Ish Presidenti Alfred Moisiu është shpallur qytetar nderi në Berat, me votat e anëtarëve të majtë në këshillin bashkiak dhe me abstenimin e të djathtëve. Mbeten enigmatike motivet e akordimit të këtij çmimi dhe nuk dihet nga askush se çfarë ka bërë Moisiu për Beratin. Faqja Berati-news gjithashtu ka shfaqur habinë e saj për këtë titull, duke u shprehur se Moisiu nuk ka asnjë lidhje me Beratin. Gjithashtu bëhet e ditur se ka pasur një fushatë për Moisiun këto ditë, pasi edhe Durrësi edhe Kuçova kanë bërë të njëjtën gjë, në të njëjtën kohë.
Po përpiqemi të reflektojmë pak për mbivlerat e ish-presidentit, për të cilat mbase e meritoi një titull si ky:
- Siç tashmë e dinë të gjithë, ai ishte mjeshtër në lojën e dominosë. Është shembulli i ngjitjes së shkallëve të karrierës me kapërcimin pindarik nga dominoja në Presidencë. Jo se shkoi larg, pasi aktiviteti më impenjues në presidencën e pas 1997 u bë dominoja, dhe po dominoja ishte maksimumi i zhvillimit të mendimit për ata që, si Moisiu, mbajtën në këmbë regjimin.
- Mbase motiv mund të ketë qenë ‘ulliri i Beratit’ që, i kombinuar me fasule, tjetër atraktivë tradicionale dhe profesionale-ushtarake, ia kalon edhe havjarit. E normalisht që Berati (por edhe Shqipëria) ka nevojë për këto kokrra e jo për dokrra.
- Mbase ngaqë ai njihet se të gjithë energjinë e fasuleve të ushtrisë e kanalizoi për realizmin e ndërmarrjes më të madhe monumentale në vendin tonë, e krahasueshme në domethënie e çmenduri vetëm me murin kinez: atë të bunkerëve, që lulëzuan tokën shqiptare në çdo skaj e çdo skutë. Me ato kërpudha betoni i bindëm mongolët revizionisto-imperiallistë se këtej murit na kishte ikur petlla me kohë. Jo më kot konsumi i petullave u pat kthyer në ceremoni festive.
Teksa Kryeministri e shndërron një bunker në muze, Berati e shndërron në vepër arti inxhinierin. Ndërkohë, mësuam se bashkë me të ishte shpallur me të njëjtin titull edhe regjisorja Xhanfize Keko, kandidatura e së cilës ka gjetur unanimitet të plotë tek të dyja kampet politike në Këshillin Bashkiak. Kësaj radhe kemi një motiv zyrtar për akordimin e këtij titulli, i cili i jepet znj. Keko, për shkak se ajo paska përzgjedhur Beratin si shesh-xhirimi për filmin “Tomka dhe shokët e tij”. Propozojmë që me këtë rast të sensibilizohet pushteti vendor përkatës e t’i ngrejë një monument edhe breshkave të Colit.
E ndërkohë, Ballshi është futur edhe më vrullshëm në garën mbi çoroditjen e standardeve. Këshilli Bashkiak i këtij qyteti i akordoi këtë titull njërit prej liderëve të aparatit kriminal të regjimit, Feçor Shehut. Motivimi: për kontribute të rëndësishme për mbarë vendin, jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas saj, ku përfshihet edhe ndërtimi i sigurimit të shtetit. Emri i tij ishte në listën e 10 njerëzve të akorduar në një ditë me këtë titull: Ismail Kadare, Moikom Zeqo, Fatos Klosi, Vilson Ahmeti. Kjo na bën të kuptojmë se ebola shqiptare mbetet budallallëku.