Virginia Harrison
CNN
Vetëm pak ditë në zyrë, qeveria e re e Greqisë ka filluar të grindet me Europën, ndërkohë që lëviz ngadalë të afrohet me një fuqi më të pa qendruseshme: Rusinë.
Të dy vendet kanë një histori të gjatë lidhjesh fetare, kulturore dhe ekonomike. Tani të dyja rezulton të jenë dhimbje koke për Bashkimin Europian.
Qeveria e Greqisë, e drejtuar nga partia e majtë Syriza, ka filluar të anashkalojë reforma që ishin me rëndësi për të siguruar 240 miliardë euro nga BE dhe FMN, të cilat e mbajtën Greqinë mbi ujë. Marrëdhëniet mes Rusisë dhe BE janë më të këqijat qysh nga koha e luftës së ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë.
Në përshëndetjen e tij për kryeministrin grek Aleksis Cipras, presidenti rus Vladimir Putin tha se ka besim se të dy vendet mund të “punojnë bashkë me sukses për të zgjidhur problemet e tanishme evropiane dhe globale.”
Greqia duket se është e interesuar për lidhje më të ngushta. Sipas lajmeve, Cipras është takuar me ambasadorin rus disa orë pasi mori detyrën dhe me zyrtarë rusë në muajin maj.
Syriza dhe partneri i djathtë i koalicionit të tij kanë qenë përkrahës të Putinit dhe një bashkëpunim më i thellë është i mundshëm, tha Dhimitris Papadimitriu, profesor i shkencave politike në universitetin e Mançesterit.
Të dy vendet kanë vendosur marrëdhënie tregtare. Thuajse 13 për qind e importeve greke erdhën nga Rusia më 2013, sipas FMN. Pjesa e Greqisë në importet ruse është shumë e vogël. Megjithatë, vendet kanë rënë dakord ta bëjnë vitin 2016 si “Viti i Greqisë” në Rusi dhe “Viti i Rusisë” në Greqi.
Me këtë sfond, Greqia mund të ndahet me partnerët e saj evropianë për çështjen e reagimit pas shtimit të dhunës kohët e fundit në Ukrainë.
Zyrtarët evropianë thanë, në filim të javës, se kishin prova të rritje s së suportit të Rusisë ndaj separatistëve në Ukrainën lindore. Qeveria greke u zemërua që ajo nuk ishte konsultuar në lidhje me deklaratën e liderëve të BE.
“Kundërshtimi i Greqisë ishte se ajo nuk ishte pyetur, dhe se konsensusi i saj ishte marrë i mirëqenë,” i tha CNN-it një zëdhënës i qeverisë.
“Greqia duhet të jetë e barabartë në vendimet e BE,” tha zëdhënsi.
Sherri ngriti shqetësimin se ministri i jashtëm grek Niko Koçias mund të vendosë veton kundër çdo përpjekjeje për të shtuar presionin ndaj Moskës, kur zyrtarët e BE do të takohen të martën.
Thuhet se Koçias ka pasur lidhje të ngushta me partinë komuniste greke gjatë luftës së ftohtë. Ai ka qenë mbështetës i Rusisë – përfshi edhe atë nën udhëheqjen e Putinit – tha Papadimitriu i universitetit të Mançesterit.
Disa ekspertë thonë se qeveria e re greke thjesht po përpiqet të vendosë autoritetin e saj. Shprehja e shqetësimit për sanksionet është shumë larg nga hedhja në krahët e Rusisë me shpresën për të gjetur një huadhënës më të mëshirshëm.
“Greqia ka nevojë për para dhe besueshmëri,” shkroi Holger Schmieding. “Flirtimi me Rusinë nuk do ta ndihmojë Greqinë të sigurojë kushte më të mira nga huadhënësi i vetëm që ajo ka realisht.”
Nga ana tjetër, Greqia ka arsye të mira për të zhvilluar një marrëdhënie më të ngushtë me Rusinë dhe mund ta bëjë këtë pa shkaktuar shumë probleme në Europë.
Një nga fushat e mundshme të bashkëpunimit është energjia. Rusia hoqi dorë nga plani për të ndërtuar një linjë gazi përmes Detit të Zi për në Europë dhe tani po ndjek një partneritet alternativ me Turqinë.
“Greqia mund të jetë një partner në planet ruse për energjinë,” tha Papadimitriu.
Thano Dokos, nga Fondacioni Grek për Politikën e Jashtme dhe Europiane, tha se Greqia mund të zhvillojë gjithashtu lidhje në fushën e tregtisë dhe turizmit me Rusinë.
“Por nëse klima e tanishme mes BE dhe Rusisë vazhdon, mundësitë e tyre janë të kufizuara,” tha Dokos.