Gjermania riktheu kontrollin e kufijve të dielën, dhe në mënyrë dramatike ndaloi gjithë trafikun e trenave me Austrinë, pasi rajonet e vendit [pushteti lokal] thanë se nuk mund të përballonin më tej numrin e lartë të refugjatëve që hynin në Gjermani.
Ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière, i njoftoi këto masa pasi zyrtarët gjermanë thanë se shifrat rekord të refugjatëve, shumica e tyre nga Siria, e kishin sforcuar sistemin deri aty ku s’mban më. “Ky hap është bërë i nevojshëm,” tha ai në një konferencë për shtyp në Berlin.
Azilkërkuesit duhet ta kuptojnë, “ata nuk mund t’i zgjedhin vendet ku kërkojnë mbrojtje”, u tha ai gazetarëve.
Gjithë trenat mes Austrisë dhe Bavarisë, rruga kryesore nga kanë mërritur 450 000 refugjatë në Gjermani këtë vit, ndaluan në orën 5 pasdite. Vetëm qytetarë të BE dhe të tjerë me dokumente të vlefshme do të kalojnë në kufijtë e Gjermanisë, tha de Maizière.
Ky vendim do të thotë që Gjermania ka dalë përkohësisht nga sistemi Shengen. Kjo ka mundësi të çojë në skena kaotike në kufirin austro-gjerman, ndërsa dhjetëra-mijëra refugjatë përpiqen të hyjnë në Gjermani me çdo mënyrë të mundshme dhe të vendosen aty.
Policia gjermane filloi patrullimin e pikave kufitare rrugore me Austrinë në 5.30 pasdite të dielën. Këto kontrolle mund të shtrihen në kufirin me Poloninë dhe Republikën Çeke.
Kancelarja Angela Merkel ra dakord për detajet me aleatët e saj socialdemokratë në qeveri. Republika Çeke tha veçmas se dhe ajo do të shtonte kontrollin e kufirit me Austrinë.
Masat e emergjencës janë planifikuar për t’u dhënë frymëmarrje shteteve federale të Gjermanisë, të cilët janë përgjegjës për kujdesin ndaj refugjatëve. Sipas Der Spiegel, brenda qeverisë po bisedohet dhe për dërgimin forcave ushtarake në kufirin rrugor dhe hekurudhor me Austrinë, me qëllim vendosjen e sigurisë.
Kjo lëvizje u bë pas skenave të jashtëzakonshme në stacionin e trenit kryesor në Mynih gjatë fundjavës dhe shtimit të përplasjeve brenda Gjermanisë në lidhje me vendimin Merkelit javën e kaluar, për të lejuar hyrjen e refugjatëve pa regjistrim. Shifrat i tejkaluan gjithë parashikimet.
Të shtunën, 13 015 refugjatë arritën në stacion me trena nga Austria. Të dielën në mëngjes mbërritën 1400 të tjerë. Kryebashkiaku i qytetit, Dieter Reiter, tha se Mynihu ishte “plot”, me gjithë kapacitetet të zëna. Të shtunën një pjesë e refugjatëve fjetën në stacion.
Lëvizja befasuese ad hoc e Gjermanisë krijon terrenin për një shfaqje të hidhur të hënën në takimin e ministrave të Brendshëm të BE në Bruksel. Presidenti hungarez e përshëndeti vendimin dhe tha se do të mbronte “vlerat gjermane dhe evropiane”. Ai dhe udhëheqës të tjerë europiano-lindorë po insistojnë se nuk do ta pranojnë një plan të përcaktua nga shefi i KE Jean-Claude Juncker për kuota të detyrueshme për refugjatët.
De Maizière tha se Gjermani e kishte vendosur kontrollin e kufijve për arsye sigurie, por shtoi se ky ishte dhe “një sinjal për Europën”. Gjermania, Austria dhe Franca mbështesin propozimin e Juncker-it, sipas të cilit 160 000 azilkërkues do të ndaheshin në 28 shtetet e BE. Refugjatët do të ndaheshin bazuar në madhësinë dhe pasurinë e secilit shtet.
Kundërshtimi ka qenë i vendosur nga vende të tjera të BE, përfshi Hungarinë, Sllovakinë, Republikën Çeke, Poloninë dhe Rumaninë. Të dielën, kryeministri Çek, Bohuslav Sobotka, tha: “Mendoj se është e pamundur të tërhiqemi. Pozicioni ynë është i vendosur.”
Më parë Orban ka fajësuar Berlinin për krizën, dhe vendimin e Merkelit për hapjen e kufijve të Gjermanisë. Budapesti nxiton të përfundojë një gardh në kufirin e saj me Serbinë, ku 4330 persona kaluan të shtunën. Të martën, ajo miratoi ligje të ashpra, që e bëjnë kalimin e kufirit të dënueshëm me ligj.
“Këta emigrantë nuk vijnë tek nga zonat e luftës, por nga kampe refugjatësh në vendet fqinje të Sirisë. Këta njerëz nuk arratisen prej rrezikut dhe s’kanë pse të kenë frikë për jetën e tyre,” i tha Orban gazetës gjermane Bild. Udhëheqësit evropianë “jetonin në një botë ëndërrash.”
Qëndrimi i ashpër populist i Orban-it zemëroi fqinjët e tij. Kancelari austriak, Werner Faymann, tha se trajtimi i egër i refugjatëve në Hungari të kujtonte Luftën e Dytë Botërore. “Stivimi i refugjatëve në trena me shpresën që ata mund të shkojnë larg, larg, na sjell kujtime të periudhës më të errët të kontinentit,” i tha ai Der Spiegel-it.
Faymann sugjeron se, nëse nuk arrihet konsensus deri të hënën në Bruksel, Gjermania dhe aleatët e saj mund të përpiqen të miratojnë kuotat me një shumicë cilësuese.
Ai tha se Austria dhe Gjermania – të dyja kontribuuese neto në buxhetin e BE – do të shikojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj vendeve që refuzojnë të ndajnë pjesën e barrës së refugjatëve. Kjo mund të përfshijë shkurtimin e ca fondeve strukturore të BE prej të cilave “përfitojnë më shumë shtete e Europës lindore”.
Përveç kuotave, propozimet e Junkerit përfshijnë dhe vendosjen hotsposts në kufijtë e BE, përfshi Greqi dhe Itali, ku refugjatët mund të regjistrohen nën një sistem të përbashkët.
Agjencia e refugjatëve e OKB, UNHCR, i bëri thirrje BE të shmangte fragmentimin e vendeve dhe kthimin në një rrëmujë me rregulla kufitare të ndryshme, të cilat do t’i fusnin gjithë refugjatët në një “burg ligjor”.
Autoritete greke thanë të dielën se u mbytën 28 persona, gjysma e tyre fëmijë, kur barka e tyre u mbyt në Detin Egje. Incidenti ndodhi në agim, afër ishullit grek Farmakonisi. Rojet detare greke nxorën nga uji 68 vetë. 30 të tjerë dolën me not.
Rajonet federale gjermane, ndërkohë, kanë thënë se kanë vështirësi në përballimin e valës së pashoqe. Qeveria e qytetit të Berlinit ka urdhëruar dy qendra sportive ngjitur me stadiumin olimpik të strehojnë refugjatë. Ajo po merr në konsideratë përdorimin e një velodromi, hangarët bosh në një shkëmbim të drejtë ndërtesash si dhe aeroportin Tempelhof.
CSU, partia bavariane e afërt me CDU e Merkelit, e akuzoi kancelarin se bëri një “gabim historik të pashoq” me hapjen e kufijve të Gjermanisë. Të dielën, Christoph Hillenband, presidenti i Bavarisë së Sipërme, tha se sistemi që merrej me trajtimin e refugjatëve ishte afër shkatërrimit, me 63 000 persona të arritur në Mynih që nga fundi i gushtit.
Trena të veçantë tani i çojnë refugjatët në veri në pjesë të tjera të Gjermanisë. “Nuk është e mundshme të pranojmë përditë popullsinë e një qyteti të vogël. Nuk mund ta përballojmë më nga ana logjistike,” tha Hillenbrand.
Mustafa Alomar, refugjat nga Manbej, afër Alepos në Siri, tha se i kuptonte vendet evropiane që thanë se kriza e refugjatëve nuk është problem i tyre, por shtoi: “Nëse qëndroni në Siri do të vriteni. Kjo është e vërtetë pavarësisht në jeni të varfër, klasë e mesme, apo të pasur.”
Alomar, ish-student për letërsi angrleze në Universitetin e Alepos, jeton në një hotel refugjatësh në Berlin, ndërsa familja e tij është në kamp në Siri, afër kufirit me Turqinë. Ai tha se tre nga shokët e tij u mbytën pasi barka e tyre nga Libia për në Itlai u mbyt. Ai ishte i vetmi që shpëtoi.
“Nuk jemi engjëj. Jemi thjesht qenie njerëzore,” tha ai.