Mrekullia ndodhi. Për herë të parë gjatë këtyre viteve punonjësit në sektorin privat hidhen në grevë për rritje rroge. Punonjësit e transportit urban e kanë bërë këtë gjë sot në mëngjes duke lënë pa qarkullim linjat e autobusëve në kryeqytet. Në fakt greva nuk ka qenë drejtuar kundër pronarëve, por kundër shtetit, të cilit punonjësit i kanë kërkuar të rrisë çmimet e biletave, që pastaj pronarët e tyre të kenë mundësi t’iu rrisin rrogat, me parimin “futja popullit”, pasi dihet se bart më shumë se autobusi. Duket se e kanë kapur veshin pak sa gjatë, por gjithsesi, më në fund, punonjësit gjetën kurajë të ngrihen njëherë, qoftë edhe për interesat e pronarëve.
Megjithatë, rezulton se greva ka dështuar. Qytetarë të shumtë kanë konstatuar se ajo, jo vetëm nuk i ka penguar të arrijnë destinacionet në orar, por i ka ndihmuar të mbërrijnë më herët. Shefki Çizmja, përgjegjës në një ndërmarrje prodhimi këpucësh me fason në zonën e Fabrikës së Birrës, tha se, si rrallë ndonjëherë, sot asnjë punëtor nuk erdhi me vonesë në punë. Siç i ishin shprehur vetë punonjësit, u zbulua se ata mund të ecnin në këmbë më shpejt se me autobus. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe administratori i një kompanie Call Center te stadiumi Dinamo. Punonjësit erdhën më shpejt se zakonisht në punë, tha ai, ndonëse të gjithë u shprehën se ishin zgjuar si zakonisht, në të njëjtën orë! Dhe, çka u dukej më interesante udhëtarëve të zbuluar këmbësorë, asnjëri nuk e kish humbur portofolin rrugës.
Të cenuar nga kjo, drejtues të transportit urban janë shprehur se nuk është e vërtetë që këmbësori mund të ecë më shpejt se autobusi. Ata thonë se autobusët e tyre gjithmonë i parakalojnë këmbësorët dhe se lëvizin me një mesatare të paktën 3 apo 4 km në orë më shumë, sidomos kur nuk e kanë erën para ose kur shoferët kanë patentë LSI. Natyrisht, kjo falë edhe dashamirësisë së atyre që trotuaret i kanë dekoruar me arka, çadra, llamarina lotuese, fidanë hekurash, gropa, lloj-lloj kurrizesh, arka, karrige e bidonë, të gatshëm për t’i fluturuar përbri rrugës si parkometra, që këmbësorët zig-zagojnë çdo ditë.
Por nga ana tjetër, këmbësorët shprehen se shoferët maten me qytetarë të papunë ose maksimumi me njerëz që nisen për qoka, pra rob që nuk kanë arsye të nxitojnë. Një prej tyre thotë se i ka ndodhur shpesh që, pasi i ka ikur autobusi, ta ketë zënë në stacionin tjetër, ku pastaj i ka hipur thjeshtë nga ekstaza e fituesit. Madje zotëria ka menduar hapjen e një aktiviteti privat në sektorin e transportit, që ofron shtyrje të autobusëve, dhe që nuk dëmtohet nga luhatjet e çmimit të naftës. Ai ka menduar t’ia sugjerojë edhe ministrit Velia këtë mundësi punësimi.
Nga e gjithë kjo mund të thuhet se, ndonëse greva dështoi në qëllimin e saj, ajo rezultoi e suksesshme në një drejtim tjetër. Tanimë nuk ka pikë rëndësie për qytetarët nëse rritet apo jo çmimi i biletës së autobusit. Të ecurit në këmbë rezulton jo vetëm më i lirë, por edhe më i shpejtë e më komod.