Shtypi shqiptar dhe kryesisht mediat vizive e paraqitën plot bujë inagurimin e punimeve të kryera në stadiumin e Elbasanit. U fol për një stadium madhështor, të mrekullueshëm, që përbën një ngjarje me rëndësi për futbollin shqiptar. Që prej fillimit të punimeve, me dhjetra e qindra kronika, reportazhe e lajme iu kushtuan këtij projekti, i cili shihet si një vepër që do të ofrojë mjedise dinjitoze për futbollin shqiptar. Nga gazetat dhe kronikat televizive shpërtheu befas një frymë romantizmi duke i mbushur plot poezi raportimet mbi atë çfarë po ndodhte në Elbasan. Mënyra sesi u paraqit ky projekt të krijon përshtypjen se është ndërtuar ndonjë vepër arkitekturore mbresëlënëse e parametrave të Allianz Arena, por në fakt bëhet fjalë për sadiumin e vjetër, të restauruar për të plotësuar disa standarde minimale, sa për të fituar mundësinë të identifikohemi si humanoidë, duke arritur të diferencohemi sadopak nga bota shtazore.
Nga sa morëm vesh prej shtypit, mrekullitë e këtij stadiumi qendrojnë tek arritja e disa standardeve që e bëjnë stadiumin të konsiderohet «modern», si pajisja e tij me ndriçim, dushe për futbollistët, vende transmetimi për shtypin, vende garderobe për ta, si dhe një sallë konferencash, e cila qenka në parametra shumë modernë nga ana fonike. BINGO!
Në fakt stadiumi, jo vetëm që nuk ka asgjë madhështore, por ngjan si xhuxhmaxhuxh në kapacitetin që ka. Madhështore në këtë projekt është vetëm shuma prej 5.5 milion eurosh që janë shpenzuar për gjithë këto «mrekulli», si dhe emri spektakolar që i ndryshohet pas restaurimit: Elbasan Arena, – një komedi më vete kjo. «Arena» jonë, në fakt, nuk arrin as parametrat e një stadiumi lagjesh në Europë, ku zhvillohen ndeshjet e fëmijëve, midis shkollash. Sipas federatës, ai mban vetëm 13 mijë shikues, shifër kjo që, megjithëse e ekzagjeruar (nga sa duket me sy të lirë), nuk mjafton aspak për të krijuar atmosferën e kërkuar. Ndoshta federata ka llogaritur në këtë shifër edhe pallatet e larta përreth, të cilat janë kontribues me peshë (ndonëse përsëri të pamjaftueshme) në numrin e tifozëve dhe në përmirësimin e atmosferës. Stadiumi është me kapacitet më të vogël edhe se anfiteatri i Durrësit, i ndërtuar prej paraardhësve tanë ilirë, gjë që tregon se raca jonë pellazgjike nuk ka evoluar aspak.
Eshtë e pabesueshme sesi është i mundur gjithë ky komizëm që shpërthen kaq vrullshëm e njëkohësisht, krejt natyrshëm kudo, nga autoritetet, mediat, etj. duke u bërë gazi i botës në rrjetet sociale, ku batutat për stadiumin kanë mbajtur gjallë humorin popullor. Megjithatë, kjo nuk e lëkund aspak korin e madh e grotesk të lajkatuesve të qeverisë dhe federatës, të ekzekutojnë me soticizëm deri në fund stonaturat e tyre, duke shfaqur ekzaltimet e tyre mbi vlerat e mëdha të stadiumit. Në mënyrë unanime mediat vlerësuan me superlativa «rrobat e reja të mbretit», që në fakt është lakuriq dhe të gjithë bëjnë sikur vërtetë kanë përpara sysh një marakanë të re, tashmë në Shqipëri. Marakana e qokave ndaj pushtetit, është në fakt vepra më madhështore që kemi mundur të ndërtojmë në perfeksion të plotë gjatë këtyre dekadave të fundit.