Ne nuk njihemi bashkë, por shumë shqipëtarë thonë fjalë të mira për ju. Nuk e di se sa nga ato që kam dëgjuar për ju janë të vërteta. Por gjithsesi ju përgëzoj për reputacionin tuaj të shkëlqyer. Pa të të ngrënë shumë kohë, desha të të sqaroj në vija të përgjithshme se si qëndrojnë hallet e popullit tonë, që ju me kaq ngut po përpiqeni ta zboni, duke mos i dhënë asnjë mundësi jetese. Sot t’i heqësh Gjermaninë disa shqiptarëve, sikur i ke hequr jetën. Është aq e vërtetë sa edhe ironike.
Ju me plot bujë, e deri diku të drejtë juridike, e konsideroni vendin tonë si vend i sigurt orgjine. Me fare pak të dhëna do përpiqem t’ju qartësoj në këtë pikë. Historia e popullit tonë është komplekse, por, e shtruar në tre ose katër linja kryesore, ajo mund të thjeshtëzohet mjaft. Pak para lindjes së Krishtit, Iliria (nga e kanë orgjinën shqipëtarët) u pushtua nga Perandoria Romake. Për më shumë se 1000 vjet ilirët jetonin nën Perandorinë Bizantine, që nuk ishte tjetër gjë veç ndarjes lindore të Perandorisë Romake. Kemi pasur kënaqësinë që gjatë këtyre viteve të gjata t’u uronim mirëseardhjen e përhershme në trojet tona popujve sllavë, të ardhur nuk e di nga ku për të na rrethuar me mirësinë e tyre.
Fill mbas Perandorisë Bizantine, për popujt e këtyre anëve u shfaq një sundim i ri. Ai i prurë nga Perandoria e famshme Osmane që zinte fill në Portën e Lartë. 500 vite të gjata, të begata e të ngrata ju shtuan kalendarit dhe ne u çmësuam me kulturën bizantine dhe u përshtatëm me atë osmane. Falë Zotit, pati edhe nga ata, që nuk mund të mos shpalleshin heronj të kombit, si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili e nderoi atdheun e vuajtur me njëfare pavarsie për plot 2 dekada e gjysëm. Kjo gjithsesi nuk mjaftoi për ta larguar turkun nga vendi ynë përfundimisht. Me vdekjen e Skënderbeut gjithçka u rikthye si më parë. Pothuajse!
Thonë se pavarsia e vërtetë Shqipërisë i erdhi në vitin 1912. Kur u shkëput përfundimisht nga osmanët. Megjithatë, tashmë Shqipëria ra në duar më të rrezikshme. Në duart e vetë shqiptarëve.
Që në vitet e para të pavarsisë, u krijuan dy qeveri. Ajo e Vlorës dhe ajo e Tiranës. Pak a shumë siç keni pasur ju atë të Bonit dhe atë të Berlinit. Në opinionin tim, ky ishte treguesi i parë i përçarjes në politikën shqiptare. Gjithsesi kësaj përçarjeje nuk iu la shumë hapësirë dhe mundësi për t’u bërë faktor në asgjë, përveçse në disa karagjozllëqe zyrtare. Kjo për arsye se Konferenca e Ambasadorëve në Londër, qartësoi një herë e mirë, për këto dy qeveri e për qeveri të tjera potenciale në mërgim, se territori i vendit tonë ndodhet nën presionin e një nofulle të përbindshme politikash ksenofobe nga shtetet fqinje.
Ideja e sjelljes së princ Vidit qe goxha interesante, krahasuar me idenë e monarkisë sonë 15 vjeçare. Por tek shqiptarët asgjë nuk u kultivua me sukses siç u kultivua e madhërishmja Diktaturë e Proletariatit. Një tjetër format monarkie e pashpallur, tipike shqiptare. Kjo paradë karafilësh të kuq komunistë, e shoqëruar me urinë, skamjen, izolimin dhe qesharakërinë zgjati për plot 5 dekada. Me shpresën e madhe për t’i dhënë fund sharlatanizmit politik që gjeneroi aq shumë viktima, populli shqiptar u ngrit, ndoshta për të fundit herë deri më sot, në një revoltë të jashtzakonshme, e cila gjithsesi gjeneroi të tjera palaçollëqe.
Duke qenë një shtet 80 milionësh, ju mund t’i lejoni vetes të keni 70 milionë individë mediokër dhe 10 milionë të shkëlqyer. Historia ka treguar se ekuilibrat nuk prishen edhe kështu, pasi të gjitha shtresat janë në pozicionin e tyre. Por në rastin e vendit tonë, kur kemi rreth 3 milion njerëz, kryesisht mediokër, që pretendojnë se janë të shkëlqyer dhe nuk pranojnë asnjë meritë më pak se ato më të privilegjuarat, atëherë kemi një problem shumë të madh. Mendoni më kujdesshëm! 3 milion njerëz, kryesisht mediokër, por jo vetëm, të mësuar me parazitizëm, spiunllëk, inat, mendjemadhësi, vjedhje, hamësi, dhunë dhe gjithashtu të privuar në mënyrë konstante seksualisht. Morali dhe mendësia jonë në 2015 mundet me plot gojën të konsiderohen të sëmura. Vuajmë nga një fanatizëm primordial. Po ju jap një shembull.
Skup në rrjetet sociale për momentin ka bërë një album fotografik i publikuar nga Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit të Grave të Shqipërisë, gjatë kohës së partisë. Në mos gabofsha të ’72-shit. Ato që paraqiten më së shumti në këto fotografi, janë femrat shqiptare të kohës së atëhershme, të pozicionuara në poza nga më të ndryshmet, gjatë aktivitetit të tyre të “përditshëm”, le të themi. Plot nostalgjikë të PPSH-së jargaviten mbi këto fotografi, duke i ngritur si trofe të sukseseve të një regjimi të dhunshëm dhe pa asnjë koherencë me mirqënien e popullit apo me mirqënien e gruas. Këto fotografi mund të bëjnë të “lumtur” primitivizmin tek individë të ndryshëm. Por askënd nuk bëjnë më të lumtur se fanatikët, kryesisht ata persona që duan t’i shohin gratë, të nënshtruara, si amvisa, nëna dhe asgjë më shumë se kaq. Si një mekanizëm i përsosur që bën fuksionale banesën, në të cilën burri hyn për të ngrënë, pirë dhe fjetur. Me fjalë të thjeshta një shërbëtore e gatshme për seks vetëm për qëllime mbarshtimi.
Nga demokratizimi i aplikimit të sistemit, kanë kaluar rreth 2 dekada e gjysëm. Uroj që të kalojnë vetëm 2 dekada e gjysëm të tjera që të demokratizohet edhe mënyra e të menduarit.
Në këto thuajse 2 mijë vjet histori, vullneti konkret i atij që për lajkatim prej pushtetarëve quhet sovrani shqipëtar, nuk është ushtruar kurrë. Gjithnjë të tjerët kanë vendosur arbitrarisht për të dhe lutjet e nisura për në qiell, këtij të ngrati popull i kanë rënë sërisht në kokë, duke mos pasur forcë për të shkuar tek Hyu. Skepticizmi dhe mosbesimi tek asgjë përveç të prekshmes është elementi kryesor i shkallës regresive të bukëshkalësi së këtyre njerëzve. Ndaj lutjet e tyre nisen drejt qiellit vetëm në rast nevoje a halli të ngushtshëm. Kurrë për tu falur për fajet (e padukshme për fajtorin) që u shkaktojmë të tjerëve.
Mendjengushtësia është halli ynë më i madh. Në rezymenë e shkurtër 2 mijë vjeçare të historisë së këtyre trojeve, duhet shtuar se populli, individi i thjeshtë, ai pa shumë pretendime, ai në fund të zinxhirit të kategorive njerëzore. Është ngritur përditë në mëngjës, ka shkuar në punë, dhe ka ardhur në darkë, me një copë bukë në dorë, për fëmijët. Kjo ka ndodhur për mijëra vjet. Individi puntor e ka hedhur djersën me litra për të bërë gjithnjë e më të pasur të pasurin që e shfrytëzon përtej ç’do limiti. Çështja është se me hyrjen e zgjatimeve politike në meritokraci, punëtorit të thjeshtë as kjo mundësi për tu lënë të shfrytëzohet nga rrjepësit zanatçinj, nuk i garantohet. Kjo është edhe kategoria e individëve që më së shumti ju është ofruar ju e nderuar Gjermani. Nëse ju e dashur Gjermani, do të vinit për të jetuar në Shqipëri, do të më kuptonit. Nëse ju do të ishit e gatshme për të ndërtuar familje e për të pasur fëmijë në këtë abitat të betonizuar, do më kuptonit mua dhe shqipëtarët. Nëse në një rast hiperhipotetik ju do të kishit lindur këtu, kalvari i paradokseve, per ju do të zinte fill që në maternitet, siç zë fill për fëmijët tanë. Që në këtë institucion të mugët të ardhjes në jetë të transmetohet mesazhi i qartë se me të ardhur në këtë dynja, i ke të tjerëve para borxh. Se për çfarë arsye nuk e di. Faktet tronditëse të vegjëlisë, që për fatin e mirë, foshnjat nuk mbërrijnë t’i kuptojnë derisa bëhen pridër vetë, fillojnë nga çmimi i karrocës që e kapercen 3 ose 4 herë mesataren jetike të shqipëtarëve dhe ndoshta nuk mbarojnë kurrë. Secili ka paradokset e tij brutale për të përmendur. Secili nga ne ka hidhtësinë e konkretes që gremiset në grykë, por nuk kapërdihet deri në moshë të pjekur. Jeta në këto rrugë, që janë veç shtigje mes pallatesh që janë ngritur si mish i huaj vend e pa vend, mbetet të jetë një shpresë në rrogoz. Kush shpreson me zë të lartë përqeshet për marrëzinë e tij. Lakrat e fshehta e shumshtresore të qyteteve shqipëtare ndoshta nuk hapen kurrë, pasi janë të mbërthyera fortë nga thonjëza turpesh, thashethemesh, fshatarizmash, harbuterie, hajdutërie, mospjekurie dhe varfërie të herpashershme. Në Shqipëri uturin diku në pavetëdije një ndjenjë konstante varfërie. Mbetemi të ngurtësuar në halat e varfërisë pasi jemi vërtet të skamur. Përpos pozitës, të ardhurave dhe posedimeve të tjera ne sëndukun e mendjes dhe të shpirtit e kemi dac, kishë. Kishë është një krahasim shqipëtar për të treguar zbrazëtinë, për vetë faktin se populli ynë ka qenë i detyruar për të mos frekuentuar kishat për shumë dekada dhe ato në një moment të caktuar të letërsisë apo retorikës shqiptare, u bënë etaloni i boshllëkut. Etaloni i shqipëtarit. Edhe shqipëtari kishë është përbrenda. Vetëm letrat me Naim, Ismail, Pjetër, Gent e Skënderbe, e ngushëllojnë dhe e mbushin kishën brenda shqipëtarit. E madhja dhe e shumënderuara Gjermani a nuk e ndajmë të njëjtin mendim se secilit prej shqipëtarëve i duhet minimalisht një stazh 5 vjeçar të jetuari dhe punuari në Europën Perëndimore, në mënyrë që gjithsecili nga ne të kuptojë kapacitetet rëqethëse të qënies së tij. Përse të mos i jepet mundësia reale këtij populli që të kuptojë se diferenca mes tij dhe bagëtisë fillon që me hedhjen në letër të rreshtave të ndritur të “Bagëti e bujqësi”, këtu e 100 e pak vjetë përpara. Kur ju dha mundësi individëve kurajozë, me iniciativë dhe kureshtje të pashueshme të kulturohet, të piqen, të burrërohen, të maturohen e të sjellin në trutë e tyre një mendje të shëndoshë e të begatë, siç është edhe barku i tyre shumështresorë.
Bij ndajeni veten nga tufa e deleve sepse puna e deles kryesore ju mbetet ju. Ju nuk rroni për të ngënë bar e mbushur stomakun e më pas për të mbushur halenë. Ju nuk rroni për tu shumuar si bagëtia. Jeni shumë hapa larg asaj që ti pandehni se kullosni, ndërsa ajo ju kullot ju.
Në personin e çdo shqipëtari që keni strehuar nëpër kampe, po të hetoni me pak vëmendje do të gjeni një fëmijë të parritur, të papjekur, të torturuar gjatë gjithë jetës nga strese të njëpasnjëshme të akumuluara nën kësulën e vobektë të një këlyshi njeriu. Në secilin nga ata e nga ne të tjerët të mbetur në fund të rreshtit të gjatë që marshon për tek ju, do të zbuloni një adoleshent të burrëruar a ndoshta të plakur, që gënjehet si një riosh, ëndërron si një riosh dhe gabon herë pas here si një rishtar. Prapambetja e këtij populli pa përvojë të vërtetë jetësore është komike po aq sa tragjike. Kthesa historike dhe mundësia që ju dha atij për të evoluar erdhën në një moment të historisë kur mbarë njerëzimi u shkëputën nga të lexuarit, të informuarit cilësor, kultura cilësore. Izolimi ynë i përjetshëm ka pjellë një individ me tipologji interesante. Një pragmatist të skajshëm, mosbesues dhe tregëtar edhe për brekët që ka në trup. Një hajtut dhe gëzon pushtetin e të përzgjedhurit. Një i përzgjedhur potencial që mat trotuarët dita ditës. Në këtë vendin e 3 milion mbretërve, monarkët po vdesin për një çap bukë, por edhe pordhët janë të detyruar t’i shesin me kupon tatimor. Në një ekonomi ku treg kanë gjetur vetëm produktet e huaja, lulëzojnë qofteritë dhe tymi, tradita e vërtë e vetmja traditë e parrejshme shqipëtare. Lulëzojnë kafenetë e të ndejturit kotë e të të gjeneruarit fjalë pafund. Të plotfuqishmët e këtij cepi toke në bregdet, e dinë që kanë të bëjnë me të këtillë individë, që ngjajnë, vishen e sillen si adoleshentë deri në moshen që fillojnë t’u bien dhëmbët, pas kësaj u mbeten edhe disa vjetë për t’u bërë gërnjarë qesharakë, para se të pengohen e të bien në gropë. Të plotfuqishmët e dinë, sepse të njëjtin shejtan torollak kanë në bark, si të gjithë shqipëtarët e tjerë, vetëmse në ndryshim nga të parët, këta “kishat” brenda vetes i kanë plotë me Gentë e Skënderbenj. Kanë gjetur metoda për t’i shumuar këto, janë bërë kamaleon ekspertë për të privilegjuar në kryekulm veten dhe te afërmit, janë kujdesur që të kurdisin gjithçka në mënyrë që të kenë të bëjnë po me të njëjtin popull brezë pas brezi. Në mënyrë që stërnipëria e tyre të kenë ende në duar floririn e lugëve me të cilat ata hanë sot.
Bëhuni e gjerë edhe këtë herë e dashur Gjermani. Le të mos ngelet “…mundësia e një jete më të mirë”, një shprehje e skalitur në shpellat e mermerta të ëndrrave tona. Të dytët pas sirianëve, në ikje nga vendi i tyre, nuk jemi më kotë. Na ndihmo të humbasim nga sytë e këtij vendi burrecësh grindavecë, shfrytëzues fjalëmëdhej e punëpak. Nga syte e vendit tonë që me sa duket nuk bëri kurrë vend për ne.