Ndeshja Shqipëri-Armeni ishte vërtetë e bukur dhe emocionuese. Ajo na mbajti peshë deri në fundin e saj duke na mbërthyer para ekranit. Gjithçka ish perfekte dhe natyrisht ofroi kënaqësi. Mirëpo, me sa duket spektakli i ndeshjes ishte shumë pak për një popull të etur për festë e miting. Njerëzit vërshuan në rrugë duke festuar, si gjithmonë – në rast se nuk është Shën Valentin, Ditë Vere apo 1 Maj – me bori makinash që marshojnë në mënyrë kaotike nëpër rrugët e qyteteve. Kaq kemi mundur të kultivojmë nga mjetet e demonstrimit kolektiv të gëzimit.
Deri këtu në rregull. Nuk pretendoj që të gjithë shqiptarët të kenë qoftë edhe një minimum vetëdijeje për të kërkuar arsye në veprimet e tyre. E qartë, shumë njerëz, ndoshta edhe shumica prej tyre, nuk kanë nevojë t’i japin kuptim asaj që bëjnë. Por ajo që i çakordon neuronet është manipulimi nga disa qerratallarë, që mundohen të nxjerrin ndonjë leverdi nga gafleti i njerëzisë. Kur sheh një miting-koncert masiv të organizuar në Elbasan nga një rrjet televizionesh kabllore me rastin e fitores, gjërat dalin komplet nga fokusi i perceptimit.
Imagjinoni nëse një qytetar i huaj, europian apo çfarëdo, i ndodhur dje në Elbasan, të qëllonte duke shëtitur rrotull kalasë. Si do t’i përgjigjeshit nëse ju pyeste se “ç’festë a ç’gëzim i kish mbledhur gjithë ata njerëz aty”? A mund t’ia shpjegosh dot pa u shkulur gazit, apo pa u skuqur nga turpi se sebepi i gjithë atij ekzaltimi ishte fakti se kombi ynë, pasardhës i pellazgëve, kish arritur të rrihte Armeninë në futboll? Hajde thuaji pastaj turistit se populli po brohoret i gëzuar: “oh sa mirë me qenë shqiptar, o hej”!
E pra, duket se këta qerratallarë nuk u mjaftuakan me spektaklin e djemve të kombëtares për shkëlqimin e një mbrëmjeje sportive, por kësaj i duhet shtuar doemos edhe spektakli i budallëkut tonë televiziv, bashkëshoqërues i pandashëm i gëzimeve, hidhërimeve e marrëzive tona të përditshme. Heronjve të mbrëmjes që treguan shpirtin sportiv me top në fushë, iu duhen shtuar edhe disa të tjerë parazitë që, me një tjetër “top”, duan të bëjnë protagonistin duke i kapur gështenjat pa mund e pa djerse. Tek e fundit, gjithçka është marketing dhe pse të mos i shfrytëzojmë për këtë, qoftë golat e Mavrajt dhe Gashit qoftë flamurin apo edhe bashkimin kombëtar?!