Ramush Haradinaj ka akuzuar PDK-në e Thaçit se po kriminalizon vendin duke penguar krijimin e qeverisë. Nga foltorja e kuvendit, Kryetari i AAK-së ka fajsuar Kryeministrin në Deytrë për të gjithë situatën e krijuar pas zgjedhjeve, e cila e ka lënë vendin në vakum, pa asnjë dritë jeshile drejt krijimit të qeverisë së re. Gjithashtu Haradinaj ka akuzaur Thaçin se po blen deputetët me para, për të penguar krijimin e qeverisë.
“Sot është dashur që në këtë sallë të mbledhemi si deputetë në mënyrë që të veprojmë në bazë të mandatit që kemi marrë. Në fakt sot ne jemi mbledh për të vërtetuar një situatë të re; PDK me njerëzit e saj e kanë kriminalizuar vendin dhe tash po i bëjnë një dëm të madh vendit duke mos lejuar konstituimin e Parlamentit, – u shpreh Haradinaj duke shtuar, – ndryshimi fillon këtu, e jo me seancat e PDK-së, duke iu ofruar para deputetëve”.
Haradinaj është në fakt i fundit që ka të drejtë të flasë me këtë gjuhë. Nëse ai pretendon se ka mandat për të qeverisur me 9.2 përqind të votave, kjo tregon se çfarë konceptimi ka ai për vullnetin e qytetarëve. Në fakt, mentaliteti i liderëve të partive kryesore pasqyron një mentalitet primitiv, që është mënyra më e shëmtuar e të bërit politikë. Kjo retorikë agresive, e shprehur në fjalën e Haradinajt, në një kohë kur politikës i duhet të gjejë një modus për zgjidhje dhe mjete konsensuale për të shpëtuar nga situata e krijuar, tregon se ky profil lideri nuk e ka në kodin e vet gjenetik të zhvillojë një politikë racionale e qytetare. Përkundrazi, kultivohet gjuha e konfliktit, ndërsa kompromisi zëvendësohet me pazare: kjo është gjithçka çfarë dijnë dhe bëjnë kjo kategori politikanësh.
Në të vërtetë, vetë Haradinaj është pjesë e këtij ngërçi politik, madje një prej aktorëve më pa skrupull në këtë degjenerim moral e institucional të klasës ku ai bën pjesë. Natyrisht, ajo çfarë ai thotë për Thaçin është e vërtetë, por këto denoncime, nuk sjellin asgjë, përveç rritjes së tensionit dhe kokëfortësisë, ndërkohë që vetë akuzuesi nuk ka asnjë të drejtë morale për të denoncuar të tjerët, kur vetë është më keq. Më shumë sesa prej Thaçit, ky kapsllëk politik vjen nga kokëfortësia e Haradinajt dhe Isa Mustafës, të cilët mbajnë peng vendin, duke e lënë për muaj me rradhë pa qeverisje, për shkak se ata nuk heqin dorë nga interesat e tyre personale.
Haradinaj vendos si kusht për konsensusin brenda koalicionit, zgjedhjen e tij kryeministër, ndërsa Isa Mustafa kërkon postin e Kryetarit të Kuvendit. Duke qenë se Mustafa dhe Haradinaj kanë bllokuar Thaçin të bëhet kryeministër, ndonëse ai ka fituar zgjedhjet, Thaçi tashmë mendon se ka të drejtë të pengojë (gjithashtu ligjërisht), zgjedhjen e Mustafës Kryetar Parlamenti, gjë që pengon njëkohësisht edhe zgjedhjen e Haradinajt kryeministër. Të tre burrat mbajnë peng njëri-tjetrin duke e çuar lojën në remi, ndërkohë që vendi mbetet peng i tre pengjeve të ngecur në rrjetat e njëri-tjetrit.
Nëse vetëm njëri prej tyre do të hiqte dorë nga interesat e veta për hir të vendit (siç Haradinaj ia kërkon Thaçit), gjithçka do të zgjidhej. E përderisa asnjë nuk heq dorë, asnjë nuk ka të drejtë të akuzojë tjetrin, aq më pak Haradinaj që ka më pak elektorat se të gjithë.