Frances Ryan
The Guardian
Në Francë mund të jetë i jashtëligjshëm shumë shpejt diskriminimi i të varfërve. Sipas një projektligji – i miratuar tashmë vetëm nga senati, dhe me shumë gjasa do të miratohet dhe nga dhoma e deputetëve – në Francë do të jetë shkelje ligji “të fyesh të varfrit” ose të mos pranosh t’u japësh punë, shërbim shëndetësor ose strehim.
Ligje të tilla që ndalojnë diskriminimin për shkak të origjinës shoqërore dhe ekonomike ekzistojnë tashmë në Belgjikë dhe Bolivi, por versioni francez thuhet se është më ekstrem. Cilido që shpallet fajtor për diskriminim të atyre që vuajnë nga “dobësia si pasojë e një gjendje ekonomike të dukshme ose të njohur” do të dënohet me maksimumi tre vjet burg dhe një gjobë 45 000 euro.
Është e lehtë të gjykosh projektligjin francez si shfaqje të zgjerimit më të keq të shtetit, ose të ankohesh që sa e vështirë do të jetë në praktikë zbatimi i tij. Por shumica jonë janë të kënaqur për dënimin me ligj të diskriminimit me bazë racizmin, fenë, ose seksin. A është qesharake të shtosh dhe varfërinë te kjo listë? Dhe nëse duket qesharake, pse ndodh kështu?
A është diskriminimi i njerëzve të varfër apo mënyra si qeveria reagon ndaj tij, ky nuk është një problem vetëm për vendet e tjera. “Njerëzit mendojnë se për shkak se ne jemi të varfër, jemi patjetër budallenj,” i tha Le Nouvel Observateur Oréane Chapelle, një e papunë 31 vjeçare nga Nanta, në Francën lindore. Adobati, 58, fqinja e saj, që është një nënë e vetme me pesë fëmijë dhe papunë, tha: “Nuk i shoh dot punonjësit e shërbimit social që më thonë se do më mësojnë sesi të mbaj një buxhet javor.” Një studim i raportuar nga The Times
zbuloi se 9 përqind e mjekëve familjarë, 32 përqind e dentistëve dhe 33 përqind okulistëve në Paris nuk pranojnë të mjekojnë personat me përkrahje sociale që nuk kishin siguracion shëndetësor. Doktorët thonë se “nuk kanë qejf t’i pranojnë pacientë të tillë nga frika se mos nuk paguhen.”
A u tingëllojnë të dëgjuara këto? Këto janë qëndrime – madje diskriminime të drejtpërdrejta – që kanë ardhur duke u shtuar në Britani prej kohësh. Mund ta dëgjoni këtë në rrëfime rreth autoriteteve lokale që monitorojnë sa duhan dhe pije pinë njerëzit para se t’u jepet pagesa për strehim. Ose kur
politikanët e shpjegojnë krizën e ushqimit duke thënë se të varfrit vuajnë nga uria se nuk dinë të gatuajnë. Është shumë e zakonshme që pronarët e shtëpive nuk pranojnë t’u japin me qira shtëpitë njerëzve me përkrahje sociale. Britania është vetë e përfshirë në diskriminimin e të varfërve – qoftë punëtorëve me të ardhura të ulëta, atyre me përkrahje sociale, ose shfaqja e mitit që këto janë dy specie të veçanta.
Pabarazia ekonomike nuk mund të jetojë pa paragjykimet kulturore. Retorika mediatike dhe politike që rrethon shkurtimet e reja – vendosja e tavanit për përkrahjen sociale dhe kreditit të taksave për fëmijët – e tregon qartë këtë. Ata që jetojnë me përkrahje sociale “majmen” me ndihma ndërsa taksapaguesi punëtor rraskapitet në punë që t’i paguajë ata.
Është pasqyrimi i suksesit të demonizimit të njerëzve me të ardhura të ulëta ose përkrahje sociale që diskriminimi ndaj këtyre njerëzve mund të shikohet si më pak i dëmshëm se kur u ndodh grupeve të tjera. Por kështu, të besosh se “të varfrit” nuk meritojnë mbrojtje nga paragjykimet ushqen mitin e pëlqyer nga qeveria jonë: varfëria është zgjedhje personale për të cilën individi meriton të ndëshkohet.