Më shumë se 30 gara për guvernatorë në SHBA do të përcaktohen të martën, me një duzinë prej të cilave konsiderohen shumë të ngushta për t’u parashikuar dhe një numër i madh guvernatorësh që kërkojnë rikonfirmimin po vuajnë të mbrojnë politikat e tyre ekonomike.
Çështjet e nxehta nga kontrolli i armëve te kufizimi i abortit dhe kujdesi shëndetësor janë dominuese në disa gara.
Për shumë votues, megjithatë, ekonomia ka mbetur çështja kryesore. Ringritja ekonomike në mënyrë jo të barabartë mund të rezultojë fatale për një sërë guvernatorësh në detyrë, përfshi guvernatorin e Kansasit dhe Penslivanisë, që janë vënë përpara përgjegjësisë për shqetësimet fiskale në shtetet e tyre.
“Ne kemi pasur një ekonomi të vështirë prej vitesh, dhe kushdo që do të ishte në detyrë do të vihej pjesërisht përpara përgjegjësisë, sidomos guvernatorët,” tha Larry Sabato, drejtor i qendrës së politikave në universitetit të Virxhinias. “Ata jo më kot quhen presidentë të vegjël.”
Çështjet fiskale në Kansas, për shembull, e kanë futur guvernatorin republikan Sam Brownback në një betejë të ashpër me demokratin Paul Davis.
Brownback uli taksat në përpjekje për të rritur ekonominë, gjë që çoi në uljen e nivelit të kreditimit të shtetit, dhe politikat e tij koinciduan me një rënie të madhe në të ardhurat e shtetit, duke shtuar frikën se mund të shkurtoheshin fondet për shkollat.
David, kongresmen i Kansasit, ka premtuar t’i japë fund “eksperimentit” të Brownback, në përpjekje të joshë republikanët në një shtet normalisht besnik ndaj asaj partie, pa i humbur demokratët ndërkohë.
Katërmbëdhjetë gara guvernatorësh shikohen si të barabarta, sipas Cook Political Report, një gazetë jopolitike që analizon fushatat dhe zgjedhjet. Të paktën 10 guvernatorë po luftojnë të mbrojnë postet, parashikojnë ekspertët.
“Qëndrimi kundër guvernatorëve në detyrë është në modë,” tha John Green, profesor i shkencave politike të universitetin e Akronit dhe drejtori i Ray C. Bliss Institute.
“Guvernatorët janë një shënjestër e lehtë, prandaj shikoni më shumë guvernatorë republikanë në vështirësi si guvernatori i Penslivanisë,” tha ai.
GUVERNATORËT NË SHËNJESTËR
Guvernatori republikan i Penslivanisë Tom Corbett ka qenë shumë pas demokratit Tom Wolf në sondazhe, një biznesmen që hedhur pasurinë personale në garë. Nëse Corbert, i cili është kritikuar për shkurtime në fondet për arsimin, nuk merr mandatin e tij të dytë, ai do jetë i pari guvernatorë në detyrë që nuk rizgjidhet në historinë e këtij shteti.
“Pavarësisht se ekonomia është padyshim më mirë seç ishte vitin e kaluar, ajo është larg pritshmërie të njerëzve, dhe guvernatorët janë në shënjestër,” tha Green. “Ata janë personat që shkurtojnë programe apo rrisin taksat.”
Mes guvernatorëve që përpiqen të mbajnë detyrën është Scott Walker, republikani i Wisconsinit, që u bë lider për republikanët kur shteti shkurtoi pushtetin e sindikatave të sektorit publik. Sondazhet e fundit tregojnë se ai është shumë ngushtë me demokraten Mary Burke, ish-drejtuese në fushën e biznesit. Kontrolli i partisë mbi guvernatorët konsiderohet i rëndësishëm për zgjedhjet presidenciale të 2016, kur kandidatët përdorin guvernatorët për të ndërtuar mbështetje shtet pas shteti drejt një nominimi të mundshëm. Deri në këto zgjedhje, republikanët kanë 29 guvernatorë, kurse demokratët 21.
Në Florida, guvernatori republikan Rick Scott ka marrë ndihmë në fushatë nga guvernatori i New Jersey, Chris Christie, i Louisiana-s, Bobby Jindal, dhe i Texas-it, Rick Perry, të cilët shikohen si kandidatë presidencialë të mundshëm, në betejë kundër guvernatorit Charlie Crist. Nathan Gonzalez, zëvendëskryeredaktor i Rothenberg Political Report, tha se gara ishte “e jashtëzakonshme” me kaq shumë guvernatorë konkurrentë. “Shumë prej tyre janë në një garë shumë të ngushtë,” tha ai.