Në politikë të jashtme njerëzit që i dorëzohen “realizmit” janë ata që u shmangen veprimeve të motivuara ideologjikisht dhe e mendojnë veten si pragmatist kokëfortë pa iluzione për natyrën e pushtetit. Por nëse Donald Trump bëhet president, mund të na duhet një term i ri për teorinë e motivimit pas politikës së tij të jashtme. Mund të na duhet ta quajmë “fantazizëm”, sepse ajo ekziston në një botë fantastike të imagjinuar nga Trump-i, ku faktet janë gjëra pa rëndësi për të cilët s’duhet të shqetësohemi.
Të mërkurën, Trump-i mbajti një fjalim për politikën e jashtme, i cili ishte shkruar më përpara (megjithëse ai iu shmang tekstit aty-këtu). Mendja të shkonte që, meqenëse ai duhet të kishte përfshirë dhe mendime të njerëzve të tjerë, fjalimi do të ishte më pranë realitetit sesa mendimet e zakonshme të Trump-it. Por nuk ndodhi kështu.
Një muaj më parë, Trump-i i tha gazetës The New York Times se politika e tij e jashtme mund të përmblidhej si “Amerika mbi gjithçka”, ndoshta i pavetëdijshëm për historinë e kësaj fraze si slogan i izolacionistëve antisemitë para hyrjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Por në vend që ta braktisë atë, Trump-i vazhdon të shpallë “Amerika mbi gjithçka” si filozofi e politikës së jashtme të tij, dhe kjo ishte tema qendrore e fjalimit të tij.
Në fjalim, ai parashtroi një tufë idesh, ca të çuditshme, ca banale dhe ca çështje të zakonshme republikane, të gjitha të shoqëruara me një retorikë ngacmuese si në një debat historie në tetëvjeçare. Trump-i do të ketë nevojë për trupa të luftojë, ai tha: “Vetëm nëse kemi një plan për fitore me F të madhe.” Ai s’mund të pranojë fitore me shkronja të vogla!
Por siç mund ta dini nëse keni dëgjuar Trump-in, Amerika e sotme është një vend ku nuk arrihet asnjë fitore, të paktën jashtë kufijve të Kullës Trump [qendër biznesi e tij]. E gjithë bota qesh me ne, dhe forcat tona të armatosura janë një skuadër e vogël që s’ia ka frikën kush – sigurisht që nuk është ushtria më e madhe në botë. Dhe presidenti Obama e ka “dobësuar ushtrinë tonë duke dobësuar ekonominë.”
Trump-i mund të mos e dijë, por ekonomia amerikane po ecën goxha më mirë sot sesa ecte kur Barack Obama mori detyrën në mes të Recesionit të Madh.
Papunësia është 5 për qind, inflacioni thuajse nuk ekziston, dhe që pas mbarimit të recesionit janë krijuar rreth dy milionë vende pune në vit, që është diçka vërtetë e mirë. Kjo s’do të thotë se nuk ka probleme ekonomike afatgjata që duan zgjidhje, por ideja që Obama ka “dobësuar” ekonominë është faktikisht absurde. Po, edhe nëse nuk jemi duke shpenzuar për ushtrinë aq sa harxhonim në Luftën e Irakut, shpenzimet tona janë gjigante krahasuar me çdo shtet në botë. Vlen të kujtohet, asnjë vend nuk e ka pushtuar Amerikën gjatë kohës që Obama ka qenë në detyrë.
Por sapo Trump-i të futet në Shtëpinë e Bardhë do të kthehet siguria, premtoi ai. “Ditët e tyre janë të numëruara,” tha ai për ISIS. “Nuk do t’u them ku dhe nuk do t’u them si.” Kështu që bëhuni gati, ISIS, sepse ju mund të mendoni që kur Trump-i të niset kundër jush do të vijë në zona që ju kontrolloni në Siri dhe Irak. S’e keni këtë fat – ai mund t’iu mundë në Caracas, Clgary ose Changzhou, dhe pikërisht në kohën që ju nuk e prisni, buuum! “ISIS do të zhduket, nëse unë zgjidhem president. Dhe do të zhduket shpejt. Do të zhduket shumë, shumë shpejt.” U tha, u bë.
Kjo ishte në përputhje me diçka tjetër tha Trump-i: “Duhet të jemi të paparashikueshëm duke filluar tani.” Nëse e njihni historinë, kjo mund t’iu kujtojë “teorinë e njeriut të çmendur” e Richard Nixon-it, me të cilën ai donte t’i bindte vietnamezët e veriut se ai ishte aq i çmendur sa mund të lëshonte bombën atomike mbi ta në çdo moment, dhe kështu ata do të pranonin të dorëzoheshin. Mund ta kujtoni si u mbyll kjo mesele. Por Trump-i mendon se mobilizimi i ushtrisë së SHBA është diçka e ngjashme lojën symbyllazi. “Ne jemi krejtësisht të parashikueshëm. Ne tregojmë gjithçka. Ne dërgojmë trupa. U themi atyre. U dërgojmë diçka tjetër. Bëjmë një konferencë për shtyp. Duhet të jemi të paparashikueshëm.”
Guxoj të them se ca liderë të huaj janë të bindur tashmë që Trump-i është goxha i paparashikueshëm që tani dhe ai mund të jetë i çmendur safi, ose, të paktën, gjysmë budalla. Por jini të sigurt, ai ka nën kontroll çdo problem. “Në kohën e një borxhi në rritje, tashmë kemi aq shumë borxh sa askush nuk di si ta zgjidhë problemin. Unë po”, – tha ai. Ai nuk na i thotë cila është zgjidhja e tij, por kjo është temë e zakonshme për Trump-in: Unë jam i vetmi që di ta bëj këtë, veç më jepni çelësin dhe është në dorë të sigurt. Mos më pyesni si, veç shkoni në kinema a diku dhe kur të ktheheni problemi është zgjidhur.
Sigurisht, kjo është premisa kryesore e gjithë fushatës së Trump-it dhe, për ca njerëz të paktën, është joshëse. Ne kemi nevojë veç të zgjedhim një lider të fortë, me anë të fuqisë së vullnetit të tij ne mund të zgjidhim gjithë problemet tona dhe ta kthejmë vendin në parajsë.
Urime për Partinë Republikane, ku politika e jashtme serioze dhe e kthjellët pati qenë në duar të sigurta për një kohë shumë të gjatë. Ky është njeriu që keni zgjedhur t’u prijë drejt të ardhmes.