Jacob Heilbrunn
Reuters
Kur rreth një duzinë liderësh dhe afërsisht 1.5 milonë njerëz u mblodhën në Paris, të dielën, në respekt të 10 redaktorëve dhe katuristëve të gazetës satirike Charlie Hedbo dhe shtatë personave të tjerë të vrarë nga tre radikalë islamikë të lindur në Francë, ata dëshironin të tregonin se Europa gjithmonë do të përqafojë vlerat e liberale dhe tolerante. Por një ngjarje më domethënëse mund të rezultojë të jetë kundërtakimi i zhvilluar në bashkinë e Beaucaire, Francë, i cili drejtohej nga Marine Le Pen, liderja e të djathtës ekstreme, Frontit Nacional. Turma e mbylli takimin me himnin francez dhe thirrjen, “Kjo është shtëpia jonë.”
Le Pen është në ballë të rishfaqjes së nacionalizmit në Europë – që dëshiron të përzejë nga vendet e tyre personat që shihen si myslimanë subversivë. Ajo dhe nacionalistë të tjerë ekstremistë po përfitojnë nga disa shqetësime legjitime rreth militantizmit islamik – 10000 ushtarët janë vendosur në Francë si masë sigurie – me qëllim që të etiketojë të gjithë myslimanët si armiq të traditës kulutrore europiane dhe vlerave fetare. Vetë Le Pen e ka krahasuar praninë e tyre me pushtimin e Francës nga nazistët.
Le Pen përkrah një program autoritarist që bën thirrje për një moratorium ndaj emigrantëve, rikthimin e dënimit me vdekje dhe një politikë të përkrahjes sociale me moton “francezët të parët”.
Kaq shumë kohë pas Luftës së Dytë Botërore, fashizmi është një fantazmë që endet akoma mbi Europë. Por nëse qëndrimet e Le Pen-it – dhe të liderëve të tjerë nacionalistë në Europë – plotësojnë kushtet të quhen fashiste kjo është e diskutueshme. Kufiri mes populizmit që ata përkrahin dhe fashizmit të drejtpërdrejtë të viteve 1920 dhe 1930, kur Hitleri dhe Musolini përkrahën doktrina të superioritetit racial, është e rrëshqitshëm. Studiuesit vazhdojnë të debatojnë faktin nëse Musolini ishte fashist – apo ishte thjesht një nacionalist oportunist. Qëllimi i vërtetë i autoritaristëve të sotëm në pritje – politikanë të joshur nga dëshira e njerëzve për një dorë të hekurt – është të paraqesin veten si liderë legjitimë, që thonë atë që publiku e mendon, por ka frikë ta thotë. Dhe këta liderë të ekstremit të djathtë janë vërtetë të pëlqyer gjithnjë e më shumë.
Karta që ata luajnë është populizmi i prezantuar si nacionalizëm i pikëlluar. Ata i protretizojnë europianët si viktima të emigrantëve myslimanë agresivë. Le Pen, Nigel Farage i Britanisë, kryetari i Partisë së Pavarsisë dhe të tjerë synojnë të shfaqen si të arsyeshëm dhe shoqërisht të pranueshëm, i bien borisë kundër emigrantëve si parazitë shoqërorë që ose vjedhin vendet e punës nga europianët “e vërtetë” ose jetojnë me përkrahje sociale.
Ndryshe nga vitet 1930, Le Pen dhe patriotët e saj nuk mbajnë fjalime të zjarrta që bëjnë thirrje me zhdukjen e racave të tjera. Le Pen e shmang gjuhën demagogjike që përdorte babai i saj Jean-Marie Le Pen, një ish-oficer i shërbimeve sekrete në luftën vicioze të Francës në Algjeri, që e quante holokasutin thjesht një “detaj”. Le Pen tashmë përpiqet të joshë disa votues hebrej të frikësuar nga terrorizmi. Në thelb ajo ofron një formë autoritarizmi që i etiketon emigrantët myslimanë si armikun e brendshëm të ri. Argumenti i ri nacionalist është që shtetet individuale të Europës duhen të mbrojnë vlerat tradicionale, duke e hedhur poshtë qëndrimin liberal për një Europë të vetme, të bashkuar, me kufij të hapur. Kjo e ka shpërblyer partinë e Le Pen-it, e cila doli fituese në zgjedhjet për BE të majit në Francë, duke marrë 25 për qind të votave. Kjo shifër parashikohet vetëm të rritet.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nacionalizmi pësoi rënie në Europë. Deri kohët e fundit, partitë nacionaliste kosndieroheshin si të zhurmshme, por fenomen periferik. Mendimi që ato mund të fitonin respekt publik – le më pushtet të gjerë – dukej marrëzi. Por kjo nuk ndodh më.
Në Francë, Gjermani, Greqi, Suedi, Hollandë dhe Britani, liderët nacionalistë po përpiqen të përfitojnë nga ngjarjet tragjike në Francë për të argumentuar që ata kanë pasur të drejtë gjatë gjithë kohës. Ata pretendojnë që kufijtë e hapur dhe toleranca liberale të mbështetura nga BE po lejon virusin xhihadist të infektojë vendet e tyre.
Le Pen këmbënguli një ditë pas sulmit në Paris se Islami është një “ideologji e neveritshme.” Në fjalimin e 9 janarit, ajo tha: “Përzënia absolute e fondamentalizmit islamik duhet të shpallet qartë dhe fort” dhe i bëri thirrje presidentit Francois Hollande të pezullojë marrëveshjen Shengen, që lejon lëvizjen pa viza në Europë.
Ndërkohë, Alexander Gauland, një nga liderët kryesorë të partisë gjermane libertariane, Alternativa, thotë se “të gjithë ata që deri tani kanë qeshur me njerëzit që kanë folur për rrezikun nga kërcënimi islamik po ndëshkohen nga kjo gjakdredhje.” Ndërsa Frage, Partia e Pavarsisë në Britani, që dëshiron daljen nga BE, thotë se në Francë ekziston një “kollonë e pestë” xhihadizmi, e cila është rrjedhojë e politkave multikulturore. Në zgjedhjet për BE në maj, partia e tij i kaloi konservatorët dhe laburistët, duke fituar 28 për qind të votave, një rritje e madhe nga 16.5 për qind në 2009. Njëzet vjet më parë ajo mori vetëm një për qind.
Gjallërimi i këtyre partive është rezulatat i drejtpërdrejtë i dështimit të elitave politike mainstream (të shumicës). E ndjekur nga kujtimi i inflacionit të lartë që ndihmoi në shkatërrimin e republikës demokratike të Vajmarit pas Luftës së Parë Botërore – që çoi në ngritjen e Hitlerit – Berlini ka kërkuar shkurtime buxhetore dhe i kundërshtoi programet stimuluese që mund të ndihmojnë në ringtijen e ekonomive të dobëta të Europës jugore. Ky është perversitet. Kjo ka bërë që eurozona të ngecë në papunësi dhe deflacion – duke ndihmuar në krijimin e kushteve të ngjashme me vitet 1930, kur mizerja ekonomike nxiti radikalizimin e klasës së mesme dhe asaj punëtore.
Sot, një brez i ri liderësh të djathtë e përdor krizën ekonomike të Europës për të fajësuar si shkaktar të vërtetë zënien e vendeve të punës së vendasve nga emigrantët myslimanë. Sentimenti poshtë kësaj – demonizimi i një grupi “të jashtëm” – të kujton valën e antisemitizmit që çoi në triumfin e partive fashiste në vitet 1930.
Kredoja e partive nacionaliste sot është që Europa, djepi i civilizimit perëndimor, është e kërcënuar direkt nga ardhja e myslimanëve që të rikujton pushtimin e Europës nga myslimanët në shekullin e tetë dhe që u frenua nga Charles Martel në betejën e Poitiers më 732, ky është një mesazh që josh dhe të tjerë – disa prej tyre çifutë, të cilët ndihen të kërcënuar nga myslimanët.
Skepticizmi për bashkimin e evropianëve dhe emigrantët ka rezultuar një lëvizje e fuqishme politike dhe në Gjermani. Partia kundër euros Alternativa për Gjermaninë ka hyrë në parlamentet e lokale në Turingia, Saksoni dhe Branderburg vitin e fundit dhe figurat udhëheqëse të tyre po e kthejnë në kauzë të pranueshme çështjen kundër emigrantëve. Në Drezden, për shembull, zhvillohen manifestime të përjavshme kundër emigrantëve nën moton “Patriotët europianë kundër islamizimit të Oksidentit” – PEGIDA. Në tetor numri i pjesëmarrësve ishte afërsisht 500 vetë. Të hënën marshuan të paktën 25 mijë – pavarësisht kundërshtimit të tyre nga partitë e mëdha politike, përfshi Merkelin.
Në Hollandë, lideri populist Geert Wilder i Partisë së Lirisë kryeson në sondazhe. Në Greqi, partia neonaziste Agimi i Artë hyri në parlament në 2012 me sloganin, “Ne mund ta pastrojmë këtë vend nga ndyrësirat”. Në Suedi, Partia Demokratike Suedeze, me qëndrim kundër emigrantëve, fitoi 13 për qind të votave më 2014.
Megjithëse partitë e djathta kanë një histori sherresh me njëra-tjetrën, ato kanë filluar të bashkëpunojnë në parlamentin evropian. Nëse Le Pen-i do të fitonte presidencën franceze në 2017, ky do të ishte fundi i Bashkimit Europian dhe ndoshta kthimi i kontinentit në një bashkësi shtetesh kombëtare konfliktuale.
Bashkëpunimi franko-gjerman, i cili ka qenë në zemër të BE dhe thelbësor që në fillimet e tij, do të marrë fund. BE ka funksionuar si një mënyrë që Gjermania të heqë dorë nga nacionalizmi që çoi në dy luftëra botërore dhe të krijonte një identitet paqësor si pjesë e Europës demokratike. Nëse Le Pen fiton në 2017 shumë vetë do ta shikonin atë si fundin e atij vizioni. Hija e gjatë e lënë nga e shkuara naziste do ta bënte të vështirë për kancelaren gjermane të bashkëpunonte me një lidere autoritariste si Le Pen në zemër të Europës. Sigurisht, institucionet demokratike të Europës janë shumë më të forta seç ishin në vitet 1930. Por kjo nuk është arsye për vetëkënaqësi.
Një lidership evropian i gjallëruar që mund të trajtonte çështjen e emigrimit dhe të ekonomisë është thelbësor – përndryshe ëndrra Bashkimit të Europës do të shpërbëhet, për t’u zëvendësuar me shtete kombëtare luftarake, të drejtuar nga liderë nacionalistë. Merkelit dhe liderëve të tjerë të kontinentit, për shembull, do t’u duhet ta lënë Britaninë të heqë dorë nga lëvizja e lirë brenda kufijve të BE.
Kryeministri britanik David Cameron synon të forcojë kufijtë e vendit të tij ishullor. Ai do që t’i shtrëngojë të drejtat e emigrantëve të BE, duke i ndaluar pretendimet për përkrahje sociale dhe strehim publik për katër vjet dhe t’i përzërë ata që nuk zënë punë brenda gjashtë muajve. Përndryshe, ai do të humbasë karshi Partisë së Pavarsisë, me mundësinë që votuesi britanik të pranojë një referendum për daljen nga BE.
Demonët që udhëheqësit evropianë u munduan të shtypin në 1945 janë rikthyer. Nuk do të jetë e lehtë përzënia e tyre.