Niveli dhe përgjegjësia me të cilat artikulohet, ndërtohet dhe diskutohet mendimi në Shqipëri do të bënin të turpërohej çdo student mesatar. Sindroma e përdorimit të fjalëve pa kuptim, e gjetjes së fjalës dhe pastaj e formulimit të mendimit apo fjalisë në funksion të kësaj, papërgjegjshmëria dhe mediokriteti në përdorimin e metaforave janë shndërruar në modelin e fjalimeve pafund të gjata për revolucionin të Fidel Kastros. Kjo nis nga universitetet dhe nga profesorët e tyre e më pas zbret në korridoret e zyrave dhe studiot e televizioneve. Përkufizimi më i saktë për gjithë këtë është: Fol kot se je në rregull.
Një analist i njohur shkruan në një gazetë të madhe për paligjshmërinë e mbledhjes së Konferencës Gjyqësore dhe duke dashur të shpjegojë se sa e ngatërruar është sjellja e gjyqësorit në Shqipëri, përdor metaforën “nyjë dragoniane”. Analisti këtu ka pasur në mend një metaforë dhe ka dashur ta fusë atë në fjali, me mendimin se kështu shkrimi bëhet më i thekshëm. Në fakt, ka treguar se s’di asgjë. Nuk ka një nyje dragoniane në mitologji, por një nyje gordiane. Drakoni ka qenë një legjislator dhe sundues i njohur për masa të ashpra, ndërsa Gordi ka zgjidhur një nyje të pazgjidhshme duke e prerë atë.
Një profesor i shkencave sociale, ish-ambasador, botoi pak kohë më parë një libër qesharak, krejt të dobët, mbushur me citime pafund dhe emra autorësh të futur kuturu e jashtë kontekstit. Ai thoshte në atë libër se komunizmi në Evropë Lindore dhe sigurisht edhe në Shqipëri ishte në pushtet në mënyrë legjitime. Pas kacavjerrjesh nëpër mediokritet dhe pa kthjelltësinë e një studiuesi ishte thjesht i njëjti përkufizim: Fol kot se je në rregull. Dhe në fakt bash kështu qe. Një profesor tjetër, nga i njëjti universitet, mbushi kolonën editoriale të një gazete të madhe duke e quajtur librin skandaloz si një libër i jashtëzakonshëm, të cilin edhe studiues në Evropë nuk e kanë bërë. Një deputet riosh i Partisë Demokratike mund të jetë shembull brilant se si njeriu flet kot dhe mund të jetë në rregull. Kur po diskutohej ligji për heqjen e makinave për zyrtarët, ky deputet kishte një arsye të hatashme për të votuar ligjin. Ai tha se ky është një ligj që do na bëjë ne të jemi më pranë njerëzve të thjeshtë, të ecim në këmbë në rrugë dhe të shtrëngojmë duart me ta.
Ky lloj diskutimi e ka tejkaluar çdo barsoletë vulgare, ndonëse të gjitha ato janë të tilla. Një gazetar që drejton një emision politik në një televizion të rëndësishëm lajmesh, duke dashur të gjente një konspiracion në kremtimet e 20-vjetorit të Murit të Berlinit, e pyeti të ftuarin, që ishte Kastriot Islami, se pse atje mungonin arkitektët e rënies së Murit, si Regani. Ai nuk e dinte që presidenti Regan ka vdekur, ka disa vite, por për të kjo s’ka rëndësi, rëndësi ka të flasësh, të flasësh edhe kot.
Një akademik, profesor i shkencave sociale, duke dashur të shpjegojë arsyet pse qytetarët në Gërdec iu kthyen aq shpejt jetës dhe nisën të ndërtojnë pas asaj traume që kaluan, tha se ata kërkojnë të mbysin dhembjen dhe t’i rikthehen jetës. Sigurisht që kjo, jo vetëm nuk duhet të thuhet nga nja akademik, por as edhe nga një student mediokër. Fakti që tingëllon si poetike nuk mund ta bëjë argument për një akademik. Shqipëria është e mbushur me kësi gjërash dramatike.
Një historian i vjetër, që në mënyrë socrealiste po e quajmë ikonë, siç edhe i thonë shumë gazetarë, thotë se “Shqipëria është çliruar më 29 nëntor, sepse unë isha dëshmitar”. Më e rëndë se kaq nuk mund të jetë. Historia u shkrua nga historiani, sipas asaj që ai ka parë. Po në rast se do i duhet të shkruajë se si u bë Çezari perandor, ky s’ka qenë dëshmitar aty. Një deputet i PS flet në televizion sikur të ishte në bisedën më të lirë dhe më pa interes të jetës së tij: “vrasje që nuk zbardhen ka shumë, edhe në SHBA, dhe kështu që unë mendoj se disa vrasje këtu janë bërë me dorën e shtetit dhe nuk zbulohen”. Apo një deputet i PD që thotë se PS dhe Rama kanë vjedhur 750 milionë euro. Një tjetër që e shton, se i duket e vogël dhe e bën 1 miliard.
Kjo është një mënyrë e turpshme të foluri. Kjo bëhet nga njerëz që nuk dinë të vlerësojnë asgjë dhe nuk kanë asnjë aftësi veç asaj për të qenë të vegjël dhe mediokër. Duhet detyrimisht fillimisht universitet dhe profesorët të mendohen më gjatë, me aq sa dine, e më pas edhe të tjerët të nisin të heqin dorë nga e folura kot.