George F. Will
Washington Post
Greqia vjen si një dhuratë konfirmimi se Margaret Thatcher kishte të drejtë për qeveritë socialiste: “Atyre gjithmonë u mbarojnë paratë e njerëzve të tjerë.” Greqia, prej dramaturgëve të lashtë të së cilës rrjedh dramaturgjia perëndimore, është një melodramë absurde në arritjen e një furnizimi të ri me para nga huadhënësit e saj ndërkombëtarë. Kjo do të jetë një barrë shtesë mbi malin me borxhe dy herë më të madh se GDP e Greqisë.
Në janar, votuesit grekë i dhanë pushtetin partisë së majtë Syriza, një e treta e të cilëve, sipas raporteve të The Economist, janë “maoistë, marksistë dhe përkrahës të Che Guevara-s.” Kryeministri Aleksis Cipras, 40 vjeç, një ish-student radikal, denoncoi menjëherë një deklaratë të Bashkimit Europian që kritikonte rolin e Rusisë në copëtimin e Ukrainës. Ai zgjodhi vetëm një anëtar të qeverisë me përvojë qeveritare të mëparshme – një ish-lider të Partisë Komuniste staliniste greke. Ministri i Kulturës në qeverinë e Cipras thotë se arsimi grek nuk “duhet të udhëhiqet nga parimi i ekselencës… kjo është një ambicie e shtrembër.” Duke zbatuar ato që predikon, ai propozon heqjen e provimeve hyrëse në universitet.
Votuesit zgjodhën Syriza-n sepse ajo premtoi të anulonte reformat, sidomos atë të pensioneve dhe ligjeve të punës, të kërkuara nga kreditorët, dhe t’u rezistojë kërkesave për racionalizim. Cipras menjëherë u betua të rikthente në punë 12 mijë punonjës të administratës shtetërore. Piskamat e tij rriten me kufizimin e mundësive, ai thotë se BE, Banka Qendrore Europian dhe FMN po përpiqen ta “poshtërojnë” Greqinë.
Si mundet dikush të poshtërojë një shtet që zgjedh model ekonomik përllash, që beson se pipa e përfitimit qeveritar mund të zhytet në arin e pasurisë kombëtare? Qasja e Cipras për të zbutur ata që kanë fatet e vendit të tij në duar është të thotë që ata duhet të respektojnë “mandatin” e tij për t’u bërë qëndresë. Ai mendon se votuesit grekë, duke i bërë vetes premtime zhgënjyese, i obligojnë taksapaguesit evropianë t’i financojnë ata. Cipras, i cili thotë se kreditorët e “plaçkisin” Greqinë, përpiqet të plaçkisë qeveritë lokale të tij, të cilat i kundërshtojnë kërkesat e tij të jashtëligjshme për t’i dërguar atij paratë e tyre rezervë.
Yanis Varoufakis, ministri grek i financave, është një akademik që admiron laureatin Nobel John Nash, gjeniu i universitetit Princeton i portretizuar në filmin “A beautiful mind [Një mendje e bukur]”, i cili vdiq kohët e fundit. Varoufakis i pëlqen teoria e lojës e Nash, sidomos teoria e lojërave kooperativiste, në të cilat një ose më shumë pjesëmarrës synojnë një rezultat më të mirë për të gjithë. Ideja e Varoufakis për bashkëpunimin është të akuzojë për “torturë financiare” kreditorët, me paratë e të cilëve Greqia ka jetuar. Cipras u thotë kreditorëve të Greqisë të lexojnë romanin e Heminguejit “Për kë bien kambanat”, me temë nga lufta civile spanjolle. Mesazhi i tij pasiv e agresiv njëkohësisht: “Bëni lojë të kujdesshme ose ne do të vrasim veten!”
Që kur u fut në euro më 2001, Greqia ka marrë borxh një shumë 1.7 herë më të madhe se GDP e saj 2013. Papunësia e saj në 25 për qind (50 për qind mes të rinjve) është pasojë e tkurrjes së GDP me 25 për qind. Sjellja e saj është lypje me shpresën e “shtyrjes dhe pretendimit” të përjetshëm. Por zgjatja e dhënies së borxhit dhe të pretenduarit se kreditorët do të shlyhen një ditë inkurajon socialistët e tjerë europianë të marrin në konsideratë marrjen e borxheve – paratë e të tjerëve që nuk janë më argëtim.
Greqia, me 11 milionë banorë dhe 2 për qind të DGP së eurozonës, nuk mund të shkaktojë efekt domino duke dalë nga euro. Edhe nëse del nga BE, kjo pjekuri e BE mund të inkurajojë euroskeptikët e Britanisë kur, nga fundi i vitit, ai vend do të organizojë një referendum për të rifituar sovranitetin kombëtar duke u tërhequr nga BE. Nëse Greqia e çmon aq shumë sovranitetin e saj sa tërbohet nga kushtet që i vendosin kreditorët, pse gjendet në BE, qëllimi pervers i së cilës është të “bashkojë” sovranitetet e anëtarëve të saj me qëllim që të shuajë ndërgjegjen kombëtare?
BE ka një flamur që nuk e nderon njeri, një himn që nuk e këndon kush, një president që nuk ia di kush emrin, një parlament të varur nga legjislaturat kombëtare, një administratë që nuk e admiron kush ose që kontrollon rregulla fiskale për të cilat nuk është dënuar asnjë vend anëtar që i shkel. Megjithatë, te Greqia ka një anëtar vështirësitë e së cilës janë mrekullisht didaktike.
Duhet thënë sa më shpesh: Nuk mund të ketë shumë karambole socialiste. Më të mirë prej tyre ndëshkojnë kreditorët e pashpirt, huadhënia e të cilëve u mundëson socialistëve të mbajnë frymën gjallë, për një farë kohe, me paratë e të tjerëve. Bota, e cila i ka shumë borxh trashëgimisë së Ahtinës së lashtë, përfshi idenë e demokracisë, i është borxhlie Athinës së sotme që e kujton se realiteti nuk respekton iluzionet e një demokracie.