Alea icata est…zari u hodh! Shprehja latine, që i atribuohet Cezarit kur kalon Rubikonin, përmbledh pak a shumë dramaticitetin në të cilin po konsumohet pjesa e parë e zgjedhjeve lokale në Tiranë. Dy peshat e rënda të politikës shqiptare, PD e PS, përgjojnë njëra-tjetrën në përcaktimin e kandidatit, ndërkohë që dy të pavarur, Gj. Bojaxhi e S. Guri, kanë zgjedhur të garojnë të vetëm për Tiranën. Nga të dy, është pikërisht i pari që ka ndezur debatin mediatik si i treti i bezdisshëm i cili mund të prishë garën e qetë të dy të mëdhenjve.
Përtej tensionit të orëve të para, risisë në kandidim, presionit djathtas, z. Bojaxhiu filloi këto ditë fushatën e tij mediatike pa pengesa të mëdha, qoftë se as PD e as PS nuk kishin akoma kandidatë, qoftë pse emri i tij po ngjit në në pjesë të opinionit publik. Nuk kanë munguar këtu deklarata dashurie mbështetëse për figurën e pastër, njeriun kurajoz, të pavarurin, të aftin, qytetarin etj. Më së shumti ato kanë ardhur nga personazhe dikur afër PD, të zhgënjyer, të mënjanuar, gjithsesi djathtas, duke krijuar përshtypjen se tashmë Bojaxhiu do të kthehet në mankthin e kujtdo demokrati që do të guxojë të garojë për Tiranën. Pak a shumë kjo ishte dhe pjesa më e gjallëruar e diskutimit të z. Bojaxhi dhe në emisionin Zonë e Lirë. Vazhdimi i ngjante një promovimi të zakonshëm apo adeti të tipit ‘duhet shkuar dhe te Çani se shihet’. Përveç tregimit të stilit të jetës, pasjoneve apo historisë personale e politike, prezenca e z. Bojaxhi mbeti në kuadrin e pranisë për hir të adetit e pak u mor me projektin e tij për Tiranën.
Vetëm para pak ditësh, në rrjetet sociale u shfaq edhe një fragment programi i z. Bojaxhi me prioritete që nuk dallonin shumë nga fushata e kujtdo kandidati për zgjedhjet lokale të para katër vjetëve: gjelbërimi, ndotja, trafiku, refren i përhershëm, të paktën në dy zgjedhjet e mëparshme. Ndonëse është akoma herët, lind pyetja a ka diçka më shumë apo kjo është e tëra me premtimin e vetëm se kandidati do të mbajë fjalën, se në thelb është i ndryshëm nga të tjerët dhe se dashuria për Tiranën nuk është interes po ndjenjë e pastër? Është ndoshta pyetje banale dhe ndoshta nuk mund t’i bëhet njeriut që ka më pak përgjegjësi për derexhenë në të cilën është katandisur Tirana sot, por i bëhet njeriut që pikërisht pretendon të na nxjerrë nga pengmarrja elektorale e dyshes PD-PS. Pikërisht se pretendon të thyejë e të ndryshojë standardin e menaxhimit urban PS-PD, Bojaxhiut i duhet të tregojë më shumë e të jetë akoma e më konkret në kandidaturën e tij. I duhet një fushatë elektorale kryekëput e ndryshme nga ajo çka mund të ofrojë PS-PD, premtime konkrete, e mbi të gjitha një grup i cili do të mund t’i përkthejë ato në plan pune për Tiranën.
Pak kush nga tifozët dhe tashmë adhuruesit e ‘efektit Bojaxhi’ dinë se më datë 13 prill skadonte afati për të dorëzuar në KQZ listën e kandidatëve për Këshillin bashkiak. Pak kush di gjithashtu se Këshilli bashkiak është asambleja legjislative e qytetit, që bën të mundur funksionimin e Bashkisë me miratimin e buxhetit e akteve të tjera. Gara e tij deri në këto momente po profilizohet si një përpjekje vetmitare e gati plebishitare me qëllim më shumë prishjen e monopolit PS-PD, sesa dëshirë e mirë për të qeverisur Tiranën. Nëse analizojmë të gjitha skenaret e mundshme, zgjedhjet e ardhshme për Tiranën do të prodhojnë një kryetar dhe Këshill bashkiak që më pas do të veprojë në trajektoren pamundësi-mediokritet. Pamundësia do të varet nga bashkëpunimi mes qeverisë dhe një potenciali fitues të opozitës, përfshi këtu dhe z. Bojaxhi, e që do të jetë pikërisht i pamundur kur kryeministri kujton akoma se është kryetar bashkie. Mediokriteti i referohet pikërisht marrdhënies simbiotike që do të krijohet në rast se fiton kandidati i maxhorancës, që kushdo qoftë do të kthehet me hir a pahir në zgjatim të projekteve/kapriçiove kryeministrore për Tiranën.
Në këto kushte z. Bojaxhi do ta ketë të vështirë të drejtojë nëse fiton, por do ta ketë akoma e më të vështirë nëse nuk paraqet një listë kandidatësh për Këshill bashkiak. Kush mendon të votojë për z. Bojaxhi, përtej personit apo ndëshkimit plebishitar që mund t’i jepte sistemit të partive në vend, shikon një projekt të mundshëm e të aplikueshëm, pse jo në të ardhmen me zgjedhjet e përgjithshme. Ky projekt do të ishte i mundur dhe sikur z. Bojaxhi të mos fitonte zgjedhjet, por t’i jepte frymë dhe vazhdimësi inisiativës qytetare të cilën ai pretendon të përfaqësojë pikërisht përmes kandidaturave për Këshillin bashkiak.
Jashtë kësaj logjike, fitorja e tij hipotetike do të reduktohej në një gjest simbolik, që do të zhbëhej nga koha në pamundësinë e bashkëpunimit Pushtet qëndror-Kryetar-Këshill bashkiak. E pikërisht këtu do të konsumohej paradoksi i asaj se si z. Bojaxhi ka zgjedhur deri më tani të garojë për Tiranën, si individ pa një listë të vetën nga pas, duke shpresuar në një plebishit personal që rrjedh nga frustrimi kolektiv mbi atë që përfaqëson politika aktuale. Z. Bojaxhi do të gjendej para dy situatave jo komode, atë të pamundësisë teknike për të drejtuar apo atë të rivarjes nga koalicioni që do të fitojë maxhorancën e Këshillit bashkiak, duke përfunduar kështu si i ‘varur për të qenë i pavarur’.