Festën e Republikës e përkujtuam në Paris. Nuk bëhet fjalë për atë ngjarjen me sulmin mbi Bastijë, dyqind e kusur vite më parë, por për përkimin e ditës së vendosjes së regjimit republikan në Shqipëri me pjesmarrjen në manifestimin për viktimat e Parisit nga një delegacion “simpatik” shqiptar. Njerëzit e Parisit, dhe të tjerë të ardhur, u mblodhën në Sheshin e Republikës, vend simbol i fortë identitar, sidomos në ngjarje të tilla, dhe prej andej marshuan për të shprehur solidaritet dhe për të forcuar kohezionin social. Ndërkohë këtej nga ne, kjo datë përkujtimore nuk u përmend fare. Ngjarja tragjike e Parisit përqendroi atje vëmendjen e botës mbarë, dhe sidomos tonën, saqë na shfokusoi nga ngjarjet vendore të ditës, problemet dhe hallet e shumta, dhe sidomos ngjarjet historike.
Duke marrë parasyshë faktin e ringjalljes së simboleve dhe ikonave të komunizmit, mendohej se ngjarja që përkujton përcaktimin e regjimit politik në Shqipëri këtu e gjashtëdhjete e nëntë vite më parë do të zinte një vend të veçantë në kalendarin e memories kolektive. Ngjarja që hodhi themelet institucionale të asaj që ende e konsiderojme “Republika e Shqipërisë” nuk ishte temë e as ndonjë simpoziumi nga ata të lodhshmit që gjejnë strehe në Akademinë e Shkencave. As presidenti, i cili u lodh në kremtime festash të lloj-llojsme, me sfond fetar apo folklorik, nuk pati rastin të organizonte ndonjë darkë gala, me rastin e ditës së republikës. Ndërkaq kryeministri, së bashku me deledacionin që kryesonte, parakaluan në bulevardet e Parisit, pikërisht për Republikën, por për atë frënge, në ditën kur ish sanksionuar ajo shqiptarja.
Sigurisht përkimi është i rastësishëm, edhe këta tanët që u ndodhën në Paris nuk sakrifikuan ndonjë event që u desh programuar më parë për datën tonë. Rëndësi kish reklamimi i asaj që duket si autentike e jona në këtë kohë të trazuar: harmonia ndërfetare, gjë që u përmend edhe nga Papa gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe që u nënvizua si model për popujt mbarë. Por ky parakalimi që u duk si një gjetje origjinale, paska ndodhur kështu i ngjashëm pikërisht në Parisin e viteve tetëdhjetë. Siç na njofton shtypi, klerikët shqiptarë atëherë, si sot, duke përkujtuar heroin kombëtar, emri i të cilit u vendos në një rrugë a një shehsh, paskan parakaluar simbolikisht duke sfiduar “terroristët” antifetarë të Enver Hoxhës.
Ka vite tashmë që 11 Janari, i cili dikur për qytetarët “rrezatonte dritë” nga zemra e dimrit përshfaqur dukshëm në emblemën përkatëse, është një datë e harruar. Duke marrë në konsideratë faktin që njerzit masivisht tek ne konfondojne edhe datat fondamentale historike, njëmbëdhjetë janari do t’i hutonte më tej ata po të sprovoheshin për ta identifikuar në kalendarin shtetëror të memories historike. Asnjë shenjë publike që do t’i sillte në vëmendje çdo qytetari datën e themelimit të republikës nuk gjendet sot tek ne. Edhe shkolla, dikur elitë, që më parë mbante emrin e saj, edhe pas rikthimit të ngjarjeve a emërtimeve simbolike nga koha e diktaturës, nuk u parapa të ndryshonte. Republika si mishërim i pushtetit përfaqsues të qytetarit është zbehur, ekzistenca e saj nuk ka nevojë për përkujtim apo vëmendje, ajo thjesht gjendet dhe funksionon me gjithë arnimet ciklike juridike nga fillesa e saj deri në ditët e sotme.
Shqipëria e Ismail Qemalit u projektua si një republikë, por shpejt, nën trysninë e Fuqive të Mëdha, ia la vendin një projekti fisnik në dukje, por utopik në praktikë, atë të një principate me kurorë gjermane. Projekti në fjalë u braktis nga po këto fuqi dhe kështu asaj i erdhi fundi së bashku me ëndrrën për një qeverisje europiane. Ndërkohë ne parapëlqejmë që kolapsin e këtij projekti t’ia faturojmë rebelimit të milicive të keqpërdorura fshatare.
Me Kongresin e Lushnjes përveç ringritjes së autoritetit të një qeverie kombëtare kundrejt kërcënimit të coptimit të vendit, u risoll sërisht si formë qeverisëse monarkia, por kësaj radhe pa monark. Eksperimenti me një princ të huaj që do të paqtonte ndasitë ndërfetare të shqiptarëve do të zëvendësohej me një këshill regjence me katër përfaqësues të besimeve, ngjashëm më ata të parakalimit të Parisit. Kjo formë qeverisëse erdhi e u majis nga rivaliteti i ashpër politik që kulmoi në revolucionin e famshëm gjashtëmujor të 1924.
Më pas do të shpallej republika e përndritur e Legalitetit, me një president me fuqi të jashtëzakonshme, model i inspiruar nga Bonaparti i fillesave republikane. Nuk ishte e thënë që ky model të zgjaste dhe të testohet në një rajon me mbretër dinastish me origjina europiane. Presidenti i vendit, autoritetin e tij të pakufishëm si dhe mbështetjen italiane e shfrytëzoi si tranpolinë për t’u shdërruar në monark, dhe kështu republikanizmi u arkivua për të qënë një atraksion i rrezikshëm në atmosferën elektrizuese që përcillnin ideologjitë e paraluftës.
Historia dihet tashmë, kurora ndërroi duar dhe iu dërgua si dhuratë Emanuelit III, që kështu i shtoi ofiqeve të tij dhe fronin shqiptar. Statusin e mbretërisë së 1928 e rikthyen gjermanët përmes se ashtuquajturës Asamble Kushtetuese, aq të kontestuar saqë u godit me top dhe nga komunistët. Sërisht u rikthye forma e hershme e përfaqësimit të regjencës me katër anëtarë që i përkisnin sekteve të dy feve kryesore në vend. Komunistët që erdhën pas luftës i dhanë fund formalisht kësaj forme qeverisëse duke mos kursyer nga plumbi dy përfaqësues të regjences. Pas maskaradës me zgjedhjet e dhjetorit të 1945, goglat e zgjedhësve, që i paraprinin fletëve të sotme të votimit, përcaktuan masivisht “triumfues” alternativën e Frontit Nacional, e cila muajin pasardhës sanksionoi Republikën që trashëgojmë sot.
Çdo herë që është këmbyer forma e regjimit në vend, kjo zgjedhje e re është diktuar shpesh nga rrethana politike ose nga ndonjë përmbysje të tillë, që në një farë mënyre, rregullonte ngërçin apo vakumin e përfaqësimit popullor. Komunistët erdhën pas një revolucioni ekstremisht të dhunshëm dhe sanksionuan në Shqipëri një formë qeverisëse që teorikisht ishte më pranë përfaqsimit me delegim të pushtetit. Por praktikisht në vend u instalua diktatura komuniste, e cila dalngadalë identifikohej me pushtetin e një individi; formalisht një republikë gjakësore, totalisht larg përfaqësimit dhe interesave të qytetarit.
Pas rënjes së sistemit njëpartiak në dhjetor të nëntëdhjetës, gjë që praktikisht shënoi nisjen e një republike të dytë, shumë nga arritjet fondamentale të diktaturës praktikisht mbetën të paprekura. Në thelb, edhe sot e kësaj dite, dhe pas eksperimenteve me ekonominë e tregut allashqiprarçe, fryma etatiste e trashëguar nga komunizmi, e përzier me interesat e dyshimta oligarkike të postdiktaturës, është vendimtare në vendimarrjet e rëndësishme që prekin jetët e qytetarëve. Sot qytetari në shumë raste përfaqësohet në vendimarrje nga individë që, në rastin më të mirë, janë larg satandardeve morale apo intelektuale që kërkon pozicioni politik, dhe në disa raste nga të tillë që përfliten si eksponentë të krimit të organizuar. Kumbarët e këtij modeli qeverisës, për të fshehur këtë alkimi të politikës me mediokritetin edhe krimin, e fshehin këtë realitet pas skenografive të ndryshme vezëllitëse, ku më së shumti shkëlqen ajo e harmonisë ndërfetare.
Gjatë ekzistencës së Shtetit Shqiptar, në një mënyrë apo në një tjetër, feja është përfshirë në politikë, edhe në rastin kur u sulmua egërsisht gjatë komunizmit, apo kur u margjinalizua gjatë periudhës së monarkisë. Edhe sot, për të zbutur sadopak karakterin autokratik të pushtetit, nën dirigjimin e tij, përfaqsuesit e katër komuniteteve fetare kanë zënë vend dukshëm në ceremonialet shteterore, apo edhe në veprimtari të ngjashmë si ajo e Parisit. Karakterin dekorativ të parakalimit në Paris, gjithnjë si një amortizim ndihmës ndaj zbehjes republikane të pushtetit, do ta rikujtojme gjithnjë ngjashëm me ceremonialet kur pritej me nderime Perandori Viktor Emanuel III, apo si ajo e klerikëve me rrobën tradicionale ndodhur në rreshtat e parë të Kongresit të Përmetit, atëherë kur sanksionohej diktatura e proletariatit.