Kohët e fundit, ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Mazière harxhoi afërsisht një orë duke iu përgjigjur me qetësi pyetjeve të nxënësve të shkollave. Shumica e pyetjeve ishin rreth politikave të zhvillimit dhe refugjatëve, studentët paraqisnin këndvështrime ekstreme kritike ndaj politikës për refugjatët, e cila i trajton në mënyra të ndryshme refugjatët ekonomikë nga ata që i largohen persekutimit politik.
Në fund, de Mazière-it iu sos durimi: “Tani dua t’iu them diçka,” tha ai, duke u përkulur para në karrigen e tij prej lëkure dhe sytë e ngulur te njëri nga studentët. “Ne jemi ulur këtu mirë e bukur, por po të shkosh në zona si Rosenheim (afër Mynihut), ku… një gjimnaz u rekuizua (për strehim të përkohshëm). Përpiquni të flisni për refugjatët me prindërit e nxënësve aty.” Ky është shqetësimi me të cilin janë përballur shumë komunitete gjermane muajt e fundit, ndërsa vendit i është dashur të presë një valë të madhe refugjatësh.
Për një çast dhoma ra në heshtje. Të njëjtën ditë, kishte plasur lajmo që rreth 500 refugjatë ishin zhdukur në një incident të vetëm në përpjekje për të kaluar Mesdheun. Dhe ajo për çfarë ministri i Brendshëm gjerman donte të fliste ishte rekuizimi i gjimnazit për strehim të përkohshëm? Për shumë nga nxënësit, kjo ishte e tepruar.
S’ka rëndësi qasja ndaj problemit, është qartë që drama globale e refugjatëve ka mbërritur në Gjermani. Më 2013, 13 000 persona aplikuan për azil në Gjermani, afër me një të tretën e gjithë aplikimeve në BE
. Këtë vit, numri pritet të tejkalojë kufirin 200 000, një valë refugjatësh e ngjashme me atë në fillim të viteve 90. Disa qytete nuk dinë si të përballen me valën e refugjatëve, dhe kështu u lënë mundësi ndjenjave populiste dhe ksenofobe.
Ky mund të kishte qenë për ministrin e Brendshëm një moment që të shkëlqente. Një politikan veteran, de Maizière ka reputacionin e një njeriu që zgjidhte problemet, dikush që është efiçent dhe nuk lodhet shumë. Pas fitores në zgjedhjet e shtatorit, de Maizière pritej të krahun konservator të partisë së Angela Merkelit. Tek e fundit, si ministër i Brendshëm, “rendi dhe ligji” janë pjesë e punës së tij.
Ligji për azil i vjetruar
Deri tani, de Maizière s’ka prodhuar rezultat. Drama e refugjatëve përfaqëson një problem i vështirë që ai nuk do ta zgjidhë dot, edhe me anë të ndryshimit të politikës që ai përpiqet t’ia lërë në dorë Europës. Thelbi i problemit, tek e fundit, është ligji i respektuar i Gjermanisë, një për të cilin ajo duhet të jetë krenare. Megjithatë, ai nuk përputhet me rritjen e numrit të refugjatëve.
Njerëzit largohen nga vendet e tyre për një numër arsyesh në kohët e sotme. Mund të jetë lufta civile në Siri ose terrori i ISIS në Irak. Ata mund të arratisen dhe nga diktatura në Eritrea ose rreziku i kaosit si në një shtet të dështuar si Somalia. Ata largohen nga varfëria dhe diskriminimi në Serbi, pavarësisht faktit që vendi po bisedon tashmë të bëhet anëtare e BE. Mijëra njerëz që kanë një mundësi të besueshme për të fituar të drejtën të qëndrojnë në Gjermani janë të detyruar të hyjnë në mënyrë të paligjshme. Ata u besojnë kontrabandistëve kriminelë, ata guxojnë të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm të Mesdheut apo të gjejnë mënyra të tjera për të kaluar kufijtë e shumë fortifikuar të Europës.
Kurmbërrijnë në Gjermani ata përballen me Nenin 16 A, që thotë se njerëzve që përballen me persekutim politik në vendin e tyre t’u jepet e drejta e azilit. Ajo nuk përfshin klauzola për faktorë të tjerë për të cilat njerëzit largohen nga vendi i tyre: uria, thatësira, krimi, varfëria, ose mungesa e kushteve në një vend të shkatërruar. Por kjo nuk i pengon refugjatët të vijnë dhe tani ministri i brendshëm është i detyruar të japë zgjidhje.
Shenja paralajmëruese
De Maizière thotë se dëshiron të ulë numrin e refugjatëve që pranon Gjermania, i frikësuar se gjendja publikut do të ndryshojë nëse ai dështon. “Prioritet duhet t’i jepet përmirësimit të gjendjes në vendin e origjinës me qëllim që ofrojë kushte të përmirësuara për ata që preken në vendin e tyre,” thotë ai.
Këto janë shenja paralajmëruese që de Maizière mund të ketë drejtë për mundësinë e sistemit të refugjatëve në vendin e tij. Si fillim, partia e re Alternativa për Gjermaninë (AFD), e cila është kundër euros dhe kritike ndaj emigracionit, ka qenë e suksesshme në zgjedhjet e fundit lokale. Por ka dhe leksione që duhen pasur parasysh nga vitet 1990.
Pak pas ribashkimit të Gjermanisë, numri i azil kërkuesve u rrit në mënyrë të befasishme, kryesisht për shkak të luftërave në ish-Jugosllavi. Më 1992, rreth 440000 persona aplikuan për azil në Gjermani, më shumë se dyfishi i atyre që kanë aplikuar këtë vit. Ky zhvillim kontribuoi në krijimin e klime frike që i dha mundësi Partisë Republikane ekstremiste të fitonte vende në parlament në shtetin Baden-Württemberg, me më shumë se 10 për qind të votave, dhe për Bashkimin Popullor Gjerman (DVU), parti e ekstremti të djathtë, të fitonte vende në Schleswig-Holstein. Në Hoyerswerda dhe qytete të tjera të Gjermanisë, refugjatët u sulmuan nga turmat, duke tronditur vendin e duke bërë me turp gjithë vendin.
Qeveria federale e kohës u përgjigj duke kufizuar në mënyrë drastike të drejtën për azil. Refugjatëve që vinin prej një “vendi të sigurt” iu hoq e drejta e azilit në Gjermani. Duke pasur parasysh që çdo vend me të cilin kufizohet Gjermani konsiderohet me këtë status, kjo do të thotë që “e vetmja mënyrë që refugjatët mund të aplikonin për azil në Gjermani ishte që të zbarkonin aty me parashutë,” kritikoi organizata që mbronte azilantët Pro Asyl.
Por tani nuk është më e mundur për Gjermaninë të mbrohet si atëherë. Tani refugjatët e kalojnë kufirin gjerman me trena dhe autobusë. Aty merren, shpesh disa qindra njëherësh, dhe çohen te mjediset e pranimit ku nisin procedurat e pranimit. Më 2013, u bënë 130 000 aplikime për azil në Gjermani. Në Itali, e cila është rregullisht në titujt e medieve për katastrofat e refugjatëve në afërsi të Lampeduzës, aplikuan vetëm 30 000 vetë për të njëjtën periudhë.
Pak fitojnë azil
Shumë pak prej atyre që aplikojnë e marrin në fund të drejtën për azil në Gjermani. Këtë viti e fituan 1.6 për qind. Të tjerë 20 për qind, si ata prej Irakut, njihen si refugjatë nën rregullat e Konventës së Gjenevës. Një shtesë tjetër 7 për qind lejohen të rrinë përkohësisht për arsye të tjera. Në total, vetëm rreth një e katërta e azil kërkuesve arrijnë të qëndrojnë. Deri tani, nga aplikimet e 2014, nga totali 79 000 aplikimeve ia kanë dalë të qëndrojnë vetëm 22 000 persona. Pjesa tjetër është dashur të largohet.
Por status quo është e papranueshme, dhe ministri i brendshëm e di këtë. Por në përfytyrimin e ndryshimit të politikave, de Maizière di veç atë çfarë nuk do. Ai nuk do që të bëjë ndryshime themelore në ligjin për të drejtën e azilit, për shembull. Ai e ka përjashtuar gjithashtu mundësinë e zgjerimit të përkufizimit që të lejojë “refugjatët e varfër”. “Ne nuk mund të zgjidhim që problemin e varfërisë së botës në vendin tonë,” thotë ai.
Dy mundësi veprimi mbeten, një është ajo që u ndërmor të premten e shkuar kur Berlini deklaroi se Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Serbia janë “vende të sigurta”, që do të thotë se do të jetë shumë e lehtë të kthehen azilkërkuesit nga këto vende. Rreth 17 për qind e azilkërkuesve në Gjermani vijnë prej këtyre vendeve, por më pak se 1 për qind miratohen.
Mund të duket sikur ndryshimi i ligjit mund të lehtësojë në mënyrë drastike marrjen e vendimit për rastet nga këto vende. Por zyrtarët në Zyrën Federale për Emigracionin dhe Refugjatët, agjencia shtetërore përgjegjëse për procedimin e kërkesave, vlerëson se kursimi i kohës do të jetë 10 minuta për çdo aplikim. Ndërkohë, Ministria e Brendhsme e shtetit Schleswig-Holstein, në një dokument të brendshëm paralajmëroi se mbetej e paqartë sa do të ndikonte kjo “në pakësimin e numrit të azilkërkuesve.”
Por de Maizière përpiqet të realizojë dhe shpërndarjen e barrës së refugjatëve në gjithë Europën. Me qëllim arritjen e kësaj, ai do të ishte i gatshëm të braktiste disa nga politikat kryesore ekzistuese për refugjatët. Ai është korrekt në pohimin se një numër i konsiderueshëm i refugjatëve vijnë në Gjermani sepse Italia nuk i ka rregjitruar refugjatët që kalojnë Mesdheun, siç ka premtuar. Ajo lejon mijëra prej tyre të ecin drejt veriut pa i analizuar rastet e tyre. E përmbytur nga vala e refugjatëve, qeveria e Romës nuk e zbaton Rregulloren e Dublinit e BE, e cila thotë që aplikimet për azil duhet të procedohen në shtetin evropian ku refugjatët shkelin fillimisht. Deri tani nuk është marrë asnjë masë kundër Italisë për shkeljen e rregullit.
Në fillim të tetorit, de Maizière do që të propozojë vendosjen e kuotave të refugjatëve për çdo vend anëtar të BE. “Nëse secili respekton rregullat, atëherë çdo vend duhet të ndihmojë vullnetarisht për lehtësimin e barrës për një kohë të caktuar të vendeve si Italia, ku arrijnë një numër i madh refugjatësh,” tha ai. E thënë më thjesht, kjo do të thotë që Italia duhet të pranojë më shumë se 30 000 mijë që pranoi vitin e kaluar, por jo aq sa zbarkuan në brigjet e saj. Vendet e tjera të BE duhet të ndërhyjnë për ndihmë. Kjo do të thotë që dhe numri i njerëzve që aplikojnë për azil në Gjermani të reduktohet.
Fundi i Rregullave të Dublinit?
Parakushti, de Maizière shkroi në një letër për Komisioneren e Punëve të Brendshme të BE Cecilia Malmtrom, do të jetë që vende si Italia të “regjistrojnë njerëzit që mund të kenë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare dhe ata që nuk plotësojnë kushtet të marrin azil të kthehen menjëherë në vendin e origjinës prej nga personi udhëtoi për në Europë.” Joachim Hermann, ministri i Brendshëm për shtetin e Bavarisë, e mbështet këtë qëndrim, duke theksuar se “Kemi nevojë për një ndarje më të drejtë të barrës në Europë, nëse vende të caktuara janë të mbingarkuar.”
Ky do të ishte fundi, përkohësisht të paktën, i Rregullave të Dublinit. Por a do ta zgjidhte problemin?
Nëse kuotat janë për t’u marrë seriozisht, do të duhet që refugjatët të shpërndahen në gjithë Europën – herë-herë edhe kundër vullnetit të tyre. Dhe “deportimi”, një fjalë e keqe në Europë, do të jetë në majë të gjuhës së njerëzve. Një nga shtysat kryesore, megjithatë, është se shumë vende të BE duhet të tregojnë gatishmëri të pranojnë një numër të konsiderueshëm të refugjatëve. Kjo nuk ka ndodhur deri tani me 10 nga 28 vendet anëtare. “Nuk është e drejtë që katër apo pesë shtete marrin numrin më të madh të refugjatëve,” tha de Maizière. “Kjo nuk pasqyron solidaritetin evropian për të cilin kemi nevojë.”
Gjatë takimit me studentët në Berlin, ministri i brendshëm tregoi gjithashtu një histori të shkurtër nga shteti Saarland. Në një fshat të vogël në këtë shtet, fëmijët e refugjatëve kanë vizituar shkollën e fshatit, por njëri prej tyre ishte me zgjebe. Brenda 10 ditëve, një numër fëmijësh në fshat u infektuan. “Dhe ec tani,” u tha studentëve de Maizière, “e përpiqu të organizosh një protestë kundër AfD.”
Përgatitur nga Nicola Abé, Nikolaus Blome, Peter Müller, Conny Neumann dhe Maximilian Popp