Vdekja e Dritëro Agollit dhe e qara “virtuale” me poezi të tij që postohen në facebook, përfshirë edhe të qarën e politikanëve nga çdo forcë politike që një tjetër goditje e një tranzicioni post-komunist nga i cili nuk po dalim më të dekomunistizuar. Të kuptohëmi, nuk kam problemin për keqardhjen për Dritëroin njeri, dikush e ka pasur mik, por ajo që më shqetëson në gjithë këtë mes është adhurimi i veprës së tij. Dritëro Agolli jetoi dhe shkroi në periudhën më të errët të Shqipërisë moderne në atë komuniste, nuk ishte një poet e shkrimtar dosido por ishte koka e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Në thelb, si çdo institucion tjetër (veçanërisht kulturor), Lidhja ishte edhe sitësja e veprave letrare të të rinjve apo shkrimtarëve të vendit. Që hapi i parë për të rrezikuar hetuesinë (siç dëshmojnë vdekja e Havzi Nelës, Blloshmit apo dhe Njollat e Murrme). Dritëroi ishte koka e kësaj lidhje, një nga personat që ka përgjegjësi për manipulimin ideologjik të një populli të tërë dhe në thelb ishte një nga ato që mbante në këmbë teoritë e Zhdanovit për sociorealizmin komunist. Të shpalosurit e poezive (le t’i quajmë poezi se për mua janë vjersha mediokre) nuk është asgjë më shumë se një helmim i vazhdueshëm. Por, nuk është vetëm kjo histeri virtuale që më bëri të shkruaj këto radhë. Një tjetër arsye janë tekstet e shkollave.
Të rinjtë e vendit tonë që nuk mësojnë ASGJË për komunizmin dhe tmerrin e asaj kohe sot në shkolla mësojnë nga klasa fillore e deri në shkollë të mesme shkrimtarë të regjimit komunist. Mësojnë edhe vjershat e Dritëroit padyshim, këto poezi apo dhe vepra letrare si romani, shkëputen tërësisht nga konteksti i asaj kohe. Madje jo vetëm kaq, këtyre shkrimtarëve u hiqet më shumë se gjysma e poezive të tyre të dedikuara për Partinë, Haxhi Lleshin, Enverin, Nexhmien, Mehmetin dhe u lihet një pjesë e vogël e cila u hidhet në tekstin e letërsisë pa asnjë koordinatë të saktë. Kësisoj, autori bëhet i dashur për lexuesin dhe prodhon një realitet të paqenë, duket sikur le të themi Dritëroi është ai poeti romantik që i shkroi fshatit që bëri dhe ca poezi për partinë po se ashtu që koha ama ai ishte një poet i përkryer. E gjitha kjo nuk është vetëm se ndotje intelektuale që u bëhet fëmijëve që nuk mësojnë asgjë për socrealizmin, për lidhjen e shkrimtarëve, për hetuesinë ama mësojnë disa poezi sa andej e këndej nga disa shkrimtarë (që i vemë edhe epitetin “të mëdhenj”). Kjo rrezikon të prodhojë një shoqëri që nuk ka dijeni për të shkuarën e saj… njësoj siç prodhojnë në fakt regjimet totalitare.
Tani, imagjinoni pak lëvdatën për veprën e Kadaresë. Ky i fundit, ndryshe nga Agolli, ka pasur mundësinë që të ndërhyjë në veprat e tij letrarë duke i ndryshuar ato. Ka zgjedhur vetë se kë do të ribotojë dhe si do ta ribotojë (përfshirë edhe veprat e tij kryesore). Imagjinoni pak helmin kulturor që do ushqehen fëmijët tanë? Do ushqehen me një roman të ndryshuar sipas dëshirës së autorit duke ndërhyrë njësoj siç një kriminel bën për të ndërtuar krimin perfekt… pa fakte, pa indicie, pa prova ama vetëm me alibinë e tij si realitet…
Milan Kundera thotë në kryeveprën e tij Lehtësia e papërballueshme e Qenies “Kushdo që mendon se regjimet komuniste ishin punë posaçërisht e kriminelëve po gjykon sipërfaqësisht. Regjimet kriminale janë produkt jo i kriminelëve, por i entuziastëve të bindur se kanë zbuluar rrugën e vetme për në parajsë. Ato e mbrojtjën rrugën e tyre në mënyrë kaq të lavdishme saqë u detyruan të ekzekutonin shumë njerëz. Më pas iu bë e qartë se nuk kishte parajsë, e kësisoj entuziastët u shndërruan në vrasës”