Lindje-perëndim, perëndim a lindje, si dele në pazar po t’thon mes dy qytetrimeve.
Ideja politike e sociale, e veshur here-herë me një mënyrë fine të hollë, ka qenë kaq e pranishme në lirikat gati elegjike e mjaft prekëse të të ndjerit Ali Podrimja. Sikur secili në këtë copë rruzull të merrte flatra e të kapërcente të gjitha teoritë e parateoritë e dijes së hedhur në letërsi, atëherë nuk do gjendeshim të rrethuar nga viktimat të vetshpallura të demagogjisë. Shkumojnë qumështin e nënave ushtarët e rinj të forumeve rinore. Me teserat, shkendijë në duar. Të pakthjellët, jo konkretë, të pavetëdijshëm, jo spontanë. Kundërpërgjigjen vrullshëm gazetarë e oratorë, shkrimtarë e panegjirikë partiakë, që gëzojnë propagandim të gjerë dhe miratim “zyrtar”. Të blerë e të shitur. Të braktisur për shumë kohë në pellgjet e krijimtarisë së tyre.
Jemi në mes të një fushate energjike. Po afron e vetmja ditë kur individi bëhet personazh kryesor në një skenar njerëzish pa talent. I thirrur të vendosë, gjithsecili mund të japë një kontribut solid, të ndëshkojë e nderojë në bazë të përshtypjes së lidhur fort me realitetin. Duke jetuar mes tymrave e blozërave, zhurmëve e fjalëve mes këtij tymi, po na kërcënon një artificialitet konkret: Një votë gjithnjë e më e rreme.
Njerëzit e dinë qe nuk janë zgjidhja. Po aq të vetëdijshëm janë se me ta do të eksperimentohet sa herë që do kenë të drejtën dhe detyrën për të votuar. Tani për tani gjendja duket tepër e zymtë. E sigurisht, që ata që do gëzojnë të lehtësuar pushtetin e drejtpërdrejtë nesër, nuk duan që ti, unë apo kushdo tjetër të mendojë me kokën e tij. Ne jemi praktikisht shifra për ta. Asgjë më shumë. Një thelb ngjarjesh vitesh dhe emrash që përfundojnë të stivosur në harrësën e brezave që digjen viteve të tranzicionit. Që në kohë të kohërave askush nuk e ka duartrokitur me sinqeritet në zemër inteligjencën e tjetrit. Sepse ajo që ti, unë apo tjetërkush mund të dijë, sjell një shprishje të mundshme qëllimesh. Sjell në një dalje nga brazda, ku shumëkush shpreson që ne të punojmë gjithë jetën. Sjell një dalje nga tufa, e menjëherë shënjestrohesh si dele e zezë, edhe pse të shndërrin qimja e bardhë.
Dikur akuzonim okupatorët që për qindravjeçarë të tërë nuk kanë lejuar arsimimin e shqipëtarëve si ne, që rronin mbi këtë dhe’ dikur. Gjithnjë regjimet e përmbysura e kanë marrë me vete fajin e prapambetjes e përgjegjësia për popullin ka qenë një kopil i mbetur në derën e të kapitulluarve. Shtytjet e pandjeshme të viteve, sollën në shteg të historisë sonë, një personazh që na bën nder të madh duke na dhënë një alphabet: Sami Frashëri, – studimet e shkëlqyera të të cilit i dhanë lëndë shkollës së vobektë shqipëtare, i dhanë histori një populli që nuk di të lexoje, i dhanë gjeografi, gjuhë e letërsi, i dhanë aritmetikë, shkrim e këndim.
Pakush e ka kuptuar dhe mirpritur këtë hap vigan. Sidomos ata që e kishin në dorë Shqipërinë e asaj periudhe. Kohë më vonë, dokrra mbi alfabetizimin e shqipëtarëve na kanë ndjekur këmba-këmbës për gjysëm shekulli. Dokrra mbi letrat e shquara shqipe. Gjysëm të nxira e gjysëm të grisura nga një dorë që për shumë vjetë u quajt e kuqe, por në fakt historia e dëshmon si më të zezë se kurrë. E në fakt ajo që u dogmatizua si dora e kuqe në europë, kurrë nuk e solli në jetë idealin utopik marksist, nga i cili u brumos. Mallkimi i ç’do tirani është dizidenca. “Xhaxhi” ynë edhe pse i duatrokiste edhe vetë patetizmat, fjalamanitë prolikse e artificiale që lëshonte goja e tij, e futi në dhe’ ajkën që do përvijonte mendimin intelektual demokratik shqiptar. Edhe sot e kësaj dite ne nuk e kemi marrë veten nga kjo goditje, nga ky gjenocid novatorësh intelektualë.
Sot kemi angazhime e të angazhuar, strukturalizëm në thonjëza. Nuk ka struktura, por një emër që vjen në krye të vendit me po të njëjtën dëshirë diktatoriale, për të mos u shkulur kurrë. Me të njëjtën dëshirë për ta shitur shqipërinë 1 euro si të ishte bahçe kumbullash. Me po të njëjtin përçmim për mendimin ndryshe, por lavdi zotit, pa darë ndër duar për t’i shkurtuar “gjuhët e liga”. Politikës mund t’ja lexosh moralin në përvojën historike. Askush nuk të do më të mençur se vetja. Aq më tepër një autokrat. Problemi për ta nuk janë diplomat e tua. Si ato mund të marrësh sa të duash, nëpër ato kjoskat peskatëshe ku tregtohen diploma. Atyre nuk u intereson vetedija jote. Të duan në grigjë, me vullnet të thyer e duke blegëruar parullat me ngjyrat e tyre.Populizmi i të dyja kaheve politikë kap kulmin, kur askush nuk të ndalon të perdhosësh gjithçka që ke vërdallë pa mbajtur asnjë përgjegjësi. Lejojnë të prishet një Shqipëri e tërë, vetëm sedra të mos u preket miqve të tyre e miqve të miqve.
Vetëm një tregues është mbytës e skrupullmangët për skeptikët. Mjafton të shohësh artin që po prodhon Shqipëria. Ato stacionet soft-porn që këndojnë ditë e natë. Mjafton literaturën në duart e shqipëtarëve të studiosh. Ato revistat me fare pak tekst e me plot figura, të denja për kapacitetet e një majmuni. (Librat mungojnë masivisht, të zëvendësuar nga tabletët, që tashmë, supozohet të asimilohen në vend të librave edhe nëpër shkolla.) Menjëherë e ndjen trysninë e pamatë të fshatarizmës. Trysninë e fërkimit të duarve e barqeve të baballarëve të kombit që e hanë evolucionin kulturor shqiptar si pa të keq. Duke uruar sa më shumë breza dështakësh në vazhdim e një mërgatë masive të shpirtit progresiv.