Milton Friedman
project-syndicate.org
Më 1999, në prag të krijimit të monedhës së përbashkët evropiane, ekonomisti i njohur Milton Friedman shkroi artikullin e mposhtëm, në të cilin shpjegon pse BE nuk kishte kushte për bashkim monetar, dhe pse ishte më mirë që shtete anëtare – me përjashtim të nja 5-6 shteteve – të ruanin monedhën e tyre. Gjithashtu i ka parashikuar me saktësi atë që po ndodh sot në zonën euro: përçarjen politike.
Një monedhë e përbashkët është rregullim monetar i përsosur në disa rrethana dhe i gabuar në rrethana të tjera. Në është i mirë apo i keq kjo varet së pari nga mekanizmat rregulluese që ekzistojnë për të zbutur tronditjet ekonomike dhe çrregullimet që shfaqen në entitet e ndryshme që mendojnë të përdorin një monedhë të përbashkët. Normat fleksibël të shkëmbit janë një mekanizëm rregullues i fuqishëm për tronditjet që i prekin entitetet në forma të ndryshme. Ia vlen përdorimi i këtij mekanizmi për të përfituar nga kostot e ulëta të transaksioneve dhe disiplina e brendshme vetëm nëse ka mekanizma rregullimi alternativ të mjaftueshme.
SHBA është një shembull i një situate që është e favorshme për një monedhë të përbashkët. Megjithëse e përbërë nga pesëdhjetë shtete, banorët e saj në tërësi flasin të njëjtën gjuhë, dëgjojnë të njëjtat programe televizive, shikojnë të njëjtët filma, munden dhe lëvizin lirshëm nga një pjesë në një pjesë tjetër të vendit; mallrat dhe kapitali lëvizin lirshëm nga shtetit në shtet; pagat dhe çmimet janë fleksibël deri diku; dhe qeveria federale rrit taksat dhe shpenzon dy herë më shumë se qeveritë e shteteve. Politikat fiskale ndryshojnë nga shteti në shtet, por dallimet jenë minimale krahasuar me politikën e përbashkët federale.
Tronditje të paparashikuara mund të prekin një zonë të SHBA më shumë se të tjerat – si, për shembull, embargoja e Lindjes së Mesme në vitet 1970, duke krijuar një kërkesë të lartë për vende pune dhe prodhim në disa shtete, si Teksasi, dhe papunësi e kushte depresive në shtete të tjerë, si shtetet industriale në Midwest që importonin karburante. Efektet afatshkurtra u ndërmjetësuan nga lëvizja e njerëzve dhe e mallrave, duke tejkaluar rrjedhën financiare nga qeveria federale te shteti dhe qeveritë lokale , dhe me rregullimin e çmimeve dhe pagave.
Në kontrast, tregu i përbashkët i Europës është shembull i një situate të pafavorshme për monedhë të përbashkët. Ajo është përbërë nga shtete të ndryshëm, banorët e së cilës flasin gjuhë të ndryshme, kanë zakone të ndryshme, dhe janë më të afër me vendin e tyre dhe më besnikë ndaj tij sesa ndaj tregut të përbashkët ose idesë së “Europës”. Pavarësisht të qenit një zonë e tregtisë së lirë, mallrat lëvizin më pak lirisht se në SHBA, e po kështu dhe kapitali.
Komisioni Europian i vendosur në Bruksel shpenzon një fraksion të vogël të totalit që shpenzojnë qeveritë në vendet anëtare. Shtetet, jo burokracia e BE, janë entitetet politike kryesore. Për më tepër, legjislacioni për praktikat industriale dhe të punësimit janë shumë më të ngarkuara se në SHBA, dhe ka dallime shumë të mëdha nga njëri vend në tjetrin, krahasuar me dallimet mes shteteve të SHBA. Si rezultat, pagat dhe çmimet në Europë janë më të ngurta, dhe puna më pak e lëvizshme. Në këto kushte, normat fleksibël të shkëmbimit ofrojnë një mekanizëm rregullimi jashtëzakonisht të dobishëm.
Nëse një vend preket nga goditje negative që kërkojnë, le të themi, paga më të ulëta në lidhje me vendet e tjera, kjo mund të arrihet me ndryshimin e një çmimi, normën e shkëmbimit, sesa me ndryshimin e mijëra e mijëra normave të veçanta të pagave, ose emigrimin e fuqisë punëtore. Vështirësitë e imponuar ndaj Francës përmes politikës së saj për “frangën e fortë” ilustron koston e vendosmërisë së motivuar politikisht për të mos përdorur normën e shkëmbit për t’iu përshtatur ndikimit të bashkimit të Gjermanive. Rritja ekonomike e Birtanisë, pasi ajo braktisi Mekanizmin e Normës së Shkëmbimit Europian para disa vitesh, që e ngriti sterlinën ilustron dobinë e normës së shkëmbimit si mekanizëm rregullues.
Propozuesit e euros shpesh citojnë erën e standardit të artë prej 1879 deri më 1914 për të demonstruar të mirat e një monedhe të përbashkët. Por standardi i artë kishte dhe kostot e tij. Kjo periudhë u karakterizua nga ulja e çmimeve nga 1879 deri më 1896, rritja e çmimeve pas kësaj, dhe luhatje të mëdha brenda çdo periudhe, sidomos në vitet 1890. Standardi ishte i qëndrueshëm vetëm ngaqë qeveritë ishin të vogla (duke shpenzuar rreth 10 për qind të GDP e jo 50 për qind ose më shumë si tani), çmimet dhe pagat ishin shumë fleksibël, dhe publiku ishte i gatshëm të toleronte, ose s’kishte mundësi të zbuste luhatjet e mëdha në prodhim dhe punësim. Po të hiqen syzet rozë, ajo nuk ishte hiç një periudhë ose sistem që vlen të merret shembull.
Ndërsa sot, një nëngrup i Bashkimit Europian – ndoshta Gjermania, vendet e Beneluksit dhe Austria – mund të jenë shumë afër plotësimit të kushteve të favorshme për një monedhë të përbashkët dhe jo gjithë BE. Ato e kanë tashmë ekuivalenten e monedhës së përbashkët. Austria dhe tre vendet e Benelux-it i kanë monedhat e tyre, me gjithë synimet dhe qëllimet, të lidhura me markën gjermane. Megjithatë, këto vende i kanë bankat e tyre qendrore dhe mund të shkëputen kur
të duan. Çdo vend që dëshiron të lidhet më shumë me markën gjermane mund ta bëjë këtë vetë, thjesht duke zëvendësuar bankën e vet qendrore me një bord monetar, si kanë bërë disa vendet jashtë BE (Estonia).
Iniciativa për euron është e motivuar nga politika, jo ekonomia. Qëllimi ka qenë për të lidhur Gjermaninë dhe Francën aq ngushtë sa të bëhej e pamundur një luftë evropiane në të ardhmen, dhe për të hedhur themelet e Shteteve të Bashkuara të Europës. Unë besoj se futja e euros do të ketë efekt të kundërt. Në përpjekje për zbutjen e tronditjeve të ndryshme, të cilat mund të zbuteshin shumë lehtë me anët të ndryshimit të normës së shkëmbit, kjo do t’i kthejë tensionet politike në çështje politike përçarëse. Bashkimi politik mund të shtrojë rrugën për bashkim monetar. Bashkimi monetar i imponuar në kushtet të papërshtatshme do të rezultojë pengesë për arritjen e bashkimit politik.