Niall Ferguson
Wall Street Journal
Edhe para se të bëhej këshilltar i Richard Nixon-it për sigurinë kombëtare, Henry Kissinger-i e kuptoi sa e vështirë ishte merreshe me politikën e jashtme në Uashington. “Nuk ekziston diçka e quajtur politikë e jashtme amerikane,” shkroi zoti Kissinger më 1968. Ka vetëm “një seri lëvizjesh që kanë prodhuar një rezultat të caktuar” që ata “mund të mos e kishin planifikuar ta prodhonte.” Janë “organizatat kërkimore dhe inteligjente”, shtoi ai, që “përpiqen t’i japin racionalitet dhe vazhdimësi”, e cila “thjesht nuk e ka.”
Dy patologji të dallueshme amerikane shpjeguan mungesën themelore të mendimit strategjik koherent, një, personi që në krye ishte zgjedhur për të tjera aftësi. “Lideri politik tipi i shoqërisë manaxheriale bashkëkohore,” shkroi zoti Kissinger, “është një person me vullnet të fortë, me kapacitet të lartë për të fituar zgjedhjet, por jo me ndonjë konceptim të madh për atë që do të bëjë kur të marrë detyrën.”
Dy, qeveria ishte plotë me njerëz të trajnuar për juristë. Për të bërë politikë të jashtme, deklaroi dikur zoti Kissinger, “duhet të njohësh sa lidhje ka historia.” Por juristët ishin “grupi i vetëm më i rëndësishëm në qeveri,” tha ai, dhe pengesa frenuese kryesore e tyre ishte “mangësia në histori”. Kjo ishte paragjykuar për një kohë të gjatë. “Juristët e zgjuar që drejtojnë qeverinë tonë,” i shkroi ai një miku më 1956, e kanë dobësuar kombin duke instaluar “prirjen për risk minimal, që është tipari ynë më i dallueshëm.”
Tani, le të shikojmë. Garues i shquar në fushatë, një tufë juristësh, dhe një “prirje për risk minimal.” Çfarë ka në këtë kombinim që tingëllon i njohur?
Shtatë vitet e fundit unë jam përpjekur të kuptoj se cila është strategjia e vërtetë e Barack Obama-s për SHBA. Për pjesën më të madhe të presidencës së tij, siç më tha një herë një gjeneral i shquar për strategjinë e komandantit të përgjithshëm [presidenti], “ne duhej ta kuptonim atë nga fjalimet.”
Së pari, mendova se strategjia e tij nuk do të ishte si e paraardhësit të tij – një qasje që nuk ishte e tëra e paarsyeshme, duke pasur parasysh gabimet e administratës Bush në Irak dhe zhgënjimin e publikut. Lexova fjalimin e zotit Obama më 2009 në Kajro – me citimet e tij prej Kuranit dhe premtimin e tij për “një fillim të ri mes SHBA dhe myslimanëve në gjithë botën” – thjesht si manifest anti-Bush.
Por ç’kuptim kishte kjo në praktikë nuk ishte krejtësisht e qartë. Precipitim të tërheqjes së gjithë forcave amerikane nga Iraku, dhe një sulm të kufizuar në Afganistan. Një “rikthim” me Rusinë, dhe indiferencë ndaj Europës. “Bosht” për Azinë, dhe mesazhe të përziera Kinës. Pastaj, në përgjigje të revolucionit në Tunizi, Egjipt, Siri dhe Libi, konfuzion i plotë, kulmi i të cilit ishte vija e kuqe e rremë në shtator 2013 në lidhje me përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Assad-it në Siri dhe deklarata e zotit Obama që “Amerika nuk është polic global.”
Një strategji e përafërt e Obama-s u shpalos në prill vitin e kaluar, në fund të një turi presidencial në Azi, kur ndihmësi i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve që doktrina e Obama-s ishte: “Mos bëj budallallëqe!”
Megjithatë, tani e shikoj që kjo nënkupton më shumë.
Presidenti gjithmonë synonte të hidhte poshtë më tepër se politikën e jashtme të George W. Bush-it. Në një debat presidencial më 2012 me Mitt Romney, zoti Obama e bëri të qartë se ai po distancohej dhe nga Ronald Regaan-i. “Vitet 1980 tani po kërkojnë të kthehet politika e jashtme e tyre,” u tall ai, “sepse Lufta e Ftohtë ka mbaruar prej 20 vjetësh.” Referenca e zotit Romney për Rusinë si “armiku ynë gjeopolitik numër një” tani duket si parashikim, ndërsa mburrja e presidentit, në një intervistë për revistën New Yorker më janar 2014, se nuk “kam nevojë për George Kenan tani” duket si mohim i vetë përvojës së politikës së jashtme. Dy muaj më vonë, Vladimir Putini aneksoi Krimenë.
Zoti Obama kishte gjithashtu planin e tij për Lindjen e Mesme. “Do të ishte krejtësisht në interesin” e qytetarëve të rajonit “nëse sunitë dhe shiitët nuk do të vrisnin njëri-tjetrin,” tha zoti Obama në të njëjtën intervistë. “Nëse e bëjmë Iranin të veprojë në mënyrë të përgjegjshme – të mos financojë organizata terroriste, të mos përpiqet të nxisë pakënaqësi sektare në vendet e tjera, dhe të mos ndërtojë armë bërthamore – do të shikoni një zhvillim të ekuilibruar mes… shteteve të Gjirit me shumicë suite dhe Iranit.”
Tani e shikoj që kjo ishte një strategji – një strategji që synonte të krijonte një balancë të re pushtetit në Lindjen e Mesme. Marrëveshja për programin e armëve bërthamore të Iranit ishte pjesë e qëllimit të zotit Obama (siç e quajti me gazetarin Jeffrey Goldberg në maj) “të gjejmë partnerë të dobishëm – jo vetëm në Irak, por në Siri, në Jemen, dhe në Libi.” Zoti Obama tha se donte të “krijonte koalicionin ndërkombëtar dhe atmosferën në të cilën popujt në vijat sektare të bëjnë kompromis dhe të punojnë bashkë me qëllim t’i japin brezit tjetër një mundësi për të luftuar për një të ardhme më të mirë.”
Të njëjtin informacion të paqartë përcolli fjalimi i zotit Obama në Asamblenë e OKB javën e kaluar, në të cilin ai tha fillimisht se donte “të punonte me shtete të tjera nën mantelin e normave, parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare,” por shtoi dhe se, për të zgjidhur problemin sirian, ai ishte i gatshëm të punonte me Rusinë dhe Iranin – asnjëri i njohur për harxhim kohe nën atë mantel – nëse ata do të ishin dakord për rrëzimin e një diktatori tjetër në Lindjen e Mesme.
Një mundësi lufte për një të ardhme më të mirë në Lindjen e Mesme? Kjo e bën atë një mundësi më të mirë për një të ardhme në luftë.
Është e qartë që strategjia e presidentit po dështon në mënyrë shkatërrimtare. Qysh më 2010, vdekjet e përgjithshme nga konfliktet e armatosura në botë janë shtuar rreth katërfish, sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike. Vdekjet e përgjithshme nga terrorizmi gati janë gjashtëfishuar, bazuar në të dhënat e Studimit të Terrorizmit dhe Reagime ndaj Terrorizmit i Universitetit të Merilandit. Afërsisht gjithë kjo dhunë është e përqendruar në një territor të shtrirë nga Afrika e Veriut në Lindjen e Mesme në Afganistan dhe Pakistan. Dha ka shumë arsye për të besuar që dhuna do të përshpejtohet ndërsa fuqitë suite në rajon kërkojnë të parandalojnë Iranin që të kthehet në hegjemonistin e një periudhe post-amerikane.
Sot SHBA përballet me tre sfida strategjike: vorbullën në botën myslimane, makinacionet e një Rusie të dobët por të pashpirt, dhe ambicien e Kinës në rritje. Reagimet e presidentit për të tria këto duken tmerrësisht të pamjaftueshme.
Ata që e njohin mënyrën e punës në Shtëpinë e Bardhë të Obamës habiten pse ky president, i cili erdhi në detyrë pa përvojë në politikën e jashtme, ka bërë kaq pak përpjekje për të punësuar ekspertizë strategjike. Të jemi të drejtë, Denis McDonough (tani shefi i stafit në Shtëpinë e Bardhë) ka njohje të mirë të Amerikës Latine. Ndërsa në Oksford, këshilltarja për sigurinë kombëtare Susan Rice mbrojti doktoraturën për Zimbabvenë. Dhe Samantha Power, ambasadore në OKB, ka botuar dy libra të rëndësishëm.
Por të tjerë lojtarë kryesorë nga ata lloj njerëzish për të cilët Henry Kissinger u ankua më shumë se gjysmë shekulli më parë: Michael Froman, përfaqësues i tregtisë, ishte një nga shokët e klasës të Obamës në Harvard Law School; zv/sekretari i shtetit Tony Blinken është diplomuar në Columbia J. D.; eminenca gri Valerie Jarret u diplomua në Universitetin e Miçiganit. Por sekretari i shtetit John Kerry? Boston College Law School, ’76. [Pra, të gjithë juristë]. Asnjë nga njerëzit që këshillojnë presidentin nuk mund të pretendojnë që kanë kontribuar në doktrinën strategjike e krahasueshme me ato që bënë zoti Kissinger ose Zbigniew Brzezinski para se të shkonin në Uashington.
Disa gjëra mund t’i mësosh në detyrë, si për shembull të bëhesh organizator i komunitetit. Strategjia kombëtare e sigurisë është ndryshe. “Zyra e lartë të mëson për vendimmarrjen, jo substancën,” shkroi dikur zoti Kissinger. “Ajo konsumon kapital intelektual; nuk e krijon atë.” Presidenti i ardhshëm mund të ketë arsye për keqardhje që Obama nuk u kushtoi vëmendje atyre fjalëve. Duke e bërë strategjinë e tij në rrugë e sipër, ky president ka mbjellë erën. Pasuesi i tij do të korrë fishkëllimën e erës. Ai ose ajo bën mirë të sjellë ca kapital intelektual serioz në Shtëpinë e Bardhë.
Niall Ferguson është autor i biografisë së Henry Kissinger e sapo botuar nga Penguin.