Will Miller
New York Times
Politikanët dhe reformatorët e arsimit janë të fiksuar pas përgatitjes së mësuesve, por shpesh ata anashkalojnë një përbërës kyç në përmirësimin e arritjeve të studentëve: drejtorët. Problemi është se drejtorët e mirë nuk përfundojnë në shkollat që kanë më shumë nevojë për ta – ata me studentë të dobët dhe minoritarë. Shkollat e qarqeve, shtetëroret dhe universitetet duhet të bëjnë më shumë të gjejnë drejtorë të shkëlqyer.
Një gjeneratë më parë, drejtorët e mirë ishin menaxherë të mesëm të mirë. Ata kontrollonin buxhetin, menaxhonin orare të komplikuara të autobusëve dhe mbanin disiplinë. Kjo nisi të ndryshojë në mesin e viteve 1990. Drejtorët e sotëm duhet të jenë më shumë të fokusuar në mësimdhënien që bëhet në klasë.
Shikoni Clayborn Knight, drejtori i shkollës fillore Nesbit, në Tucker, Georgia, ku më shumë se 90 për qind e 2100 nxënësve të tij jetojnë në varfëri. Zoti Night mbërrin në shkollë në 6 të mëngjesit që të bëjë planin e tij për ditën dhe të trajtojë çështjet administrative, me qëllim që të ndihmojë mësuesit të përmirësojnë instruksionet gjatë gjithë ditës. Ai kalon nga klasa në klasë për të vëzhguar mësuesit, u jep atyre informacion jo zyrtar dhe i prezanton me modele mësimdhënieje.
Dewey Hensley, ish-drejtor i Akademisë së Ekselencës në Mësimdhënie J. B. Atkinson Louisville, Kentucky, ku thuajse gjithë studentët – rreth 400 – jetonin në varfëri, përdori statistikat për t’i nxitur mësuesit të merrnin përsipër përgatitjen e studentëve. Ai e mbushi një mur në dhomën e stafit me fotot e mësuesve dhe me grafikë me ngjyra që tregonin nëse nxënësit e tyre ishin në nivel kalues, jo kalues, dukshëm jo kalues. Dikur një nga shkollat me rezultatet më të dobëta, shkolla e tij e dyfishoi nivelin e notave të larta në lexim, matematikë dhe shkrim.
Kimberly Washington, drejtore e shkollës së Hyattsville, i shpalli tolerancë zero sjelljes që ndërpriste mësimdhënien dhe studimin – studentë që bridhnin korridoreve dhe hynin në mësim me vonesë. Ajo vendsoi uniforma, ndihmoi studentët që silleshin keq dhe i promovonte sukseset e studentëve në takime kolektive. Krijimi i një kulture pozitive ndihmoi në uljen e përjashtimeve me 90 për qind brenda një viti.
Pa drejtorë të fortë si këta, rezultatet e studentëve nuk do të përmirësohen.
Shumica e drejtorëve fillojnë si mësues. Zakonisht bëjnë master për administratën arsimore, por shumë programe trajnimi për drejtorë në universitete janë “të pamjaftueshëm e të magët”, sipas një studimi të Arthur Levine, ish-president i Kolegjit të Mësuesve në Universitetin e Columbia-s. Kandidatët për drejtorë marrin leksione në menaxhim të përgjithshëm, ligjet e shkollës dhe kërkesat administrative, me shumë pak theks në mënyrën e përmirësimit të mësimdhënies dhe studimit për studentët.
Drejtorët e rinj shpesh vendosen në këto poste për tu mbytytur ose pluskuar me fare pak ndihmë nga qarku, duke i detyruar shumë prej tyre të heqin dorë para se t’i përmirësojnë gjërat. Mesatarisht, drejtorët në gjithë vendin qëndrojnë në një shkollë 3-4 vjet. Kjo është më pak se 5-7 vjet që rekomandojnë studiuesit e Minnesota-s dhe Toronto-s, të cilët kryen një studim për drejtimin e shkollave.
Është e vështirë të gjesh një profesion tjetër ku i kushtohet kaq pak vëmendje drejtimit. Organizata si ushtria, korporatat dhe universitetet investojnë shumë për drejtuesit e tyre. Nëse do ta bënim këtë në shkollat tona, atëherë do të ndryshojnë shumë gjëra.
Në Kongres, ligjbërësit që debatojnë ligjin për arsimin fillor dhe sekondar (ekuivalent me klasat e sipërme të 9-vjeçares) duhet t’i kenë prioritet drejtorët. Sot vetëm 4 për qind e parave federale për përmirësimin e arsimit harxhohen për drejtorët. Politika federale duhet të financojë trajnim të përmirësuar drejtorët.
Programet e universiteteve duhet të pranojnë në mënyrë të përzgjedhur kandidatë, të cilat realisht duan të bëhen drejtorë, jo mësues që shikojnë të shtojnë kreditit për të fituar rritje rroge.
Mësuesit e talentuar janë thelbësorë, por kjo s’mjafton. Ata kanë nevojë të drejtohen e të zhvillohen të bëhen drejtorë të talentuar.