Robert Samuelson
Real Clear Politics
WASHINGTON – Jeffrey Immelt, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë General Electric (të ardhurat për 2015: $117 miliardë), mbajti një fjalim interesant para ca ditëve që hedh dritë mbi të ardhmen e globalizimit. Ajo ka të bëjë me politikën po aq sa me ekonominë. Nuk duhet të jetë e befasishme që tre kandidatët kryesorë për president të mbetur në garë (Hillary Clinton, Bernie Sanders dhe Donald Trump) nuk janë përkrahës të globalizimit.
Shumë njerëz e konsiderojnë globalizimin një fenomen ekonomik, që përfaqëson përhapjen e teknologjisë, rritjen e tregëtisë dhe të rrezikut për punëtorët dhe firmat amerikane nga shumë burime – pagat e ulëta, normat e këmbimit të manipuluara, subvencionet qeveritare dhe përparësitë konkuruese të pastra. Globalizimi është të gjitha këto gjëra e shumë më tepër. Nëse pati një parim organizativ të politikës së jashtme të SHBA pas Luftës së Ftohë, ky ishte globalizimi.
Ideja e përgjithshme ishte se, ndërsa shtetet do të bënin tregëti me njëri-tjetrin, popujt do të pasuroheshin më shumë – në vendet e varfra do të shfaqeshin klasat e mesme – dhe interesat e shteteve do të ndërthureshin. Rreziku i luftrave të mëdha do të zvogëlohej, sepse shoqëritë me klasë të mesme pëlqejnë tregëtinë, jo konfliktin. Rendi i ri botëror do të kishte tensione dhe hasmërira, por ato do të ishin të menaxhueshme pikpërisht pse do të shfaqeshin në një konteskt interesash të përbashkëta.
Nga përvoja e deritanishme, ne e dimë që ky vizion ishte i thjeshtëzuar dhe me të meta. Pritshmëritë ishin jo realiste. Tre difekte bien në sy.
Së pari, globalizimi mbivlerësoi kapacitetin e vet për të ndrydhur shqetësimet etnike, fetare dhe nacionaliste. Për dëshmi, shikoni zjarrin në Lindjen e Mesme.
Së dyti, globalizimi u mendua me optimizëm që do të sillte rritje dhe qëndrueshmëri ekonomike të fortë. Tregjet mendohej të ishin vetë-korrigjuese, kështu që rëniet e bursës – megjithëse të paevitueshme – do të ishin të shkurtra dhe të buta. Kriza financiare 2008-09 dhe Depresioni i Madh e shpuan këtë tullumbace.
Së fundi, përfitimet ekonomike të shtimit të tregëtisë dhe hapjes së tregjeve konsideroheshin aq të sigurta saqë globalizimi do të gëzonte mbështetje politike të fortë. Nuk ndodhi. Ai përfaqëson humbjen e sovranitetit kombëtar. Shtetet e pranojnë këtë kur shpërblimi – begatia dhe standardet e jetesës të larta – duken të mëdha. Kur fitimet zbehen, bashkëpunimi bëhet më pak i arritshëm.
Kthehemi sërish te Jeffrey Immelt i General Electric. “Globalizimi po sulmohet si kurrë më parë,” u tha ai studentëve në Stern School of Business, Universiteti i Nju Jorkut. “Kjo nuk ndodh vetëm në SHBA, por kudo.” Në një pikë tjetër ai tha: “Ne kemi zgjedhje presidenciale ankimtare, ku të gjithë kandidatët janë protektonistë.”
Kështu që General Electric do të mbrojë interesat e veta. “Në lidhje me globalizimin, është koha për një kthesë të guximshme,” tha Immelt. “Ne do ta lokalizojmë [prodhimin].” Kompania do të prodhojë aty ku do të ketë shitje. Me 420 fabrika në gjithë botën, tha ai, GE ka “fleksibilitet të madh” për vendosjen e prodhimit. Për SHBA: “Ne do të prodhojmë për SHBA në SHBA, por eksportet tona mund të pakësohen.”
Së jashtmi, kjo duket e mundshme. Prodhojmë aty ku konsumojmë; kështu bëjnë vende të tjera. Në fakt, kjo është një formulë për stanjacionin ekonomik të SHBA, sepse rritja më e madhe GE ndodh në tregjet e huaja. Kur Immelt nisi punë për këtë kompani më 1982, 80 për qind e shitjeve të kompanisë bëheshin në SHBA. Tani 70 për qind kanë origjinë jashtë saj. Nëse kompanitë e tjera shumëkombëshe kopjojnë GE (diçka që duket e mundshme), atëherë veprimtaria e tyre në SHBA do të pakësohet.
Po kështu, politikat e mbështetura nga kandidatët për president, përfshi kundërshtimin ndaj Partneritetit Trans-Pacific, mund të kenë rezultat të kundërt. Ata premtojnë në mënyrë fals se do të forcojnë ekonominë duke kryer “deglobalizim”. Në realitet mund të jetë e vërtetë e kundërta. Vini re që Trump-i propozoi një tarifë 4 për qind për importet nga Kina. Askush nuk duhet të mendojë se kjo të stimulojë prodhimin në SHBA.
“Kompanitë e SHBA nuk do të nisin të prodhojnë më shumë veshje dhe atlete në SHBA,” shkruan ekonomisti Douglas Irwin nga Dartmouth College në numrin e radhës së Foreign Affairs. “Ajo që mund të ndodhë është që prodhimi mund të kalojë nga Kina në vendet e tjera në zhvillim të Azisë, ku pagat janë të ulëta, për shembull në Vietnam.” Ndërkohë, Kina është e sigurt që do të hakmerret kundër eksporteve të SHBA. Humbësi i madh do të jetë SHBA.
Veç kësaj, do të ketë pasoja politika në plan më të gjerë. “Politikat e Trump-it me moton “E para Amerika” mund të imponojnë largimin nga lidershipi global i SHBA – në mënyra prej të cilave mund të përfitonte Kina,” siç shkroi kohët e fundit kolegu im në Washington Post, David Ignatius. Politikat e Clinton-it dhe Sanders-it për tregtinë meritojnë të njëjtin vlerësim.
Vetëm pse globalizmi ka të meta kjo s’do të thotë që zëvendësuesja nacionaliste është superiore. Proteksionizmi i tij frenon eficencën e krijuar nga tregjet e mëdha ndërkombëtare. Kjo do të kufizonte mundësinë e uljes së çmimeve për shërbimet dhe materialet e tregtuara. Gjithashtu do të krijonte më shumë konflikte tregtare ndërsa shtetet do të ndihmonin me subvencione dhe proktetonizëm kompanitë lokale.
Pavarësisht mangësive, globalizimi ka kontribuar për një ulje të madhe të varfërisë në gjithë botën gjatë çerek shekullit të fundit. Ne duhet të jemi më realistë për kufizimet e tij dhe të rregullojmë defektet e tij – sidomos rreziqet e krizave financiare. Por si parim organizator të politikës së jashtme të SHBA, ne s’duhet ta braktisim pa pasur diçka më të mirë. Që nuk e kemi.