Në vitet ’90 një shtetas gjerman merr dënim me vdekje nga gjykata në SHBA. Ai akuzohej për vrasje dhe gjykata e shpalli fajtor, duke i dhënë dënim kapital. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje ambasadën dhe të gjithë diplomacinë gjermane, e cila u mobilizua për të mbrojtur të dënuarin. Ministria e jashtme ngriti një shtab për të ndjekur enkas këtë çështje dhe pas një lufte të madhe ajo ia del të ndryshojë vendimin nga dënim me vdekje, në burg. Kjo është mënyra sesi një vend dinjitoz mbron çdo shtetas të tij në çdo vend të botës, qoftë ky edhe një vrasës, i cili, sidoqoftë meriton të trajtohet me dinjitet.
Në Maqedoni 22 vetë, shumica shqiptarë, mbetën të vrarë në këmbime zjarri tepër të dyshimta dhe jashtë çdo procedure ligjore, ndërsa Shqipëria mjaftohet me një deklaratë të akullt ku i kërkon palëve të ulin armët dhe ku nuk shpreh asnjë reagim ndaj mënyrës sesi u zhvilluan ngjarjet dhe sesi po trajtohen shqiptarët në vendin fqinj. Vërtetë ne nuk jemi Gjermani, por aq më pak, Maqedonia nuk mund të jetë SHBA. Raporti i diferencave të fuqive tona në rrafshin ndërkombëtar është i pakrahasueshëm me atë midis Gjermanisë dhe SHBA-së. Ajo që na mungon për të reaguar si gjermanë nuk është mundësia, por dinjiteti, dhe natyrisht, vullneti për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona kombëtare.
I gjithë opinioni publik shqiptar gjatë këtyre ditëve mbeti pezull, i mbërthyer me sytë nga Kumanova. Rrjetet sociale buçisnin nga indinjata ndaj qeverisë Gruevski ndërsa një frymë e jashtëzakonshme solidariteti me viktimat shpërtheu ngado. Vetëm qeveria nuk e prishi terezinë, duke kaluar gjithçka në heshtje dhe indiferencë, a thua se bëhej fjalë për ndonjë fatkeqësi natyrore në ndonjë kontitent të largët. Edhe Greqia reagoi më fort në mbrojtje të shqiptarëve se Shqipëria. E gjithë kjo dëshmoi, jo vetëm mungesën e shtetit dhe distancën e tij nga shqetësimet reale të vendit, por mbi të gjitha përulësinë tonë politike në rrafshin ndërkombëtar, duke u treguar inferior edhe ndaj një vendi kaq të dobët e pa fuqi sa Maqedonia.
Shqipëria nuk lëvizi as gishtin për të zbatuar detyrimet e saj kombëtare, por edhe kushtetuese, të cilat në nenin 8,1 obligojnë shtetin shqiptar të mbrojë “të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve”.
Çfarë duhet të bënte diplomacia shqiptare?
Shqipëria përfaqësohet sot në Maqedoni, ku popullsia shqiptare përbën 30{27a26d44c9c795719c11a40db985c5750e2ed32f08477077955f29848ab5c8fa} të popullsisë, jo me një ambasador, por me një person të Ngarkuar me Punë. Që këtu, duket se shteti shqiptar nuk e ka seriozisht politikën e jashtme, një luks i paimagjinueshëm ky për një vend që ndodhet në zemër të Ballkanit. Megjithatë, në Kumanovë ndodhi një ofensivë policore me mjete të rënda në një zonë të banuar totalisht me shqiptarë. Bazuar në Konventën e Vjenës – të cilën e ka ratifikuar edhe Maqedonia – në Kumanovë duhej të ndodhej i ngarkuari me punë dhe stafi i tij për të vëzhguar dhe raportuar pikë për pikë operacionin. Kemi një deklaratë nga i Ngarkuari me Punë se nuk kemi informacione. Pra, e thenë shqip: Nuk dimë gjë, – as prezencë në vendgjarje dhe as një lloj informacioni. Lind pyetja për çfarë duhet Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, kur në një rast të tillë me përmasa kaq tragjike, jo që nuk kryen detyrën e saj referuar kushtetutes dhe konventës ndërkombëtare të Vjenës, por madje nuk di asgjë?
Nga ana tjetër, askush nuk e ka çarë kokën në qeveri a në Ministrinë e Jashtme. As një shtab i ngritur enkas për popullsinë shqiptare, as një takim me ambasadorët përkatës, as një notë, madje as një survejim rreth situatës. Megjithëse ata që vriteshin ishin shqiptarë, më aktive në këto ngjarje ishte Serbia, e cila doli me një sërë deklaratash e qendrimesh, sigurisht në funksion të interesave të saj.
E, ndërkohë që njerëzit vriteshin në Kumanovë, Kryeministri përuron një festival folklorik dhe mjaftohet me një minutë heshtje. Gjithçka është spektakolare në cinizmin infantil që ofron ky shtet. Shqipëria ia ka dalë më së miri të ndërtojë një politikë folklorike teksa historikisht ka politizuar edhe folklorin.