Egon Loli
Jo rrallë, ndodh që, kur përpiqesh të kundërshtosh hemorragjinë e fjalëve të huaja në rrjedhën e të folurit të përditshëm, bie në kundërshtmin e njerëzve që te rrethojnë. Kjo ngjet në mjedise të ndryshme, kryesisht në ato gjysmë-akademike dhe akademike. Që t’i qëndrojmë besnikë një parashtrimi korrekt të çështjes, fenomeni, as nuk duhet thjeshtëzuar në struktura skematike gjuhësore, por as edhe nuk duhet fryrë në trajta tragjike (mund të përdor termin patriotike në kuptimin popullor të fjalës). E them këtë sepse, ndërkohë që duhet të kishim bërë një kërkim paraprak statistikor ne terren mbi sasinë e përdorimit të fjalëve të huaja nga shtresa të ndryshme shoqërore në mënyrë që të hiqnim çdo pasiguri te vetja mbi komentin e fenomenit, bëjmë saktësisht të kundërtën. Po bëjmë komentin e dukurisë, a priori. Po manifestojmë njëfarë racionalizmi, si të thuash. E megjithatë, me siguri të madhe duhet të pranojmë se e kemi kapur demin nga brirët, sepse si shton një autor i famshëm: “opinioni është më shumë se kurrë natyral dhe i pafabrikuar, sa është në gjendjen e zhurmës”. Megjithëse duhet kuptuar se ndjeshmëria ndaj çështjes së futjes së teminologjisë së huaj atje ku “nuk duhet apo nuk ka nevojë” i ka kapërcyer kufijtë e thjeshtë të perceptimit dhe rreket të sendërtojë veten në një teori.
Në fakt, problemi nuk është çështje gjuhësore në kuptimin teknik të fjalës. Gjuhësia është mjeti i fundit për nga rëndësia, në trajtimin e hyrjes së fjalëve të huaja në shqip. E pranojmë që është e çuditshme ta ndërtosh argumentin kështun(në pamje të parë në kundërshtim me veten), por nuk ka rrugë tjetër. Këtë e bëjmë, me qëllim që t’i “presim hovin” një justifikimi të bukur: “Na mungojnë fjalët shqip për shumë koncepte”. Argument i gënjeshtërt? Jo, aspak. Argument i vërtetë, por brenda një kufiri të caktuar. Më mirë të thonim: evaziv.
Por si mund t’i shpëtojmë teknikisht çështjes që të gjithë e vërejnë anekënd, sot e gjithë ditën: fejsbukëzimit mendor dhe gjuhësor të shoqërisë? Si mund të shpjegohet teknikisht e gjuhësisht, fejsbukëzimi i emocioneve? Si ka mundësi që terma, të cilët kanë domosdoshmëri zero në nevojat tona, kanë luksin ta gjejnë veten mes fjalive te nxjerra nga goja e shumë të rinjve e profesionistëve kudo: në shtëpi, në kafe, në klasa, në katedra. E madje, rrjedhja e tyre, po pushton konstrukte të tëra të të menduarit në shqip, duke i shndërruar gati-gati tërësisht. Nëse përpunimi i gjuhës parashikon përpunimin e mëtejshëm të kulturës sipas tautologjisë antropoligjike “gjuhë<=>kulturë”, pse sot, gjuha e përdorur rëndom plot huazime na ka nxjerrë nga kutia e varfërisë leksikore, për të na futur ne kutinë e varfërisë kuptimore? Si shpjegohen te gjitha këto?
Eshtë çështje globalizimi, do të thonin. Madje, do të shtonin se kjo lloj kulture është e mirë, lehtësuese dhe do të të kritikonin duke thënë se është arkaike dhe nuk të shpie askund përpjekja për t’iu kundërvënë globalizmit me atdhedashuri të dalë boje. Pasuria leksikore mbi gjithçka.
Po a është vërtetë pasurim gjuhësor?
Me “facebook” nuk kam parasysh vetem atë si medium shoqëror virtual, por të gjithë mënyrën globaliste perëndimore të të menduarit dhe të vepruarit si një mesatare e përgjithshme që përcaktohet ngahera me termin: KULTURË. E mbi të gjitha, kam parasysh, thelbin e kesaj kulture të re, paradigmën e saj: fejsbukizmin. Duke pretenduar si pak dekada me parë Makdonaldizmi, të racionalizojë shoqërinë, në fakt, kjo formë e re po sjell mirë e bukur mes nesh iracionalitetin e racionalitetit.
Për të mos u sjellë shumë nëpër ujërat e teorive mbi globalizmin, le ta kthejmë vëmendjen edhe njëherë nga shtegu “i ngushtë” i gjuhës dhe problemit që kemi shtruar.
Çështje atdhedashurie? Edhe kjo bie lehtësisht poshtë, mjaft të përpiqesh të përkufizosh brenda teje konceptet e atdheut dhe të atdhetarizmit. Paraprakisht po them se, në vorbullën e iracionalitetit racional që vjen si pasojë zhvillimeve hapsinore e ekonomike, do ta kemi tmerrësisht të vështirë të gjemë përcaktimet e qarta, të pastra e të sakta të kuptimeve natyrore (se në fakt patriotët kështu i duan) atdhe dhe atdhetar. Për të mos thënë pastaj se fejsbukizmi po e bën këtë gjë përditë e më të pamundur. E duke mos pasur ide te qartë mbi atdheun, edhe argumenti atdhetar për mospërdorimin e fjalëve të huaja, humbet terren.
Në thelb, është ndërtim mendor. Ashtu si vetë gjuha.
Po perpiqemi ta ilustrojmë me një shembull. Shpesh dëgjojmë shprehje të tilla si: “Sot kaluam funny fare me shoqërinë në Himarë. Shkuma party dhe check in-e plot sa të duash”.
Fjala angleze “funny”, mund të zëvendësohej fare mirë me fjalën shqipe “gëzueshëm” ose “hareshëm”. Por edhe nëse e zëvendësojmë, kjo do të ndodhë vetëm teknikisht. Pse? Fjala “gëzueshëm” përmban në vetvete një spektër më të gjerë kuptimesh dhe larmi më të madhe emocionale sesa fjala “funny” (kujdes, për një shqiptar). Por pikërisht, kjo gjë nuk “i intereson”, në mënyrë të pavetëdijëshme, përdoruesit të fjalës “funny”. “Funny” është një lloj gëzimi i fiksuar, skematik, shumë i përcaktuar, ashtu siç merret i importuar nga fabrikat nga ai profil i kulturës që na shërbehet në media. Ti kalon funny vetëm nëse bën ato gjëra që bëjnë ata në televizor.
Ky fenomen mund të mos jetë i kuptueshëm në mënyrë të vetëdijshme, por mendësia e re, ndërtohet ngadalë dhe kamuflueshëm. “You’re having fun” vetëm kur shkon me makinën e shoqërisë në Himarë, por jo kur shkon të vizitosh gjyshen le të themi, e të bësh një bisedë të këndshme me të. Pavarësisht se, gëzueshëm, mund të ndihesh njësoj, në të dyja rastet. Dhe ajo që ndodh, është që, dalë-ngadalë, përdorimi i shpeshtë, banal e fare pa vend i fjalës “fun”, thjeshtëzon kuptimin e haresë apo gëzimit, e varfëron dhe i jep atij profil “njëdimensional”. E gjitha kjo në funksion të një ideje. Nuk po i drejtoj gishtin globalizmit për këtë ide, pavarësisht se ajo është me pëmbajtje të tillë.
Si kjo fjalë e sipërpërmendur, hyjnë me qindra të tjera, funksionale ndaj idesh fikse, të cilat vazhdimish e vazhdimisht e zbrazin njeriun nga aftësia mendore alternative apo edhe kundërshtuese. Ato e mbarsin me struktura të thata, apo ashtu si do shprehej Weberi: racional-qëllimore.
George Orwell i ka kushtuar një vepër të tërë totalitarizmit dhe një mjedisi të tillë. Të gjithë që e kanë lexuar, me siguri e mbajnë mend tmerrin e një shoqërie ku njerëzit e kishin të pamundur të mendonin ndryshe Partisë, jo se i mbante frika e dhunës policore, por sepse gjuha që flisnin ishte përpunuar nga Partia në mënyrë të tillë që ishin zhdukur prej saj të gjitha format e të shprehurit të diçkaje të kundërt apo të ndryshme nga konceptet e Partisë. E gjuha formon mendimin. Në të kundërt e gjymton atë. Totalitarizmi, ashtu si unë e kuptoj, nuk është flamuj e parada të frikshme ushtarake. Totalitarizmi është mungesa e pluralizmit të gjykimit. Që stacion të parë, ka varfërimin e qëllimshëm të gjuhës së folur nga nuancat e të shprehurit.
Totalitarizmi i çdo lloji (dhe këtu nuk po flas vetëm për format klasike të tij si totalitarizëm politik) sigurisht nuk ekziston sepse ai është i nevojshëm për ne. Por sigurisht që totalitarizmi mund të shfaqet si i nevojshëm për çdokënd nën petkun e intelektualizmit apo paradigmës globaliste. Nëse epoka e iluminizmit, me gëzim dhe shpresë, solli në botë racionalizmin si pishtarin e së vërtetës, ngelet shumë, shumë për të debatuar nëse fenomeni i fejsbukëzimit dhe totalitarizmit gjuhësor është një dështim i racionalizmit, apo një zhvillim që ne ende nuk kemi kapacitetin për ta kuptuar. Por me sa duket, të paktën deri në këtë çast, ai i shërben veçse shpërbërjes mendore dhe gjuhësore.