Jaime Pozuelo-Monfort
Qysh kur zbrita në Shqipëri të shtunën e 30 gushtit, kam takuar rreth 100 nga personat më të rëndësishëm, përfshi ministra, zv/ministra, deputetë, presidenti dhe drejtorë të konglomerateve më të mëdha të biznesit, rektorë universiteti, zv/rektorë, dekanë e profesorë, liderë e sekretarë ekzekutivë të OJF, ambasadorë e konsuj nderi, drejtorë fondacionesh, shkrimtarë, piktorë, drejtorë muzeumesh, teatri dhe operash, kryetarë bashkish, aktorë, drejtorë filmash, gazetarë, reporterë, presidentë urdhrash e shoqatash dhe intelektualë. Në fakt, do të dështojë kushdo që përpiqet të kërkojë një shkrimtar të huaj që, në më pak se tre muaj, të ketë takuar kohët e fundit më shumë autoritete të rëndësishëm. Shumë vetë më pyesin se çfarë mendoj për këtë republikë ballkanike të vogël dhe dinamike. Diagnoza ime duhet të jetë brutale: në Shqipëri sistemi ka dështuar. Diagnoza ime nuk është personale, por u përket 100 personave më të rëndësishëm të vendit që unë i kam takuar deri tani. Misionet e Bankës Botërore dhe FMN zgjasin vetëm disa ditë. Njeriu mund të kuptojë realitetin e një vendi vetëm në rrethana të caktuara dhe me një strategji provash të sakta në tre muaj.
E vështirë është për mua të mësoj volinë e të qenit i sinqertë në mënyrë brutale. Por duhet ta bëj patjetër. Përndryshe nuk do jem duke respektuar një kod etike që synon të kontribuojë në prosperitetin e të ardhmes së vendit. Me qëllim që të sjellim përmirësim duhet së pari të jemi brutalisht të sinqertë me dobësitë tona dhe të identifikojmë arsyet pse institucionet dhe politikat po dështojnë. Pastaj duhet të krijojmë zgjidhje, të cilat, me vizion, kurajë, disiplinë, udhëheqje dhe vendosmëri do të zbatohen për hir të shqiptarëve. Defektet e sistemit në Shqipëri do t’i lë për analiza të mëvonshme. Pëlqej të përqendrohem në gjërat themelore të trajtuara nga ekspertët në lidhje me arsyet e dështimit të sistemit në vendin e vogël ballkanik, pas 25 vjet reformash të improvizuara e disi kaotike të nxitura e shpesh të imponuara nga agjentët ndërkombëtarë dhe donatorët.
Më 1991, Shqipëria la mbrapa regjimin komunist më të mbyllur dhe më të egër në botë, i dominuar nga Enver Hoxha deri më 1985. Shumë fusha në regjimin e kaluar funksionin më mirë seç funksionojnë sot. Ekonomia e tregut dhe demokracia kanë sjellë kaos, korrupsion dhe improvizim në republikën e re dhe dinamike. Institucion për t’u mbajtur mend, transporti publik, sistemi arsimor me tre nivele – tetëvjeçare, e mesme, universitet – funksiononin më mirë gjatë regjimit komunist. Madje dhe kultura ishte më mirë e financuar dhe shoqëria ishte karakterizuar nga mungesa totale e korrupsionit. Askush nuk e vuri në dyshim nevojën e përqafimit të një ekonomie tregu funksionuese brenda një demokracie të drejtuar me butësi. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka ndodhur kështu, dhe nevoja për të përqafuar bërjen e politikave radikale është manifest.
U flas elitave shqiptare që mund të lexojnë këtë analizë. Shumë do të befasohen e çuditen nga qartësia e fjalëve të mia. Mos u habisni. Merreni si paralajmërim. Këto nuk fjalët e mia. Këto fjalë, këto deklarata që po i bëj të qarta sot u përkasin njerëzve dhe zyrave më të rëndësishme të vendit. Nuk ka vend për optimizëm. Situata është dramatike. Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e drejtimit për të ndryshuar kursin e historisë. Shqipëria mund të vazhdojë të ecë me shpejtësinë e një treni me avull ose mund të bëhet një tren maglev [tren me shpejtësi shumë të madhe]. Bëni kujdes, në të dy skenarët do të ecim përpara me perceptimin e progresit. Elitave të tanishme u mungon njohja dhe teknologjia të shpejtojnë ndryshimet kështu që ndryshimi relativ është i mundshëm.
Shqipëria sot qeveriset është një numër partish politike që drejtohen nga kope politikanësh mediokër. Ka – si gjithmonë – përjashtime nga rregulli. Endogamia dhe nepotizmi ushqen rangjet e administratës publike, ku sundojnë lidhjet, paraja, ose trafiku i influencës, kush punësohet e kush jo, në ministri, Bankën Qendrore, bashki, spitale shtetërore, shkolla dhe universitete. Mungesa totale e meritokracisë inkurajon gjithsecilin t’i telefonojë një miku ose një të njohuri kur përpiqet t’i futë djemtë dhe vajzat në administratën publike. Pronarë korporatash të mëdha kontrollojnë medien e polarizuar në mënyrë radikale dhe të fragmentuar, e cila, sipas modelit perëndimor, transmetojnë programe argëtimi të ulët, plot politikë dhe dhunë pa lidhje me sfidat reale të ardhshme të vendit dhe botës. Padyshim dhe gabimisht, qytetarët bëhen viktimat e mjera të Big Brother-it të Oruellit në romanin “1984”, që helmojnë thashethemet me prioritete të gabuara.
Shqipëria është sot një vend ku korrupsioni është manifest në çdo nivel të shoqërisë, nga individi te grupi, nga më i varfri te më i pasuri. Të gjithë, pa përjashtim, përpiqen të gjejnë rrugën e shkurtër për të përfituar në mënyrë të pandershme duke shfrytëzuar sistemin sa më mirë. Presioni nga prindërit në sistemin shkollor i detyron mësuesit dhe profesorët të ngrenë notat e fëmijëve e atyre që janë më të pasur e më të pushtetshëm. Anëtarë të parlamentit drejtojnë universitete private me cilësi të dyshimtë që u shesin të rinjve diploma që ata s’do kenë kurrë mundësi t’i shfrytëzojnë, ndërsa përdorin të ardhurat për të financuar studimet e fëmijëve të tyre jashtë vendit. Papunësia e rinisë dhe ekonomia informale e pengojnë ekonominë e vendit për të mbledhë taksat. Në pamundësi të mbledhë taksat, establishmenti politik zgjedh ngritjen e taksave. Ata që jetojnë në fshat emigrojnë në qytet për një jetë më të mirë që nuk e gjejnë. Ata që jetojnë në Tiranë, e kuptojnë mungesën e mundësisë këtu, zgjedhin të emigrojnë jashtë, ku zakonisht mbeten të papunësuar në sektorin e shërbimeve. Ndërkohë politikanët përpiqen të diktojnë sesi duhet të jetë shoqëria, pa e treguar me shembull. Nuk ka modele për të marrë shembull ose për të frymëzuar.
Fëmijët e lindur pas rënies së komunizmit përballen me një treg pune të tmerrshëm, ku shpresat e tyre më të mëdha konsistojnë në gjetjen e një pune në një call center, në shërbim të tregut italian. Ata me fat që gjejnë punën shfrytëzojnë çdo lloj lidhjeje që mund të kenë. Mungesa totale e konkurrencës i bën universitetet shqiptare zgjedhjen më të keqe të mundshme, edhe ato private. Ata që munden i dërgojnë fëmijët të studiojnë jashtë dhe të qëndrojnë aty për të shmangur gabimet e dukshme të lidershipit dhe prosperitetit.
Institucionet ndërkombëtare po e përkeqësojnë skenarin duke i bërë një shërbim të keq shoqërisë shqiptare, me pranimin e vlefshmërisë së elitave të tanishme. Të gjithë që kanë interesa në sistem nuk mund ta ngrejë zërin. Unë zgjodha të flas sepse jam i huaj dhe nuk kam ç’humbas e nuk kam konflikt interesi kur vjen puna për të qenë e drejtpërdrejtë dhe i drejtpërdrejtë me një realitet që është e pamundur të durohet më tej. Një qytetar i botës më saktë e jo i huaj, i cili ndihet në Shqipëri si në vendin e tij.
Megjithatë ka shumë arsye për të qenë optimist, kur shikon progresin e vendit që nga 1991. Por ka vend të mjaftueshëm për t’u shqetësuar seriozisht. Treguesit makroekonomikë mund dhe duhet të jenë më të mirë, duke filluar me të ardhurt për frymë, rritjen e PBB, nivelin e papunësisë, investimet e huaja direkt ose niveli i broxhit publik karshi PBB.
Ndërkohë, vendet perëndimore vazhdojnë të eksportojnë një model ekonomik të papërdorshëm bazuar në vërshimin e produkteve dhe shërbime të panevojshme, të cilat vendet perëndimore i prodhojnë dhe eksportojnë për hir të ekonomive të tyre të zhvilluara dhe personelin me nivel të lartë arsimor. Shqiptarët vazhdojnë të pëlqejnë Mercedes-at dhe I-Phone-t, që për habi gjenden me shumicë në një vend me të ardhura për frymë nën kufirin e 10 000 dollarëve në vit. Qeverisja e bazuar në politikë të fragmentizuar sipas spektrit ideologjik po shkatërron mundësinë e bashkimit të shoqërisë përjashto në rastin e nacionalizmit dhe futbollit, të cilat mund të sjellin gëzim dhe krenari të përkohshme, por kurrë nuk sjellin progres e prosperitet. Dhe, me që ra fjala, pavarësisht veshjes së jashtme të politikës si e majtë ose e djathtë, të gjitha partitë politike përdorin të njëjtën ideologji pikërisht në qendrën e mundësive të panumërta.
Shqipëria dhe shqiptarët mund të jenë duke bërë progres absolut, por sot ka rëndësi progresi relativ krahasuar me shtetet më të zhvilluara. Nëse progresi relativ është i ngadaltë, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet mbrapa dhe jo të ngjitet në renditjet ndërkombëtare. Drama, orgjia e qeverisjes së keqe, epidemia e korrupsionit, të këqijat e nepotizmit dhe lidhjeve do të shkatërrojnë një vend dhe një shoqëri tashmë e turbulluar, të lodhur, të humbur në një tranzicion për akund, ku dritën e mbulon hija e interesave partizane lokale ose ndërkombëtare. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, Shqipëria hapi kutinë e Pandorës kur e pa perëndimin si standard që duhet ta kopjonte dhe pasonte. Vendet perëndimore janë shembulli më i mirë për atë që nuk duhet kopjuar ose përqafuar si standarde për botën e zhvilluar. Kanadaja dhe SHBA nuk do të ishin ato që janë sot sikur të mos kishin pasur diasporë të madhe me personel të kualifikuar që zbriti në brigjet e tyre. Europa perëndimore nuk do të ishte ajo që është sot pa disa shekuj kolonizimi, shpesh abuziv, dhe asgjësimin e territoreve të largëta ku shoqëritë u masakruan dhe iu imponuan sisteme e standarde që thjesht nuk u përshtateshin.
Shqipëria duhet të ndryshojë rrjedhën e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj për të ndryshuar kursin e historisë. Shqipëria duhet të përqafojë bashkëpunimin ekstrem me fqinjët e saj përfshi Kosovën, por dhe Maqedoninë e Serbinë. Nga një treg i madh do të përfitojnë të gjithë në Ballkan. Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojnë thirrjen time dhe t’i bashkohen përpjekjeve tona të shpallim një paradigmë qeverisjeje post-politike si alternativë. Mediokrit dhe të korruptuarit ose të japin dorëheqjen ose të ndërmarrin një ndryshim radikal. Interesat e përbashkëta duhet të jenë prioritet mbi interesat individuale derisa Shqipëria të arrijë një nivel të arsyeshëm prosperiteti goxha larg nga niveli i tanishëm.
Puna ime është e saktë, precize dhe e drejtë. Ajo përshkruan në narrativë të drejtpërdrejtë pjesën qendrore të shpërndarjes së opinioneve që kam mbledhur nga rreth 100 personalitete. Kushdo që kërkon të më sfidojë mund të përballet me protagonistët vendas që më kanë mirëpritur mua dhe praninë time në republikën më miqësore të Europës. Unë jam i sigurt dhe ndihem rehat me analizën time. Sa u përket statistikave, nuk mund të jem gabim ose i njëanshëm pasi kam folur e kaluar qindra orë kohë me njohësit dhe vizionarët e vërtetë të vendit.
Po ju flas ju shqiptarë. Ka ende kohë të rikthejmë drejtimin tonë drejt të ardhmes më të mirë të mundshme. Duhet të jeni të hapur dhe kurajozë. Së bashku mund ta bëjmë këtë me ndihmën e Ëndërrimtarëve Ekspertë. Republika më miqësore dhe më e bukur e Europës mund të realizojë ëndrrën e saj, por jo me aktorët dhe aksionarët e sotëm.