Busti që nuk qe bust
Gjatë ditës së 20 shkurtit pata mundësi të rishoh disa sekuenca të rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në 1991. U krijua tek unë një përshtypje e veçantë dhe njëherazi një ndjenjë përkatësie me atë dëshirë të fuqishme për ndryshim. Parë në optikën e sotme dita e hedhjes së atij që shumkush, edhe sot, këmbngul ta quajë bust, edhe pse bëhej fjalë për një shtatore, t’i shndërron të gjitha mësimet në pësime, e çuditërisht jo e anasjellta.
Duke qenë se asokohe kufijtë ishin thuajse hermetikisht të mbyllur, e ardhmja e këtij vendi, ndodhej ende brenda kontureve gjeografikë që qarkojnë shtetin tone, – kur them e ardhmja, i referohem individëve me potencial të lartë intelektual, teknik dhe akademik, – në mendimin tim të sotëm, largimi i tyre nga Shqipëria përbën edhe daljen e shpirtit të këtij vendi. Sepse ata ishin ndër të fundit idealistë (padashur), që mund të kenë shkelur mbi këtë tokë. Të vetmit, që vepruan drejt, duke ikur, por pa kurrfarë altruizmi. Ndoqën instiktet e tyre bazike, ose ndoshta edhe më shumë, vizionin e qartë të fizionomisë së ardhshme të një shteti si Shqipëria. Të tjerët, pas tyre, ata që qëndruan e u shfaqën hapur, janë një shatërvan kompromisesh, interesash, leverdishë dhe asolidariteti kombëtar, me personalitet e dinjitet anemik.
Është e vrazhdë t’i dëgjosh të tilla cilësime, por është po aq e trishtë për mua dhe shumë të tjerë si unë që ndjekin aktualitetin si nga poltrona e sallonit të një banese në një planet tjetër, për arsye se askush nuk përpiqet vërtet për këtë vend. Këtë mund ta vërtetosh duke hedhur një shikim sipërfaqësor 360 gradë rreth teje. Askush nuk e fsheh më epshin çnjerëzor që ka për pushtet. Askush nuk i ofron më demokracinë askujt, por i ofron vetëm përfitime në këmbim të besnikërisë dhe tifozllëkut më qesharak që mund të bëhet. Pikërisht tifozllëkut politik.
Shpirti i vërtetë i këtij vendi, nuk doli në Korrik të ’91 me mësymjen në dyert e ambasadave dhe në dyert e porteve detare të vendit. Ajo qe një butafori entuziazmi masiv e rrokapujë tërësisht e çorjentuar, që Kadare mohon ta ketë quajtur jashtqitje! Shpirti i vërtetë i këtij vendi, doli kur, një nga një, njerëzit e mirë e të zotë të këtij vendi, me zemër të thyer, hoqën dorë nga ky vend. Hoqën dorë fort herët, sepse tashmë në sytë e tyre këtij vendi iu instalua një regjim i quajtur demokratik, por që nuk ofronte demokraci për të gjithë. Nën petkun dhe epitetimin e liderit suprem, ishin ngrehur individë të rinj me pikpamje po aq totalitare sa edhe paraardhësit e tyre me pushtet, të akomoduar në të njëjtat ambjente, poltrona, orendi e ornamente.
Hoqën dorë fort herët nga vendlindja, në një hemoragji masive, e cila tragjikisht shërben si shembull për tu ndjekur edhe sot, nga të tjerët, si alternative e ndritur për të ardhmen, që rrënjët i duhen shkulur nga ky vend që shërben vetëm si strehe ose folezë për shumimin e diktatorëve dhe maniakëve të pozitave dhe privilegjeve. Rrëfyesve elokuentë të demokracisë, por mohuesve kategorikë të aplikimit dhe inplementimit të saj. Kush ka “Pse?” për të ngritur, do ti jepja vetëm një “Sepse!” monumentale. Sepse ky popull realisht nuk zgjedh. Këtij populli i imponohen alternativa, në këmbim të ofertave kriminale. Kjo është e përbindshme dhe ne me këtë fakt bashkjetojmë dhe solidarizohemi, që në rastin e parë që shohim një dritë interesi në fund të tunelit tone të orvajtjeve për mbijetesë.
Ne ditëm të ngriheshim në protestë popullore, për të drejtat tona, krijuam rrëmujë e kjo është e thjeshtë e ne jemi të talentuar në këtë punë, por kur erdhi rradha e të ndërtuarit rend afatgjatë, talenti shterroi. Përmbysëm mitin e një njeriu, të diktatorit, por nuk përmbysëm dot systemin, atë natyrë sistemi totalitar, që na ushtrohet mbi shpinë e përthith mundin dhe djersën tonë. Shohim ndikim pushtetarësh kudo, asimetri të drejtash dhe lirish, shtetëzimi të gjithçkasë dhe të çdokujt. Dikur nuk qe fort ndryshe. Qartësisht vërehet se këtu nuk mungojnë kurrë “të ndriturit” që duan këdo nën vullnetin e tyre. Por ky nuk është ushtrimi i një funksioni publik, por i një paudhësie private.
Zgjidhja e vetme është kushtetueshmëria si normë bazë: Askush mbi ligjin. Kaq e thjeshtë për tu thënë… Por kush është ai autoritet që do ta garantojë këtë zbatueshmëri?! Ngërç ekzistencial!
Trashëgimia e mësimeve që bëhen pësime
Filozofia e revolucionarizimit të sistemit të aplikuar në një shoqëri, edhe kur kalon nëpërmjet rrugëve të dhunshme e të përgjakshme, siç ndodhi në vendin tonë në fillim të viteve ’90, kërkon një konotacion kulturoro-juridik të një niveli jashtë të zakonshmes. Për arsye se po aq e rëndësishme sa faza e konfrontimeve fizike është edhe faza e stabilizimit, instalimit dhe balancimit të drejtë politikisht të lidershipit nën sistemin e ri që pritet të gjenerojë ndryshimin, filozofia e revolucionit, si epilog ka paqen dhe prosferitetin e popullit.
Në vendin tonë kjo ide u përfol shumë, u proklamua në të gjitha rastet e ballafaqimeve publike, por u fsheh pas fashës kohore tranzitore që shërben për të ulur pluhurat e ndritur nga “beteja” për ndërrimin e sistemeve. Populli prej televizorit mësoi ta quajë këtë një “periudhë tranzicioni” e duke qenë një kokë pa datë, mbi të u abuzua për vite të tëra. Për aq sa populli s’bënte e s’bën zë, po aq sa u lakua në një seri pafund rastesh dënimi që i bëhej komunizmit shqiptar dhe udhëheqësve të tij, ky dënim mbeti në letër. Sepse në Shqipëri, edhe sot nuk është konsoliduar një shtet aq i fortë sa të mund realisht të vendosë para përgjegjësisë të gjithë ata që i kanë duart me gjak të pafajshmish.
Shumkujt prej popullit të thjeshtë iu dha mundësia të pasurohet padrejtësisht e kundërligjërisht, e po kështu të sendërtojë interesa të ngushta me këtë vend e sidomos me individë të veçantë, e kësisoji, ata që u pasuruan në këtë formë, kishin edhe një tjetër pikë të përbashkët me plot pushtetarë. U gjendën ortakë në krim me pamundësinë e përjetshme për të kundërshtuar. Ja tek u garantua heshtja afatgjatë e pjesës më të madhe të miletit. Këtij mileti abuzimi iu bë natyrë e dytë e aty u kuptua se disheza e rrezikshme e ngjarjeve, u shndërrua në hon të thellë nga ku nuk ka shpëtim. Shpresës iu qas fundi publikisht e refren u bë shprehja kuptimplotë: “Shqipëri hesapi!”.
Modeli që i ofrohet popullit, si standard qeverisës, është ai i pushtetit arrogant, cinik e moskokçarës. Të pavetëdijshëm se është në funsion të popullit e jo e anasjellta, populli në funksion të tij. Rrjedhimisht ne mbetemi të krahasueshëm me njerëz të rritur në pyll. Në rastin tone, një pyll urban. I vetmi rend e rregull që hasim është menjëhërë jashtë dyerve të vendit tonë. Jo sepse ne jemi një popull më i keq se të tjerët, por sepse kemi një rregullator më të keq se të tjerët. Një shtet qesharak, me shtetarë të pakujdesshëm për nevojat më minimale të banuesve të këtij shteti, e jo më garant të normave dhe kushtetutës si thelbi i funksionalitet socio-politik. Me sy të lirë, e pa i hyrë shumë hetimeve e gërrmimeve logjike, mund të vërehet se mungon një vullnet konkret, për të strukturuar një establishment të qëndrueshëm e të palëkundur. Ka mijëra arsye për këtë, por kryesorja është përfitimi personal prej pushtetit. Korrupsioni shtazor.
Katër vitet e një mandati janë vërtet pak për rimëkëmbien e një vendi rural, të betonizuar jashtë çfardolloj sistemi të qytetëruar. Ose kjo të paktën është arsyeja-justifikim pas së cilës gjejnë strehë fjalëmëdhejtë e dikurshëm e të sotëm. Protesta dhe ngritja e zërit në kohë si këto janë një domosdoshmëri jetike, por forma dhe metodat e zgjedhura për ta ngritur këtë zë kanë një rëndësi kardinale. Për aq kohë sa njerëzit i konceptojnë angazhimet e tyre, profesionin e tyre, vetë jetën e tyre si një aset që mund tua dhurojë ose mohojë një funksionar shteti, ne mbetemi populli më i papërgjegjshëm, më i pagatshëm e i padenjë për vetë jetën e tij e të familjes së tij.
Mbetëm gurë shahu në duar të disa strategëve perverse. Për aq kohë sa në rrudhat e ballit të kësaj turme, nuk shfaqet asnjë nerv e revoltë e njëmendtë, por vetëm plakje e mpakje, këta kriminelë të sojshëm, bashkë me familjet e tyre, pushteti, qejfet, luksi, shpenzimet dhe pafytyrësia e tyre amorale, do të jenë aq jetëgjata sa do na përcjellin me arkovolin e varfërisë ne dhe shumë breza pas nesh.
Kur të mësojmë të shkulim nga fjalori shprehje parafabrikate, si “Rroftë partia”, atëherë do fillojmë të rrojmë vetë.