Kur një vend i BE zgjedh një qeveri me politika nacionaliste ose euroskeptike, Parlamenti Europian bën thirrje për hetim të menjëhershëm të “gjendjes” në atë vend. Kur Viktor Orban u bë kryeministër i Hungarisë më 2010, për shembull, PE mbajti një debat të quajtur “gjendja në Hungari”. Partia e Orban njihet për konservatorizmin e saj dhe respektin për sovranitet kombëtar. Kur Orban u zgjodh në mënyrë demokratike me dy të tretat e shumicës në parlamentin hungarez, ai u zgjodh me një mandat për të reformuar institucionet e shtetit, të cilat ishin korruptuar nën sundimin komunist dhe kishin ngecur në vend që atëherë. Kur ai nisi të bënte sa më sipër, PE e akuzoi se aspironte të bëhej diktator duke zëvendësuar armiqtë në gjyqësor me miq. Pastaj nxori një rezolutë ku e dënoi Hungarinë se kishte lejuar “rrënimin sistematik të sundimit të ligjit.”
Hungaria e kërkoi vetë këtë. Politikat e saj nacionaliste konsideroheshin kërcënim për integrimin euopian – dhe me të drejtë. Në përgjigje të propozimit të BE për të vendosur “kuota” për ndarjen e emigrantëve mes vendeve anëtare të BE, Orban tha: “Problemi [i Hungarisë] është se [oborret europiane] e shikojnë botën ndryshe. Ata i përkasin asaj pjese të Europës që përfaqëson jetën e trashëguar nga shtetet-kombe ndërsa ne jemi poshtë tyre, sepse ne jetojmë jetën shteteve kombe.”
Orban ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve, të cilët hynin në mënyrë të paligjshme në Hungari. Ai u akuzua për nxitje të krimit të urrejtjes që kishte thënë se donte të mbante “Hungarinë për hungarezët” dhe “Europën për evropianët”. Pashmangshmërisht, diskutimet për gjendjen në Hungari u hapën dhe rezoluta për gjendjen në Hungari u freskua. “Gjendja në Hungari”, thotë rezoluta, ka ndryshuar për keq: “Ndërsa iniciativat më të fundit dhe ndërhyrja e qeverisë hungareze, veçanërisht në 12 muajt e fundit, kanë çuar në një rrënim serioz dhe sistematik të sundimit të ligjit në lidhje me lirinë e medieve dhe pluralizmin, luftën kundër mungesës së tolerancës dhe diskriminimit, të drejtat e emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve, lirinë e mbledhjes dhe shoqërimit, lirinë e arsimit dhe kërkimit akademik, trajtimin e barabartë të fesë dhe besimit, kufizim dhe pengesa për veprimtarinë e organizatave të shoqërisë civile, të drejtat e njerëzve që u përkasin minoriteteve, përfshi romët dhe homoseksualët, pavarësia e gjyqësorit dhe shumë dyshime shqetësuese për korrupsion dhe konflikte interesi që minojnë sundimin e ligjit.”
Kontrollet e forta të Hungarisë në kufi dhe refuzimi i saj për të marrë pjesë në propozimet e BE për azil e bënë parlamentin evropian të “inicionte një proces monitorimi të hollësishëm në lidhje me gjendjen e demokracisë… në Hungari.”
Tani Europa ka një “gjendje” të re: Poloninë. PE ka bërë thirrje për një debat ku të diskutojë “Gjendjen në Poloni”. Ata janë të zemëruar sepse partia e re e sapo zgjedhur Partia për Ligj dhe Drejtësi (PIS) ka bllokuar emërimin e pesë gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese, një institucion i fuqishëm që gjykon kushtetutshmërinë e ligjeve. Akuza kundër qeverisë së re, njëlloj si kundër Orban, është se ata po pushojnë në mënyrë të paligjshme gjyqtarët dhe po i zëvendësojnë me njerëzit e tyre. Por akuzat janë të pabaza: rikonstruktimi i Gjykatës Kushtetuese duhej bërë si rezultat i korrupsionit të bërë para se PIS të merrte pushtetin.
Në qershor 2015, Platforma Qytetare (PO) e qendrës së djathtë, duke e ditur që do t’i humbisnin zgjedhjet në tetor, donte të garantonte ndikimin e saj para se qeveria e re të merrte pushtetin duke siguruar një shumicë të saj në Gjykatën Kushtetuese. Gjykatësit, kryesisht të emëruar të PO, gatuan një ligj të ri që deklaron se gjykatësit, të cilëve u mbaron afati pas zgjedhjeve të reja duhet të zëvendësohen para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, gjykatësit mund të zgjidheshin nga PO. Shenja e parë e korrupsionit ishte se Gjykatës Kushtetuese nuk i lejohet të iniciojë ligje, dhe ajo bëri pikërisht këtë. Për pasojë, tani ajo vepron si gjykatëse në gjyq ku kundërshtohet kushtetutshmëria e një ligji që ajo e krijoi vetë. Propozimi u bë nga ish-presidenti Bronislaw Komorowski aq shpejt sa nuk e pa njeri.
Nuk e kanë parë, sepse s’ka asnjë mundësi që mund të binin dakord. Pasi ligji u kalua, përbërja e Gjykatës Kushtetuese do të dukej kështu: nga 15 gjyqtarë, 13 do të ishin të PO, 1 SLD (socialdemokratët), 1 PSL (Partia Popullore Polake) dhe 0 PIS. Kjo do të thotë që asnjë ligj i miratuar nga partia qeverisëse PIS nuk do të shihte kurrë dritën e diellit. Për përpjekjen të depolitizojë gjyqësorin, ose të paktën ta balanconte, PIS është akuzuar se po shfrytëzojnë presidentin për të ristrukturuar institucionet shtetërore për të rritur pushtetin e qeverisë. The Economist shkruan se ata “shkelën kushtetutën për të zëvendësuar të emëruarit e qeverisë së mëparshme në gjykatën kushtetuese”. Fakti është se, dhe tani e dimë, kushtetuta u shkel pa u zgjedhur ende PIS.
Ndërkohë, PE hoqi dorë nga diskutimi i situatës në Poloni sepse e di që nuk ka argumente. Është e qartë se “gjendja në Poloni” i referohet diçkaje krejt tjetër, faktit që PIS është ende në pushtet, dhe po tregon që është euroskeptike. Media ndërkombëtare që raporton nga Polonia mban thuajse të njëjtën linjë me PE, dhe nuk është më shumë transparente në atë se çfarë shikon kaq shumë të kundërshtueshme te qeveria e re e Polonisë. Ajo për të cilën është e shqetësuar The Economist është fakti që në Poloni është në pushtet një parti euroskeptike.
Ashtu si Fidesz (partia e Orban), PIS është një kërcënim i madh për BE. Artikulli i The Economist, ndërsa pretendon se është e shqetësuar për “kalbjen e institucioneve të Polonisë”, thotë dhe këtë: PIS është një “dhembje koke” e re për Europën dhe “do ta shkërmoqë BE”. PIS është, thotë The Economist, “një koalicion i lloj-llojshëm konservatorësh, nacionalistësh katolikë, euroskeptikësh, armiqsh të korrupsionit, teoricienësh konspirativë, protektonistësh dhe agrarësh.” Është e qartë se “euroskeptikë” dhe “nacionalistë” janë përdorur si fyerje, njëlloj si teoricienët konspirativë. Mund ta ndjeni tronditjen e kampit pro-BE, ndërsa koalicioni i lloj-llojshëm po bëhet me shpejtësi i pranueshëm nga të gjithë.