Duke qenë se historia e njeriut është e lidhur ngushtë me atë të pushtetit arsyet e kërkimit të tij janë diskutuar pandalur që prej kohësh të vjetra. Mendimtarë të ndryshëm në Greqinë apo Romën e vjetër, por edhe sociologë, antropologë, psikologë, deri edhe neurobiologë, psikiatristë e psikoanalistë të kohëve moderne kanë debatuar dhe shkruar vazhdimisht mbi të. Gjithë dallimet e këtij ravgimi të gjatë njerëzor bashkohen pothuajse në një pikë: kërkimi i pushtetit ka si shtysë dëshirën për të qenë i pushtetshëm pasi ai shërben si mjet për vetëpërmbushje. Kjo bën që dëshira për pushtet të jetë si droga, në kuptimin që ajo iu ndryshon njerëzve edhe neurokiminë (J Sattinover, A Galaburda, N Geschwind prej vitesh kanë provuar se ndryshon niveli dhe burimi i opiateve).
Pushteti, ashtu si drogat, prodhon një përzierje komplekse motivuesish që përfshijnë qetësimin e vuajtjes, reduktim të vetëdijes dhe eufori. Për këtë shkak shumë njerëz me pushtet i injorojnë efektet mbi veten dhe të tjerët dhe rrisin dozën e tij për të arritur kënaqësi edhe më të madhe dhe lehtësim më të madh të dhembjes. Disa nga dramat më të mëdha të njeriut janë shkaktuar nga ky lloj kërkimi i pushtetit e i cili kthehet në një tmerr për individin që e kërkon ose fatkeqësi shoqërore, kur bëhet substancë bazë e qeverisë. George Orwell, në librin “1984”, përshkruan në mënyrë të jashtëzakonshme këtë aspekt të kërkimit të pushtetit. Ai shkruan: “Partia e kërkon e pushtetin krejtësisht për hir të vetë atij. Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve: ne jemi të interesuar vetëm për pushtetin. Pushteti nuk është mjet, ai është qëllim.”
Shqipëria ka vuajtur shumë nga të kërkuarit e pushtetit me forcë. Ky vend është tërhequr zvarrë nga njerëz që kërkonin pandalur të rrisnin dozën e pushtetit të tyre (drogës), në gjendje varësie të plotë prej tij dhe në gjendje reduktimi të vazhdueshëm të vetëdijes. Pushteti është një grackë, një tundim ndaj të cilit të gjithë janë të ekspozuar. Disa karakteristika apo predispozita personale të ndihmuara nga rrethanat mund ta shkatërrojnë dikë duke e bërë vegël të verbër në ndjekje të pushtetit.
Për ti bërë të paqena këto rrethana, mendimtarë të rëndësishëm, filozofë të politikës, të njohjes, të ligjit etj, të paktën që prej dy shekujsh tërheqin vëmendjen në kufizimin e pushtetit, kontrollin dhe ndarjen e tij. Etërit e kushtetutës së SHBA-së James Madison, Benjamin Franklin, Thomas Jefferson, në letrat e federalistit shpreheshin se armiku më i madh është vetëm përqëndrimi i pushtetit. Ata arritën deri atje sa, jo vetëm kufizuan me kushtetutë çdo lloj pusheti, por me amendamentin e dytë lejuan mbajtjen e armëve nga amerikanët si mjet presioni ndaj qeverisë që ajo të mos bëhej tiranike. Një traditë e gjatë e kufizmit të pushtetit (sidomos atij të presidentit) gjendet në vendimet e gjykatës supreme.
Europa e ka nisur këtë rrugë më herët me kufizimin e pushtetit të mbretit dhe me dhënien e të drejtës gjithkujt për një gjyq të drejtë në Angli me Magna Carta-ën apo Habeas Corpus-in, që në shekullin e 13-të. Charl Montesquieu shprehej se vendosja në një dorë e miratimit të ligjit dhe zbatimit të tij sjell tiraninë. Vepra e tij monumentale “Fryma e ligjeve” është traktatati më i plotë dhe më me ndikim mbi ndarjen e pushteteve.
Në Shqipëri qeveria dhe kryeminsitri Rama duken të përpirë nga gracka dhe tundimi i pushtetit. Ata po dëshmojnë se e kanë të pamundur të kuptojë se pushteti është shkatërrimtar për të tjerët dhe ata vetë. Një avokat, u mbajt më shumë se dy javë në burg, (i arrestuar nga policia natën) se kërcënoi me sms kryeministrin në gjendje të dehur. Ai u lirua nga gjykata e Apelit pasi, sipas saj, nuk përbënte asnjë rrezik. Kryeministri Rama njoftoi natën policinë mbi sms-të dhe ajo shkoi dhe e arrestoi në shtëpi. Një absurditet.
Në SHBA ka të paktën 12 mijë mesazhe kërcënuese ndaj presidentit Obama, por ato vetëm verifikohen për shkallën e rrezikut që paraqesin. Në burg janë vetëm dy persona që duket se i përkasin një grupi kriminal. Një i moshuar, i rrëgjuar, nga malësia e Matit, babai i dikujt të vrarë nga policia vite më parë, teksa kishte marrë peng një autobus, u arrestua pasi tha në një television se drejtori i përgjithshëm i policisë do të kishte punë me të personalisht. Po ashtu policia arrestoi një njeri sepse gënjeu kur tha se policia e ndaloi atë në rrugë teksa shoqërinte një vajzë të sëmurë në spital, e cila më vonë vdiq. Pavarësisht se ai gënjeu policia nuk mund t’i arrestojë njerëzit pse ata gënjejnë. Këtë gjë e bën prokuroria në qoftë se ajo sheh aty krim. Cass Sunstein, një profesor i Harvardit, ish këshilltar për ligjin i presidentit Obama, thotë në librin “Pse shoqëritë kanë nevojë për mendim ndryshe” se “gjithë thelbi i demokracisë është se ti ke të drejtë t’ia fusësh kot, edhe të gënjesh”.
Polica arrestoi një biznesmen, Hajredin Fratari, të cilin e liroi prokuroria duke e quajtur arrestimin të paligjshëm. Ajo ndaloi gjithashtu një futbollist të Korçës sepse kish ikur nga skuadra e Kukësit, për të luajtur me atë të Skënderbeut. Policia mori atribute të federatës apo të Uefa-s në këtë rast. Kur një qytetar qëlloi me vezë deputetin Petrit Vasili disa kohë më parë para presidencës policia e arrestoi menjëherë atë duke e mbajtur dy ditë në qeli. Në të njëjtën kohë, vetëm pak ditë më parë presidentit Hollonde në Francë i hodhën në kokë një kovë me miell, por askush nuk u ndalua. Në Tiranë, policia mbajti për disa orë një grua, së bashku me vajzën e saj 5 vjeçare për shkak e ëma nuk kishte paguar energjinë. Policia arrestoi një vajzë në Fushë Arrëz për lidhje të paligjshme të energjisë, duke i lënë motrat e saj jetime vetëm në të ftohtë.
Të gjitha këto ndalime nga policia janë bërë në kushte arrogance të plotë, pa vendim të prokurorisë, si dëshmi e një pushteti të zgjeruar, përtej ligjit, të qeverisë. Nga ana tjetër, nevoja për të zgjeruar pushtetin e tij bën që kryeministri të kërkojë t’i marrë presidentit emërimin dhe shkarkimin e ushtarakëve të lartë dhe komandimin e ushtrisë. Qeveria dhe parlamenti (që janë në një dorë) kanë shkarkuar, kundër kushtetutës, dy anëtarë të KLD-së. Qeveria po ngre një këshill që do të kushtëzojë emërimet e presidentit në gjykatën e lartë me emrat që do të zgjedhë ky këshill. Ajo gjithashtu rrëzoi, me akt normativ, në mënyrë antikushtetuese, ligje të miratuara me shumicë të cilësuar (statusi i nëpusit civil). Qeveria gjithashtu mori kompetenca të pushtetit vendor duke i dhënë INUK-ut kompetenca të tyre. Ajo nuk lejoi që opozita të drejtojë një komision hetimor mbi vjedhjen e serverit në tatime.
Të gjitha këto akte të qeverisë janë rrëzuar nga gjykata kushtetuese po në mjaft raste ajo nuk heziton të shkelë as vendimet e saj. Me sa duket varësia nga pushteti është e tillë sa kërkon gjithnjë rritjen e dozës së tij, por kjo shoqërohet me reduktim të vetdijes dhe moskuptimin e efekteve tek vetja dhe të tjerët.
Në vitin 1972 profesor James David Barber i Duke University botoi një libër që u cilësua si më i miri në përcaktimin e karakterit të drejtuesit të qeverisë. Profesor Barber në fillim bën një vlerësim të treguesit pozitiv-negativ. Ai vlerëson se si këta drejtues e shohin veten në lidhje me sfidat e zyrës, a janë ata optimistë, a e shohin me gëzim detyrën apo e shohin atë si një martirizim të domosdoshëm. Kryeministri Rama pa dyshim që e sheh detyrën si martirizim. Ai me dhjetëra herë ka thënë që gjetëm një Shqipëri që kullon gjak, që po bie në greminë dhe ai dhe qeveria po marrin përsipër një barrë të tmerrshme që kërkon shumë sakrifica. Më pas Barber bën një vlerëm në treguesin pasiv-aktiv. Ky tregues mat shkallën e dëshirës për të bërë gjëra të mëdha apo tërheqjen në një mënyrë qeverisje burokratike. Rama pa dyshim që flet për gjëra të mëdha, madje historike: Rilindje.
Nisur nga këta tregues Barber përshkruan katër tipe drejtuesish: a) aktiv-pozitiv, janë ata që duan të bëjnë gjëra të mëdha dhe janë shumë optimistë, të gëzueshem, përcjellin dashuri dhe kanë një qasje filozofike ndaj asaj që e shohin si një lojë e madhe; b) aktiv-negativ, janë njerëz detyrues, me vlerësim të dobët për emocionet e veta dhe për aftësitë e tyre, kërkues të pushtetit për vetëpërmbushje dhe vetëkënaqësi, të vrazhdë, pesimistë, të zymtë, shpeshherë agresivë; c) pasivë-pozitive , janë njerëz që nuk marrin inisiativa, dëshiriojnë ti duan, optimist sipërfaqsorë, me ambicje modeste; d) pasivë-negativë, janë njerëz me vlerësim të dobët për veten, të tërhequr, nuk përfshiehn në konflkte, ishmangin ato, janë proceduralistë etj. Nga kjo shihet se kryeministri shqiptar është tipi i drejtuesit aktiv-negativ, tipi i njeriut që kërkon pushtet për vetëpërmbushje, për vetërealizim, pesimist, i zymtë dhe i vrazhdë.