Robert D. Kaplan
The Wall Street Jornal
Shikoni çfarëdo lloj harte të Mesjetës ose fillimi i epokës moderne, para Revolucionit Industrial, dhe do të hutoheni prej inkoherencës së saj marramendëse – gjithë ato perandori, mbretëri, konfederata, shtete të vogla, kjo “e sipërme” dhe kjo “e poshtme”. Është pamja e një bote të copëzuar në mënyrë radikale. Evropa e sotme po rikthehet te kjo hartë.
Dekadat e paqes dhe begatisë, nga 1950 deri më 2009, kur filloi kriza financiare e Bashkimit Europian, i bënë kufijtë ekonomikë dhe politikë të kontinentit të dukeshin të thjeshtë. Gjatë Luftës së Ftohtë pati dy blloqe koherente që u pasuan nga ëndrra e pas Luftës së Ftohtë për një Europë të Bashkuar me një monedhë të vetme. Sot, ndërsa BE merr goditje njëra pas tjetrës nga brenda dhe nga jashtë, historia po ndryshon rrjedhën – drejt një ndërlikimi dobësues, sikur gjysmë shekulli i mëparshëm të kishte qenë një interval para kthimit te frika dhe konflikti.
SHBA tani po e shikon realitetin e kësaj situate të re. Europa, e cila rivalizon atë amerikane si më e madhja në botë, mbetet një aset dhe aleat, por dhe një problem i thellë. Shqetësimi është se si mund të menaxhohet ajo.
Ndarjet e Europës ishin të dukshme për dekada, ndërsa BE punonte për zgjerimin e kufijve të tij. Kishte vende brenda BE dhe jashtë saj; ato brenda zonës së lëvizjes së lirë pa kufij (zona Shengen) dhe ato jashtë; ato që ishin në gjendje të menaxhonin rreptësinë financiare të eurozonës dhe ato që nuk ishin.
Ato që nuk vlerësohen shumë janë rrënjët e thella të këtyre ndarjeve në historinë dhe gjeografinë e kontinentit. Kufijtë e Europës moderne janë afërsisht kufijtë e perandorisë të themeluar nga Charlemagne në shekullin e nëntë. Perandori Romak i Shenjtë i parë, sundoi tokat nga Deti i Veriut poshtë përgjatë Vendeve të Ulëta me rrezatim drejt Frankfurtit, Parisit, Milanos e me radhë. Kushërinjtë e tyre më të dobët të kësaj Europe gjendeshin përgjatë Mesdheut, nga Gadishulli Iberik në jugun e Italisë dhe vendet ballkanike historikisht më pak të zhvilluara, trashëgimtarë të traditës bizantine dhe osmane.
Pas dekadave që pasuan Luftën e Dytë Botërore, kjo ndarje u shtyp për shkak të izolimit relativ të Europës nga vendet në kufi me të – nga rajonet e Afrikës së Veriut dhe Euroazia, që, për shekuj me radhë, ndikuan kaq shumë në formësimin e karakterit të dallueshëm të periferisë së kontinentit. Gjeografia sot nuk mund të anashkalohet, ndërsa rajone të ndryshme të Europës mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj kërcënimeve që paraqet Rusia nën presidentin Vladimir Putin, dallga e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe shpërthimet terroriste më të fundit në Europë dhe jashtë saj. Është bërë e qartë se centralizimi i imponuar prej dekadash nga BE dhe burokracia e saj jo përfaqësuese dhe e distancuar nuk kanë krijuar në Europë të bashkuar. Në fakt, është krijuar një përplasje e fuqishme në gjithë kontinentin, përplasje që BE mund ta kalojë vetëm nëse arrin të gjejë mënyrën më të mirë për vendosur legjitimitetin e vet mes kombeve të ndryshme.
Mbrojtja gjeografike që e ruajti Europën gjatë periudhës pas lufte nuk reziston më. Kur gjeografi i madh francez i shekullit të 20-të Fernand Braudel shkroi veprën e tij klasike për Mesdheun, ai nuk e trajtoi detin si kufirin jugor të Europës. Kufiri, sugjeroi ai, ishte Saharaja. Sot, si për të vërtetuar që ai kishte të drejtë, karvanët e emigrantëve mblidhen nga Afrika e Veriut, Nga Algjeria në Libi, për pushtimin demografik të kontinentit. Edhe Ballkani ka rifituar rolin e tij historik si korridor për emigrim masiv drejt qendrës së Europës, ndalesa e parë për miliona refugjatë që largohen nga rënia e regjimeve në Irak dhe Siri.
E kështu tani Europa gjendet përballë një ironie historike hidhur: Dekadat në të cilat ajo ishte në gjendje të zhvillonte idealet e larta të të drejtave universale të njeriut, përfshi të drejtën e të vuajturve të gjejnë strehë në Europë, u bënë e mundur, siç shihet, nga regjimet shtypëse që ishin dikur në periferi të saj. Bota arabe u mbajt e mbyllur për dekada nga shtete burgje, diktatorët e të cilëve i mbajtën popujt e tyre brenda. Sadam Hyseini në Irak, familja Aasad në Siri, Muamar Kadafi në Libi – i mundësuan Europës të përgatiste tortën e saj idealiste dhe ta hante atë.
Akoma më keq për unitetin evropian, gjeografia dhe historia kanë punuar t’i bëjnë disa rajone të kontinentit më të prekshëm nga dallga e emigrantëve dhe refugjatëve krahasuar me të tjerët. Ndërsa Gjermania dhe pjesë të Skandinavisë i mirëpresin, vendet e Europës Qendrore si Hungaria dhe Sllovenia po ngrenë gardhe me tela me gjemba. Vendet ballkanike, të ndarë nga pjesa tjetër e Europës nga lufta dhe zhvillimi i dobët në vitet 90, tani kanë marrë një goditje tjetër nga anarkia në Lindjen e Mesme. Në skajin jugor të Europës, Greqia, dikur një provincë otomane e varfër, shikon krizën e saj financiare të keqësohet për shkak të pozicionit gjeografik të pafat që e kthen në një portë për qindra mijëra emigrantë që arratisen nga trazirat në botën arabe.
Një tjetër faktor kritik në periudhën e stabilitetit relativ që po i vjen fundi në Europë ishte roli gjeopolitik i Rusisë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik ishte një kërcënim strategjik i qartë, por ishte një kërcënim i menaxhuar mirë nga SHBA, por pas vdekjes së Stalinit, Kremlini u udhëhoq nga funksionarë të mërzitshëm, jo të rrezikshëm. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, dekada e trazirave dhe institucioneve të dobëta do të thoshte, mes të tjerave, se Rusia nuk ishte rrezik për Europën.
Sot, e panevojshme të thuhet, Rusia është kthyer si një lojtar strategjik në Europë. Konsolidimi i kontrollit brenda Rusisë nga Putini pas periudhës së pavendosmërisë së Boris Jelcinit ka krijuar një ndarje të thellë mes Parisit dhe Varshavës, Berlinit dhe Bukureshtit. Nëse ishe polak ose rumun në vitet 1990, Rusia ishte kaotike dhe e dobët, dhe anëtarësimi në NATO dhe BE dukej si mundësi për paqe afatgjatë dhe begati. Horizonti strategjik është shumë i ndryshëm tani: E ardhmja e sipërmarrjes evropiane duket e paqartë, dhe një Rusi e ringjallur ka aneksuar Krimenë, ka shkelur Ukrainën në lindje dhe kërcënon kufijtë e vendit tënd.
Tani mund të shikojmë fillimin e ndryshimit të aleancave të Luftës së Ftohtë. Europa po ndahet sërish përgjysmë, por kësaj here është Europa Lindore ajo që kërkon afrim më të madh me SHBA sepse dyshon gjithmonë e më shumë që vetëm NATO nuk do të jetë pengesë mbrojtëse efektiv përballë Rusisë. Ndërkohë, vendet e Europës Perëndimore, të shqetësuara për dallgën e refugjatëve dhe sulmet terroriste në vendet e tyre, kërkojnë të afrohen më shumë me Rusinë, si një digë kundër kaosit që vjen prej Sirisë.
Putini e di që gjeografia dhe fuqia – ushtarake dhe ekonomike – janë ende pika fillestare për mbrojtjen e interesave kombëtare. Elitat e Europës kanë qasje krej tjetër. Pas shekujsh gjakderdhjeje, ato kanë hequr dorë nga fuqia politike tradicionale. Për të mbotjur paqen, ata i kanë varur shpresat te një regjim rregullator i drejtuar nga teknokratët post-kombëtarë në Bruksel. Në mendjen e tyre, ndarjet e kontinentit mund të shërohen nga shteti sociali dhe monedha e përbashkët. Identitetet kombëtare të dallueshme të formuara nga eksperienca historike dhe kulturore shekullore do t’i hapin rrugë supershtetit evropian, pavarësisht çmimit të legjitimitetit politik të BE mes shteteve të ndryshme të Europës.
Në Britani dhe në shumicën e Europës Perëndimore tani ka një përplasje kundër tejzgjatjes së Brukselit, dhe po gjen mbështetje në politikën e brendshme kombëtare. Politikat sociale që dikur shërbenin si balsam për ndarjet e kontinentit kanë shërbyer si barrë mbi ekonomitë kombëtare, dhe ky stanjacion ka ofruar sfondin për politika nacionaliste (herë-herë reaksionare) dhe rritjen e urrejtjes për refugjatët.
Një tjetër grup shqetësimesh janë ende të dukshme në Europën Qendrore dhe Lindore. Gjatë tre viteve të fundit, unë kam shkuar disa herë në Rumani, një vend ku Lufta e Dytë Botërore mbaroi vetëm më 1989, me rënien e regjimit stalinist të Çausheskut. Në Rumani, ashtu si në shtetet baltike dhe pjesë të tjera të Traktatit të Varshavës dhe Bashkimit Sovjetik, BE përfaqëson ende diçka më shumë se një raport bilanci. Ajo përfaqëson politikën e bazuar te shteti modern dhe jo grupet etnike, qeverisje nga sundimi i ligjit dhe jo arbitrariteti, mbrojtja e individit pavarësisht grupit etnik ose fetar, apo emrit të babait.
Rajoni nga shtetet baltike dhe Polonia, Rumania dhe Bullgaria në jug, dhe pastaj në lindje deri në Kaukaz përbën atë që unë e quaj Intermariumi i Madh (latinisht për “midis deteve”, në këtë rast, mes Detit Baltik dhe të Zi). Intermariumi ishte një koncept i krijuar nga Josef Pilsudski, udhëheqësi polak i viteve 1920-30, i cili shpresonte të shikonte një rrip demokracish solide mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik për parandalimin e prirjeve perandorake të të dyjave.
Kërcënimi sot, sigurisht, është vetëm Rusia e jo Gjermania. Dominimi politik i Gjermanisë në Europë duhet të rrjedhë natyrshëm nga donimi i saj ekonomik, dhe kjo ka ndodhur në një farë mase, me lëvizjen e pushtetit në lindje, nga Brukseli në Berlin. Por udhëheqja gjermane mbetet hezituese. Gjithë elitat europiane, ajo gjermane në veçanti, që nga vitetet 1940 besojnë në integrimin europian, pjesërisht për të larguar demonët e së shkuarës së tyre.
Përballë krizave të shumfishta, kancelarja Angela Merkel ka luajtur me mejshtëri, me shumë pak dështime si ai në rastin e sulmeve seksuale të kryera në vigjilje të Vitit të Ri nga emigrantët arabë. Por Merkel nuk është Bismarku apo Frederiku i Madh, dhe as nuk do që të jetë. Trashëgimia e nazizmit dhe paqartësia e qëndrimit mes Perëndimit dhe Rusisë është barrë e rëndë për udhëheqjen gjermane.
Ndërsa BE vazhdon të copëzohet, ky vakuum pushteti mund të krijojë një Perandori të Shenjtë Romake të shekullit të 21: një konfiguracion shumëetnik, i shkërmoqur, që ishte perandori në emërtim, por jo në realitet, deri në shpërbërjen përfundimtare të saj më 1806.
Kjo do të thotë që në Europë ende s’ka alternativë për udhëheqjen amerikane. Për SHBA, një Europë që copëzohet së brendshmi e shpërbëhet së jashtmi si gjeografia e Afrikës së Veriut dhe Euroazisë do të përbënte katastrofën më të madhe në politikën e jashtme që nga Lufta e Dytë Botërore. Suksesi i BE për shumë dekada ishte produkt i fuqisë amerikane, që buroi nga fitorja mbi Gjermaninë naziste. Me gjithë mangësitë e veta, BE ka qenë, më shumë se NATO, mishërimi institucional i Europës së pas luftës, e lirë, e bashkuar e begatë.
Elementë të administratës Obama, për meritë të tyre, janë përpjekur ta frenojnë shpërbërjen e Europës pas Luftës së Ftohtë. Pentagoni ka paraqitur plane për dërgimin e trupave tokësore të tjera, dhe Victoria Nuland, ndihmëssekretarja e shtetit për çështjet europiane, ka qenë energjike në përballjen me Rusinë në çështjen e Ukrainës.
Por vetë presidenti Barack Obama ka treguar mungesë interesi për problemet e kontinentit dhe ka mbajtur qëndrim të dobët përballë agresionit të Putinit. Administrata është e hallakatur, me vëmendjen të fokusuar në Lindjen e Mesme, por dhe në Paqësor. Megjithatë, problemi nuk është orientimi i shumëdiskutuar i presidentit, por ideja e gabuar që Europa ka më pak rëndësi seç kishte gjatë Luftës së Ftohtë.
Adiministrata e tanishme dhe pasuesja e saj duhet ta vendosë sigurinë e Itermariumit të Madh në qendër të prioriteteve. Kjo nuk çështje për ca më shumë ndihmë ushtarake, por angazhim diplomatik më të fort me çdo vend nga Deti Baltik në Detin e Zi. Synimi nuk duhet të jetë vetëm qëndresa ndaj agresionit të Putinit, por dhe ruajtja e kohezionit të brendshëm dhe kapaciteti i BE dhe NATO.
Në nivel politik, kjo do të thotë ndihmë për BE të zhvillohet drejt një llogaridhënie më demokratike. Në lidhje me çështjet e sigurisë, kthimi në Europë do të thotë t’i japë fund mendimit që SHBA do të bëjë më shumë për mbrojtjen e Europës vetëm nëse shtetet anëtare të NATO-s rritin buxhetin. Me pak përjashtime, kjo s’ka për të ndodhur me krizën e ekonomike të sotme. Megjithatë, nëse europianët duan përfshirje më të madhe të SHBA, ata duhet të ndërmarrin veprime kurajoze për të shpëtuar institucionet e tyre.
Dekadat kur ne e mendonim Europën si të qëndrueshme, të parashikueshme dhe të mërzitshme kanë marrë fund. Harta e kontinentit po bëhet mesjetare përsëri, në mos në kufijtë e saj të paktën në qëndrimet dhe aleancat politike. Çështja sot është nëse BE është ende në gjendje apo jo të zëvendësojë Perandorinë Habsburge multikulturore, e cila u shtri për shekuj u shtri në gjithë Europën Qendore dhe Lindore dhe pajtoi minoritetet dhe interesat e sja të shumta.
Përgjigja do të varet jo vetëm nga ajo që do bëjë vetë Europa, por dhe nga ajo që SHBA do të zgjedhë të bëjë. Gjeografia është sfidë, jo fat.