Fareed Zakaria
Washington Post
Ndërsa Moska vazhdon të dërgojë forca në Ukrainë, duket qartë që Rusia është sfida e SHBA dhe Perëndimit. Por në vështrim afatgjatë, nuk është sulmi ushtarak i Rusisë, por lëvizjet jo-ushtarake e të qëndrueshme të Kinës ato që përbëjnë sfidën më të madhe. Rusia është një fuqi e madhe në rënie. Ekonomia e saj llogaritet vetëm 3.4 përqind e prodhimit botëror bruto. Kina është afër 16 përqind dhe në rritje, gati katër herë më e madhe se ekonomia e Japonisë dhe pesë herë më e madhe se e Gjermanisë, sipas Bankës Botërore.
Presidenti Obama dhe Xi Jinping i meritojnë lavdërimet që marrin për marrëveshjen historike në lidhje me ndryshimet klimaterike, gjë që tregon se SHBA dhe Kina po shkojnë drejt një marrëdhënie të re e produktive. Përveç që, edhe ndërsa negocionte këtë marrëveshje, qeveria kineze bënte plane për një politikë të jashtme të ndryshme – një politikë që kërkon të zëvendësojë sistemin ndërkombëtar, të ndërtuar nga Amerika pas vitit 1945, me një sistem të saj. Në Pekin po bëhet një debat aktualisht, por nëse Kina ecën përgjatë kësaj rruge, kjo do të përbënte ndryshimin më të madhe e më të rrezikshëm në politikën ndërkombëtare në 25 vjet.
Ka pasur lajme të shumta që Xi ka stimuluar rritjen e retorikës nacionaliste vitet e fundit, shumica e saj antiamerikane. Kjo është e vërtetë, por kjo retorikë ka qenë gjithmonë e pranishme. Edhe në vitet më paqësore të Hu Jintao-s, u vu re shtimi i botimit të librave si “Ëndërra kineze: fuqia e madhe e mendimit dhe pozicioni strategjik në epokën post amerikane,” i cili i bënte thirrje të hapur Pekinit që të kërkonte primaci globale – duke zëvendësuar SHBA – dhe t’i jepte botës me një lidership më të mençur dhe më mirëbërës.
Ndërsa retorika nacionaliste ka qarkulluar në Kinë prej kohësh, sasia e saj duket se është shtuar me shpejtësi. Një numërim i bërë nga gazeta Christian Science Monitor, tregoi se numri i polemikave anti-perëndimore në gazetën zyrtare People’s Daily ishte trefishuar gjatë 2004, krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Ndoshta fakti më i rëndësishëm, është që Kina ka nisur një fushatë me profil të ulët, por të vazhdueshme duke propozuar alternativa për strukturën ekzistuese të marrëdhënieve ndërkombëtare në Azi e më tej. Në Pekin ka njerëz që duan të kalojnë nga politika antiamerikane te politika post amerikane.
Verën e kaluar, Kina bëri një marrëveshje me Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Afrikën e Jugut (të njohura si vendet Briks) për të krijuar një organizatë financiare, e cila do të sfidonte FMN-në. Në tetor, Pekini hapi Bankën Aziatike për Investime në Infrastrukturë me fond 50 miliardë dollarë, dukshëm si një alternativë për Bankën Botërore. Dhe javën e kaluar, Xi deklaroi se Kina do të harxhonte 40 miliardë për të rigjallëruar rrugën tregtare e njohur dikur si “Rruga e mëndafshit”, për të nxitur zhvillimin në rajon. “Me rritjen e fuqisë së përgjithshme të Kinës,” tha Xi, “ajo do të jetë e aftë dhe e gatshme të ofrojë më shumë të mira publike për Azinë e Paqësorit dhe botën.”
Prodhimi i “të mirave publike nga Kina – zhargon për gjëra për të cilat njerëzit kanë nevojë dhe i gëzojnë pa paguar (si parqe kombëtare ose ajër i pastër) – do të ishte një hap i madh përpara. Por duket se Kina dëshiron t’i financojë të mirat në një mënyrë që zëvendëson sistemin ekzistues ndërkombëtar, dhe jo ta pasurojë atë. Vitet e fundit, Kina ka bërë përpjekje të vendosura të përjashtojë një vend nga planet e saj – SHBA. Ajo kryesoi një samit të Azisë Lindore, një forum që do të ishte jashtë influencës amerikane. (Nuk eci). Në maj, Xi mbajti një fjalim të rëndësishëm për sigurinë aziatike në një konferencë për bashkëpunim dhe rritjen e masave të besueshmërisë në Azi, një grup i panjohur që Kina i kushtoi vëmendje dhe merita kryesore e të cilit dukej se ishte mungesa e pjesëmarrjes amerikane. Në atë fjalim, Xi tha, “punët e Azisë duhet t’i drejtojnë aziatikët… dhe të garantojnë sigurinë e Azisë.” Sigurisht, vetëm një vend është jashtë Azisë që luan rol qendror në garantimin e sigurisë në rajon.
Përshtatja e Kinës në sistemin ekzistues bie ndesh me traditat e saj më të lashta historike. Në librin e tij më të fundit, “World Order” [Rendi botëror], Henry Kissinger shkruan se Kina nuk është ndjerë kurrë rehat me idenë e një sistemi global shtetesh të barabarta: [Historikisht] Kina e ka konsideruar veten, në një farë mënyre, qeveria sovrane e vetme në botë… Diplomacia nuk ishte një proces lëshimesh mes interesave të shumta sovrane, por një radhë ceremonish të ndërtuara me kujdes, në të cilat shteteve të huaja u jepej mundësia të afirmonin vendin e merituar në hierarkinë globale.” Një hierarki në krye të së cilës ishte Kina.
Shenjat shqetësuese nuk janë për shkak se përpjekjet e Pekinit do të realizohen. Ato mund të mos realizohen. Shumë plane të Kinës kanë ngjallur kundërshtime. Por, nëse Kina e përdor fuqinë e saj në rritje për t’i kërkuar vendeve të tjera të zgjedhin mes rendit rregullave ekzistuese dhe rregullave të reja, kjo mund të krijojë kushtet për një Luftë të Ftohtë të re në Azi. E padyshim do të ndihmojë për shkatërrimin e rendit të tanishëm botëror, i cili ka qenë një platformë paqeje dhe prosperiteti në Azi për shtatë dekada.