MEDIAVULGU
carangthi
Disa gazeta sollën serish në vëmendje njollën islamiste të Berishës, e cila do të mund t’i shërbente valëvitësve për t’i zhvatur liderit ndonjë koncesion, siç është bërë rëndomtë më përpara, por tashmë ai është një ‘ish’, maksimumi me hard-diskun më të pasur të çështjeve shqiptare të këtyre 25 viteve. Rrjedhimisht, Berisha kthehet në shashka mediatike, për t’i shmangur publikut vëmendjen nga probleme më serioze: ekonomia, siguria, papunësia, kërkesat dërguar drejtorëve të shkollave për të paditur bindjet politike të arsimtarëve, kryeministri që pi kafe me një të inkriminuar, e gjëra të këtilla. Jo më kot Dita, në mënyrë të veçantë, u angazhua në gjyqin moral ndaj Berishës, me intervista të marra në vite dhe me një dokument të zbuluar në 2013. Zbulimi ishte si ai i ujit të ngrohtë: “një letërkëmbim të ish-Presidentit Sali Berisha me Abdul Latif Saleh në tetor të vitit 1992, një person që erdhi në Shqipëri nën petkun e një ‘bamirësi’ islamik dhe që u dëbua disa vite më vonë si terrorist”.
Ja zbulimi:
Tiranë, më 23.10.1992
I nderuar Sheik El-Essa
Pata mirësinë të informohem nga Dr. Abdul Latif Saleh, Mbikëqyrësi për Shëndetësinë në Organizatën Ndërkombëtare Islamike të Ndihmave , për dëshirën tuaj për të vizituar vendin tim, me qëllim për të parë mundësinë e investimeve këtu. Që nga ardhja në pushtet, kabineti im dhe unë kemi marrë përsipër një program për ringjalljen dhe ndryshimet në këtë vend, i cili përballet me detyra monumentale në vitet që vijnë. Do të ishte një nder i madh për mua t’ju prisja ju këtu dhe të diskutonim për nevojat e popullit tonë dhe mundësitë për zhvillim dhe investime. Gjatë qëndrimit tuaj në Shqipëri ju do të kini shansin të bisedoni në detaje me Kryeministrin dhe shumë ministra për projektet konkrete.
Duke shpresuar të takohem me ju shumë shpejt, mbetem
Sinqerisht i Juaji,
Sali Berisha
Këtë argument përdor Xhevdet Shehu për ta mbështetur ndihmën dhënë terrorizmit nga Berisha. Pra, meqenëse Rama pi kafe me Roshin, dhe ky i fundit akuzohet për lidhje me krimin (edhe nga ambasada amerikane, meqenëse për Shehun kjo është njësia matëse), Rama po instalon krimin. Madje nuk është tamam i përshtatshëm ky ilustrim, sepse Berisha i shkruan “terroristit” kur ky nuk njihej si i tillë. Përndryshe të gjithë ata që kanë raporte me një individ para se ky të kryejë ndonjë vrasje, qofshin prindërit e tij, sipas logjikës së Shehut, janë kultivues potencial të krimit. Pra i tillë është kushdo që ka pasur marrëdhënie me UÇK, e akuzuar zyrtarisht nga amerikanët si organizatë terroriste, me Kongresin Afrikan të Nelson Mandela-s, edhe ajo terroriste për shijet amerikane të viteve ’80. A duhet të jetë i tillë edhe Prescott Bush (babai dhe gjyshi i dy presidentëve amerikanë), manaxher i Brown Brothers Harriman, që financoi ngritjen e nazizmit përmes instituteve financiare të kontrolluara nga Fritz Thyssen?
Por Shehu nuk mjaftohet me kaq, shtie edhe me patllaken e vokacionit perëndimor. Po mirë, për të qëndruar në temën amerikane, a nuk ishte ish-presidenti amerikan, babai i atij që përmbysi Saddam Huseinin, në raporte pune me familjen Bin Laden? Ai ka figuruar si i kontraktuar part-time për ‘Bin Laden Group’ përmes ndërmjetësimit të ‘Carlyle Group’, që ka paguar edhe James Backer-in, ish-sekretarin e mbrojtjes Frank Carlucci, funksionarin e thesarit gjatë presidencës Reagan, Richard Darman, shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë në kohën e George Bush (I), John Sununu, apo edhe John Major, ish-kryeministri britanik. Kjo veprimtari subversive ndaj vokacionit perëndimor ka vijuar në vitet ’90, atëherë kur Berisha i shkruante Saleh-ut, akoma jo terrorist. Për të mos u zgjatur më tej në një temë të pashtershme, i kujtojmë Shehut të lexojë një artikull të Le Figaro, të 31 tetorit të 2001, ku raportohet nga Alexandra Richard – nga ajo lloj gazetarie që i mungon tërësisht vendit tonë – në La CIA a rencontré Ben Laden à Dubaï en juillet, rreth një kurimi mjekësor të të superkërkuarit (e jo të një “cironke” si Saleh-u) dhe takimit të tij me funksionarë amerikanë.
Në një shekull jetë të shtetit shqiptar, Enver Hoxha dhe Sali Berisha janë fatkeqësitë më afatgjata, natyrisht në forma dhe përmasa të ndryshme, që me sa duket do të pasohen nga një e tretë. Por një gazetari e tillë, zaptimi i publikes, paaftësia kutërbuese, mungesa totale e seriozitetit, mosrespektimi i lexuesit, ankandi i dinjitetit dhe i etikës, do t’i mbajnë në koma të përjetshme fatkeqësitë e këtij vendi. Ec e gjeje se ç’yndyrë vokacioni perëndimor ka një Xhevdet me mbiemrin Shehu që shet për “gazetarì” këtë mënyrë informimi.