Qindra qytetarë kanë vërshuar në Portin e Vlorës për të udhëtuar me traget drejt Italisë, e prej andej drejt Gjermanisë. Ata ishin nisur në mënyrë të organizuar, me autobusë dhe me bukë prej shtëpie, për një tur turistik afatgjatë në qendrat muzeale-industriale të Gjermanisë, por janë ndaluar nga autoritetet policore, të cilët janë drejtuar urgjentisht për në Vlorë nga ministri Tahiri, ashtu, siç kanë qenë duke punuar, me pinca në duar, me fitil dinamiti dhe semaforë njëngjyrësh.
Disa prej tyre u shprehën se ndjehen të mërzitur në Shqipëri, pasi ditët janë të qeta, e ardhmja është e sigurt dhe me pak variacion. Ata nënvizuan se mirëqenia e siguruar nga qeveria ua ka bërë jetën të mërzitshme, ndaj po largohen për të kërkuar dinamizmin e nevojshëm, ku përballja me problemet të mundëson t’u japësh kuptim ditëve.
Njëri prej tyre tha:
«Nuk kemi çfarë të bëjmë më në Shqipëri. Para kemi, punë po, shërbimet janë të gjitha të garantuara, shëndetësia e shkollimi janë falas, kriminaliteti minimal, korrupsioni i përket të shkuarës. Kudo ka vetëm rregull, rend, mirëqenie e gjelbërim. Nuk lexon dot as gazetat se nuk ka një lajm tërheqës. Jetët tona janë monotone, rutina është vrasëse. Tani mbaruan edhe festat. U nisa për në Vlorë me 28 nëntor, pastaj për në Shkodër të nesërmen, ku mora vesh se tifozi i fundit i Bajernit të ’44 ishte larguar me 29 nga Gjirokastra dhe u drejtova për atje, por në facebook mësova se një grup tifozësh kishte pas qëndruar deri me 4 dhjetor, e, jam që jam, thash, pse të mos ndalem me 8 dhjetor te gjyshi në Tiranë, e kështu më 13 lozim luftash me kalamajtë e mëhallës. Tani ditët janë të mërzitshme si akrepi i orës. Kemi nevojë për pak adrenalinë, ndaj po ia nisim nga një vend më i vuajtur se i yni».
Megjithatë autoritetet treguan skepticizëm. Ata nuk e besojnë sesi njerëzit mund të arratisen nga kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, pikërisht në këto ditë të lumtura ku gumëzhijnë reformat e ndërmarra prej qeverisë. «Si mund të braktiset ky vend i begatë?» – pyeti z. Çeço Çapajevi, njëri nga punonjësit e forcave të rendit, i shkolluar në Skrapar, që i qetësoi disi turistët e revoltuar. «Aq më tepër tani» – vazhdoi ai – «që sapo celebruam 70 vjetorin e fitorjeve tona të çelikta dhe Kryeministri na e zbardhi faqen kundër serbomëdhenjve mu në mes të Beogradit».
Pastaj menjëherë renditi arritjet aktuale të qeverisë dhe projektet e ardhshme, si p.sh: shpërndarja e energjisë elektrike wireless dhe shtrirja e një rrjeti rrugor super-modern, gjithashtu wireless; minosja e çdo ndërtimi para se të ngrihet në këmbë dhe vendosja e butonave në kryeministri; mbyllja e dyerve të universiteteve private dhe hapja e dritareve; formatimi i sistemit arsimor të lartë përmes kalimit nga sistemi i Bolonjës, 3+2, në 4+4+2 (4 shkollë, 4 stazh, 2 testim dhe…); ngritja e rrogave, pensioneve, asistencave, bursave, me suposta të shpërndara nëpër zyrat e punës, ku gjithashtu ministri i palodhur Veliaj ka menduar hapjen e vendeve të reja të punës me sistemin ‘playstation 5’; pajisja me pasaporta të reja, kësaj here banjo-metrike, ku çdo dokument do të përmbajë si element identifikimi edhe një xhufkë personale leshi – vizat na i hoqën po leshi do na mbetet; profesionalizimi i administratës publike me teste të herëpashershme, që respektojnë sistemin 3+2, jo të Bolonjës, por atë të ‘5 katëshit’, thënë ndryshe LSI ose ‘bjer 5 vota dhe aftësohesh’ – kështu luftohet militantizmi dhe promovohet birkurvizmi; ushtria do të pajiset me armatime të reja te tipit ‘star trek’, duke filluar nga posterat e Enver Hoxhës, bunkerët e xhepit për syrin e keq, e deri te shumëfishimi i pallës së Skënderbeut nga materiale bio, në mënyrë që trupat tona paçe-rruajtëse ta përcjellin demokracinë nga fitorja në fitorje.
Normalisht, pasi dëgjuan këto perla turistët rilindën. Atëherë njëri prej përfaqësuesve të tyre iu drejtua grupit duke sugjeruar, ashtu si Skënderbeu në Lidhjen e Lezhës, që të bënin një gjest human për Gjermaninë, në emër të Europës: bukën dhe ndërresat që kishin marrë me vete t’i grumbullonin në Kryeministri, në mënyrë që z. Rama t’i paketojë për z. Merkel, dhe t’i ftojnë gjermanët në Shqipëri, me kushtin që të mos ikin më, si në ’44.
Sidoqoftë, megjithëse situata u qetësua, dyshimet mbetën, madje ranë mbi opozitën, e cila shihet si promovuese e këtij turizmi hedonist. Sipas policisë, ngaqë të dhënat tregojnë se të gjithë të larguarit njihen si sollakë, kjo bëhet për qëllime elektorale në zgjedhjet bashkiake që po afrojnë, aq më tepër që sistemi operativ i përllogaritjes, ‘ArbenRistani & Co’, është në ‘standby’ partiak. Gjithashtu, sipas tyre, kjo bëhet që opozita të gjejë sebepin për të kritikuar qeverinë se reformat e saj për të hedhur në erë mërzinë dhe rutinën e qytetarëve kanë dështuar, ndërkohë që stresi i lumturisë po shkatërron shoqërinë.