në shkollat që administroheshin nga vilajetet, apo për të kufizuar shtrirjen territoriale të shërbimit ushtarak të rekrutëve shqiptarë. Kështu, rilindësit dolën me formulën e katër vilajeteve, gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm, siç del për shembull nga shkrimet e Sami Frashërit, se një pjesë e kazave skajore, sidomos ato në Vilajetin e Manastirit, nuk kishin shumicë shqiptare. Sigurisht duhet të kemi parasysh edhe faktin se sidomos në atë periudhë identitetet kombëtare në Ballkan nuk ishin plotësisht të kristalizuara dhe për një popullatë të caktuar, si p.sh. atë sllavo-maqedone, mund ngriheshin disa pretendime të përkatësisë kombëtare njëherazi.
Rrjedha e historisë dihet: territoret e katër vilajeteve “shqiptare” u ndanë midis shteteve ballkanike dhe më të humburit dolën shqiptarët, sepse jo vetëm që nuk bëhej fjalë për të arritur në kufijtë e jashtëm të katër vilajeteve, por edhe vetë ekzistenca fizike e kombit u vu në rrezik. Në këto kushte, as që mund të bëhej fjalë se projekti i Shqipërisë Etnike u realizua apo se u solli dëme fqinjëve, sikurse mund të thuhet me plot gojën se projektet e “Greqisë së Madhe” dhe “Serbisë së Madhe” ishin shoviniste, si në konceptimin e tyre hegjemonist e perandorak, pa folur pastaj për zbatimin metodik të tyre, që shqiptarët e Çamërisë, Kosovës e të shumë rajoneve të tjera e kanë hequr në kurriz.
Hartat e Shqipërisë Etnike filluan të shfaqeshin në shek. XX si shenjë e mospranimit të një pjese të shqiptarëve me gjendjen e krijuar, pra si simbol i aspiratës për bashkimin kombëtar dhe si projekt konkret politik atëherë kur situata premtonte për ndryshime të mundshme kufijsh, si p.sh. gjatë dy luftërave botërore. Gjithsesi, ndryshimet në terren vazhdonin, si pasojë e fushatave të spastrimit etnike të shqiptarëve. Edhe sot e kësaj dite kombi shqiptar është në tërheqje të vazhdueshme territoriale në skajet e atdheut. Edhe identitetet etniko-kombëtare kanë pësuar ndryshime të thella që edhe sot nuk janë të ngulitura. P.sh. krahina e Sanxhakut mund të jetë pjesë e hartës së Shqipërisë Etnike, mirëpo si i bëhet që shumë veta atje identifikohen sot si boshnjakë? E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Plavë e Guci ku identiteti boshnjak disave u duket si më pranë realitetit të tyre, sepse ndërkohë kanë kaluar nga shqip-folës në sllavisht-folës, mirëpo kanë ruajtur besimin mysliman. Në jug, për sa i përket Çamërisë, çfarë dimë me siguri për vetëdijen etnike të shqiptarëve (ortodoksë) të atjeshëm?
Mospërputhja e hartave të Shqipërisë Etnike me realitetin në terren, të krijuar së shumti si pasojë e masakrave dhe shpërnguljeve të dhunshme, a do të thotë se Shqipëria Etnike nuk duhet paraqitur grafikisht (në aspektin politik dhe në atë etnografik)? Si hartë historike nuk ka përse të mos paraqitet. Atë e gjejmë në librat e historisë dhe në muze. P.sh. në muzeun e Lidhjes së Prizrenit është e ekspozuar një hartë ku janë të shënuara qytetet ku Lidhja kishte ngritur degët e saj. Pak a shumë harta në fjalë korrespondon edhe me të dhënat etnografike të popullatës sipas regjistrimeve osmane të kohës. Nuk ka përse të mos përdoret për të thënë edhe politikisht se ja ku kemi qenë dikur para se sa të na copëtonin në disa shtete. Ndoshta mund t’i vihet pranë viti 1878, si shenjë e fillimit të vetëdijësimit politik të kombit shqiptar. Kemi përshtypjen se i tillë ishte edhe mesazhi në flamurin e famshëm që fluturoi në stadiumin e Beogradit. Harta e Shqipërisë Etnike kishte në të dy krahët dy figura të Rilindjes, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, që në simbolikën kombëtare shoqërohen me shpalljen e pavarësisë në emër të të gjithë shqiptarëve, kohë përpara se të përcaktoheshin kufijtë e shtetit shqiptar. Sa për parullën “Autokton” në gjuhën angleze, ajo ka të bëjë me mitin e zanafillës, ngaqë shqiptarët masivisht besojnë se paraardhësit e tyre ilirë kanë jetuar në Ballkan përpara sllavëve. Edhe kjo parullë është një argument më shumë historik e identitar, se sa një projekt politik. Autoktonia shqiptare shpallet atëherë kur të tjerët vënë në dyshim praninë tonë historike në gadishullin e quajtur sot Ballkan apo “evropianitetin” tonë (atëherë kur na quajnë “aziatikë” për të na fyer, pra në kuptimin “barbar”).
Shqiptarët në të gjitha shtetet ballkanike të sotme e identifikojnë veten si anëtarë të të njëjtit komb. Duke e ditur se përfytyrimi i një kombi ka si pjesë të pandashme edhe përfytyrimin e atdheut të tij, atëherë lind edhe nevoja e paraqitjes grafike, pra në hartë të këtij atdheu, i cili detyrimisht do të përfshijë edhe territore të disa shteteve sovrane fqinjë me Shqipërinë e Kosovën. Po të ndjekim parimin e shtrirjes së tanishme territoriale të shqiptarëve, një hartë e tillë mund të përvijohej edhe sot, e cila sigurisht që do të ishte e ndryshme nga ajo e katër vilajeteve, më e tkurrur. Mirëpo në disa zona, për arsyet që prekëm më sipër, hartimi i saj do të paraqiste vështirësi. Mitrovicën dhe Shkupin mund t’i paraqesim grafikisht si qytete shqiptare, por sot janë të ndarë në vija etnike. Në krahun tjetër, ajo është e detyruar të lërë jashtë Manastirin e Janinën, për të cilat nuk mund të themi sot se banohen në shumicë nga shqiptarët. Prandaj një hartë e cila jep me besnikëri shtrirjen territoriale të sotme të kombit, detyrimisht në disa vende do ta kombinonte parimin etnografik me atë historik (d.m.th. të pranisë së vazhdueshme historike të shqiptarëve edhe aty kur mund të mos kenë shumicën e qartë sot). Kjo mund të ngjallë protesta te fqinjët apo edhe te disa shqiptarë, por në krahun tjetër nuk mund të mohohet aspekti praktik i saj.
Në fund, a mund të themi se hartat e Shqipërisë Etnike përfaqësojnë një projekt për bashkimin e politik të atdheut e kombit? Një përgjigje me po ose jo është e pamundur për mendimin tonë për sa kohë që një pjesë e mirë e shqiptarëve mendojnë se çështja kombëtare shqiptare si e tillë konsiderohet si e mbyllur, joekzistente, apo jo e kësaj bote, dhe të tjerë vazhdojnë të besojnë se një projekt i tillë është i nevojshëm dhe i mundshëm. Për të qenë realistë, do të thoshim se hartat në fjalë janë paraqitje materiale (grafike) e dëshirës për bashkim të shqiptarëve, se sa e vullnetit politik. E thënë ndryshe, vizatimi, gdhendja, shtypja, madje edhe valëvitja e hartave të Shqipërisë Etnike janë zëvendësuesit e artikulimit politik të projektit të bashkimit shqiptar. Ato janë shoqëruese grafike e thirrjeve “Jemi Një!” të tifozëve të kombëtares, por janë edhe protesta të shumë shqiptarëve në raste të tjera të manifestimeve publike (si p.sh. në përkujtimet e shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor) ndaj mungesës tërësore apo dobësisë së politikave shqiptare që orientohen për nga bashkimi kombëtar. Një hartë e Shqipërisë Etnike është një mjet vizual që u kujton atyre shqiptarëve që u nëpërkëmben të drejtat kombëtare, si p.sh. në Luginë të Preshevës, në pjesën e Malësisë që ndodhet në Malin e Zi, apo çamëve në Shqipëri, se ata nuk janë vetëm, se janë pjesë skajore e një hapësire shqiptare, prej nga presin mbështetje dhe ndihmë.
Po të krijohet një politikë e bashkërenduar kombëtare, kryesisht në Shqipëri, Kosovë dhe midis faktorëve politikë të IRJM-së, politikë e cila vepron brenda kuadrit ekzistues së rendit ndërkombëtar të shteteve, politikave integruese evropiane, lirive bazë të njeriut dhe të drejtave të kombëtare, atëherë bashkimi kombëtar, i kuptuar si njësim shpirtëror i kombit, do të materializohej me shumë mënyra dhe vetë harta e Shqipërisë Etnike nuk do ta kishte spikatjen politike që sot merret si provokim nga shtetet ballkanike fqinje me Shqipërinë e Kosovën. Për ta shtjelluar idenë, sot ekzistojnë hapësira të mëdha për veprimin kombëtar shqiptar me mjete paqësore dhe demokratike. Nuk është e thënë se ndryshimi i kufijve shtetërore duhet të jetë kurdoherë përgjigja. Shteti kombëtar është mjet për forcimin dhe begatinë e kombit dhe jo qëllimi në vetvete. Eshtë mjeti më i mirë i provuar nga historia për këtë qëllim, por jo i vetmi. Për mirë, ose për keq, shqiptarët do të jetojnë edhe për një kohë të gjatë pa shtetin e tyre kombëtar (të njësuar), por kjo nuk do të thotë se duhet të heqin dorë nga qenia e tyre një komb dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare kudo ku jetojnë. Aty ku ndryshimi dhe dobësimi i kufijve është një mundësi e realizueshme nga e drejta ndërkombëtare, kjo duhet synuar. Konkretisht, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë përse të mos e synojnë bashkimin në një shtet, përderisa kjo lejohet nga ligjet ndërkombëtare dhe kryhet në pajtim me tendencat integruese të sotme në Evropë. Kur paramendohet bashkimi i Evropës në një federatë, pse të mos mendohet njësimi i dy shteteve shqiptare. Mirëpo për këtë duhet që Kosova të bëhet më parë sovrane, në atë shkallë sovraniteti që janë edhe shtetet e tjerë përqark dhe që në Shqipëri vullneti politik për bashkim me Kosovën të mbizotërojë në institucionet shtetërore. Rruga duket ende e gjatë, por jo e pamundur. Shembullin na e kanë dhënë dy shtetet gjermane. Kur bashkimi paqësor gjerman nuk trazoi paqen në Evropë, si mund ta trazojë bashkimi Kosovë-Shqipëri!
Rasti i IRJM është ndryshe. Fakti që ky shtet duhet të ekzistojë për balancat ndërkombëtare të sigurisë e të paqes, nuk do të thotë që pjesa e kombit shqiptar që aktualisht ndodhet në atë shtet të nëpërkëmbet dhe të kufizohet në të drejtat e saj. Tendencat e brendshme të deritanishme tregojnë qartë se IRJM po lëviz drejt një shteti dykombësh. Kur këtë e vërejnë studime shkencore e të paanshme që botohen në Perëndim, nuk ka përse elitat politike sllave e shqiptare të shtetit të mos ta diskutojnë hapur, në vend të klimës mosbesuese ndëretnike që mbizotëron tani. E thënë metaforikisht, nëse Ballkani do të bëhet një ditë Evropë, nuk ka përse IRJM-ja të mos bëhet Belgjikë, apo Zvicër. Një model federativ territorial, me kryeqytetin që gëzon status të veçantë, nuk ka përse të mos jetë i qëndrueshëm. Në këtë mënyrë dhe harta e pjesës së atdheut shqiptar në anën lindore do të marrë pamjen e saj, detyrimisht të ndryshme nga ajo përkatëse e Shqipërisë Etnike të vitit 1878. Në një Evropë demokratike, sllavët dhe shqiptarët brenda IRJM-së ose do ta gjejnë gjuhën e bashkëjetesës, ose mirëkuptimin për të vetëvendosur e t’u ndarë, pa trazuar stabilitetin në Ballkan e Evropë. Sërish, shembulli për t’u ndjekur është evropian, ai i ndarjes së Çekosllovakisë, me dallimin se në rastin e IRJM pjesa shqiptare ka të drejtën që të vetëvendosë për t’iu bashkangjitur shtetit shqiptar.
Po kështu, pjesa e kombit shqiptar në Malin e Zi, nga Plava e Gucia e deri në Ulqin, duhet të formojnë një parti politike më vete dhe në këtë mënyrë të mbrojnë më mirë të drejtat e tyre kombëtare, por edhe duke apeluar te institucionet evropiane, si edhe në Tiranë e Prishtinë për përkrahje politike e diplomatike. Kryeministri Rama ka të drejtë të pretendojë që Lugina e Preshevës të trajtohet njëlloj siç trajtohen në Kosovë serbët në veri të Ibrit dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Edhe çështja çame të jetë pjesë e përhershme e bisedimeve dy-palëshe Shqipëri-Greqi dhe të ngrihet në organet përkatëse evropiane që një ditë të gjejë një zgjidhje të drejtë e përfundimtare. Fundja Greqisë t’i kërkohet të japë shpjegime se ç’u bë me pakicën shqiptare në vend, praninë e të cilës e ka pranuar para Lidhjes së Kombeve, por që sot e mohon.
Mund të ketë lexues që ky shkrim t’u duket si një program “minimalist” dhe për heqje dorë nga njësimi politik që nënkupton harta e Shqipërisë Etnike. Përgjigja ndaj këtij rasti hipotetik do të ishte se pikërisht këtu qëndron problemi: as një program “minimalist” nuk e kemi në axhendat e politikës shqiptare për afrimin e pjesëve të kombit dhe për funksionimin e solidaritetit kombëtar në shërbim të atyre pjesëve të tij që janë akoma plagë të hapura. Prandaj, argumenti ynë këtu është se kur të ndjehet se kemi një politikë të qëndrueshme kombëtare, që e ndjekin institucionet shtetërore, partitë e organizatat e tjera politike, sigurisht me disa opsione alternative për strategjitë dhe me debat të brendshëm demokratik mbi to, nuk do të kemi më nevojë të valëvisim hartat e Shqipërisë Etnike nëpër stadiume, sepse do të diskutojmë probleme më konkrete dhe zgjidhjet e tyre. Nëse politika shqiptare vihet në binarët kombëtarë, hartat do t’i gjejmë në libra të historisë dhe në muze, disa prej nesh do t’i shohin ndoshta me nostalgji e keqardhje, por njëkohësisht do të ndjehen më optimistë për të ardhmen e kombit se sa janë ndjerë breza para nesh apo se sa ndjehemi sot.