Doan Dani
Tradicionalisht memoria kolektive, duke qenë se për natyrë është subjektive, priret t’i ekzaltojë të kaluarës së bashkësisë përkatëse momentet e saj të lavdishme dhe sakrificat kolektive. Thënë ndryshe, statusin e heroit dhe statusin e viktimës, të cilët kanë funksione identitare për komunitetin. Memoria kolektive e shqiptarëve është praktikisht metamorfoza e shkencës së historiografisë, natyrisht si rezultat i vullnetshëm i shkollës historiografike, që riprodhimin e të kaluarës e ka ndërtuar me qasje funksionale në shërbim të krijimit të Vetes dhe Tjetrit. Të gjitha fazat e historisë së shqiptarëve ofrohen me subjektivizmin e memories. Përzgjidhen disa ngjarje, lexohen në mënyrën e përshtatshme, masivizohen dhe stimulojnë sferën emocionale të bashkësisë. Nga njëra anë, epopeja e heroit kombëtar apo çdo qëndresë tjetër e vendosur në një sfond etno-kulturor, para dhe pas kësaj epopeje; nga ana tjetër, pasojat rrënuese, si antagoniste të lavdisë dhe si mjet i volitshëm në kultivimin e urrejtjes për Tjetrin dhe në kërkimin e ngushëllimit për Veten.
Praktikisht ne jemi edukuar për një gjysëm shekulli që ta njohim të shkuarën tonë – rezervuarin e identitetit kolektiv – përmes dualizmit heroizëm/viktimizëm dhe me këtë skemë vijojmë të shpjegojmë Veten dhe Tjetrin, jo vetëm në shekujt e largët, por edhe në dekadat e afërta. Për rrjedhojë qasjet mbeten subjektive dhe izolohen në një nivel emocional. Sigurisht, kështu është më e lehtë të përçohet mesazhi, por duke qenë një mesazh i prodhuar, po aq i brishtë është edhe kufiri i spekulimit. Ky kufi është injoruar tërësisht gjatë viteve të regjimit enverist, pasi ndryshe nuk do të funksiononte aparati i indoktrinimit, nga i cili doli Njeriu i ri. Prej inercisë së atyre dekadave dhe prej trashëgimit të pushtetit nga Njeriu i ri ndodhemi në një tranzicion që heziton t’i bëjë hesapet me të kaluarën, që nuk kultivon reflektimin racional dhe i mban peng emocionet e turmave me dualizmin e cituar.
Ashtu si përpara 1990, gjatë viteve që pasuan, mekanizmat e prodhimit, interpretimit dhe konservimit të memories kolektive u përpoqën përherë të gjejnë heronj e viktima dhe të damkosin periudha historike me këtë njësi matëse. Dekadat e komunizmit iu nënshtruan një gjykimi negativ, si veprimi më i thjeshtë dhe më i lirë në tregun e demagogjisë, kurse dekada e mbretërimit të Zogut pësoi një gjykim të kundërt. Natyrisht, në këtë ceremoni u drejtua gishti mbi persona specifikë: një palë u shpall ‘ish e persekutuar’, pra viktimë, e një tjetër grumbulloi disa shkaktarë. Nëse nga njëra anë njohja iu besua kryesisht rrëfimeve subjektive të viktimave ose statistikave emocionale, nga ana tjetër njohja nuk u ngrit në nivel empirik, për ta tejkaluar të “zezën” e “zonjës Nexhmije” apo “të zezat” bashkëshortit, të renditura me arnime dokumentare nga gazetarë që për zanat, interes dhe mendësi priren drejt sipërfaqësisë dhe ngacmimit të emocioneve kolektive.
Viktimat duhej të merrnin respekt, dëmshpërblim, për aq sa mund të matet vuajtja, dhe drejtësi, pa pretenduar ndëshkime ekuivalente dhe masive. Por ja që u përdorën si poster elektoral, ndërsa turma shqiptare mori statusin kolektiv të viktimës, i cili bart disa probleme. I pari, statusi në fjalë e prezanton individin ose komunitetin vetëm me këtë identitet, që jo rrallëherë përdoret dhe, ndryshe nga drejtësia, efekti i përdorimit të tij zvarritet në kohë: “kini mëshirë”, “më jepni” apo, më keq, “më vendosni në krye”. I dyti është më shumë non-sens: kur të gjithë vishen me rroba të bardha, ç’kuptim ka përcaktimi i ngjyrës? Kujt do t’i shpaloset viktimizmi në një kohë që shumica absolute e kanë vuajtur atë periudhë? Një herë që u përcaktua, si vazhdon filmi? Në rastin më të mirë statusi përfshihet në mekanizmin e demagogjisë. Kujtoni për një çast modelin ‘një minutë heshtje’ të aplikuar, bie fjala, në Parlamentin shqiptar nga ata që çdo ditë akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, korrupsion e krim të organizuar. Kurse në rastin më të keq shërben për hierarki viktimash dhe vlerash, që të legjitimuara në mënyrë subjektive kërkojnë pushtet sipas motos së nënkuptuar: “të përfitojmë si viktima” e jo si qytetarë (apo grupe) të meritueshëm. Kur mendohet në këtë mënyrë nuk është i pamundur edhe revanshi.
Në këtë klimë, ku gërshetohen emocione dhe interesa, normalisht që 16 tetori, 8 nëntori e lloj-lloj ngjarjesh të ngjashme, pa përjashtuar as 29 nëntorin, përkujtohen në dy forma: si momente për t’u celebruar ose për të treguar se ekziston djalli. Pra nga gëzimi dhe dalldia, tek urrejtja ose frika. Mbivendosja e këtyre emocioneve antagoniste nuk lejon aspak njohjen për eksperiencat e shkuara, pikërisht ajo çka vazhdon t’i mungojë ligjërimit shqiptar. Fakti që sot Mehmet Shehu celebrohet si burrë shteti, me një panel historianësh madje, që Ministri i një x dikasteri apo përfaqësues të lartë të shtetit bëhen pjesë e nostalgjive për periudhën e enverizmit, që pikëpamjet historiografike maten përsëri me njësitë ‘armik’, ‘tradhtar’, ‘kolaboracionist’, ‘komunist’ etj, janë shenja të harresës së ngjarjeve të jetuara, të dështimit të metodës që me të kaluarën enveriste përballet me etiketa. Peshë të konsiderueshme ka edhe përfshirja në fushatën demagogjike e mjaft oborrtarëve të rëgjimit, që pas 1990 i zbuluam si disidentë ose idealistët më të flaktë. Një brez i tërë, pas 1990, është rritur me një perceptim të fazës totalitare të historisë shqiptare të ngritur mbi mosnjohjen dhe emocionet e nostalgjisë apo urrejtjes. Nuk mund të mos habitem – për të përdorur një eufemizëm – nga skandalizimi i atij opinioni mediatik që vegjeton duke u bojatisur me blu e na fton kolektivisht për tifozllëk, ndërkohë që e ka monoplizuar ligjërimin publik mbi 29 nëntorin me dualizmin “çlirim nga fashizmi apo robërim nga komunizmi?”. Tamam si në periudhën enveriste, edhe këtu ofrohen vetëm dy variante.