Kenan Maik
The Guardian
Europa ka një krizë migracioni, por jo atë që mendojmë ne. Dilema me të cilën ajo përballet është kjo: në njërën anë, çdo politikë funksionale për emigrimin nuk do të gëzojë, të paktën për momentin, një mandat demokratik; nga ana tjetër, çdo politikë që gëzon mbështetje popullore gjasat janë të jetë e pamoralshme dhe jofunksionale.
Kjo dilemë ekziston jo pse popujt evropianë janë të prirë drejt politikave të pamoralshme ose jofunksionale, por për shkak të mënyrës sipas të cilës është formuar korniza e çështjes së emigracionit nga politikanë të të gjitha llojeve gjatë 30 viteve të fundit.
Politikanët e kanë kuptuar nevojën për emigracion, gjithashtu e kanë promovuar atë si një problem që duhet zgjidhur. Në të njëjtën kohë, politikanët shpesh shprehin përbuzje për masat, pjesën më të madhe të të cilave ata i konsiderojnë si racistë të pakorrigjueshëm dhe të paaftë të përkrahin një këndvështrim racional mbi emigracionin. Përshkrimi i Gordon Brown-it, gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, për pensionisten Gillian Duffy si “grua fanatike”, për shkak të shqetësimeve të saj për emigrantët evropianolindorë, përmblodhi urrejtjen e politikanëve të elitës për shqetësimet e njeriut të thjeshtë në lidhje me emigracionin.
Mosmarrëveshja mbi ngjarjet e Këlnit në Vigjilje të Vitit të Ri zbulon sa toksike është bërë kjo qasje. Qindra gra mësohet se janë ngacmuar, kryesisht nga njerëz me pamje nga Afrika e Veriut ose Lindja e Mesme. Autoritetet, të trembur nga reagimi publik, vendosën ta mbulojnë ngjarjen. Kur u zbuluan detajet, ata krijuan një përplasje më të madhe kundër emigrantëve.
Nevojat dhe dëshirat kontradiktore kanë rezultuar gjithashtu në politika jofunksionale, jo koherente që, në mënyrë paradoksale, janë ashpërsuar nga zhvillimi i politikave të lëvizjes së lirë brenda në BE. Zona Shengen, grupi i vendeve të BE që kanë hequr kontrollin e pasaportave në kufijtë e përbashkët, u krijua më 1985. Sot, ajo përbëhet nga 22 vende prej 28 që ka BE, ndërsa katër tjera janë të përkushtuar t’i bashkohen. Vetëm dy vende, Britania dhe Irlanda – qëndrojnë jashtë.
Ëndrra e lëvizjes së lirë brenda BE ka nxitur paranojën për lëvizjen e njerëzve në BE. Quid pro quo (shpërblimi) për Shengenin ka qenë krijimi Europës Fortesë, një kështjellë kundër emigrimit, e vëzhguar nga një sistem përgjimi satelitësh e dronësh të teknologjisë së lartë dhe e mbrojtur me gardhe dhe luftanije. Kur një gazetar i revistës gjermane Der Spiegel vizitoi dhomën e kontrollit të Frontex, agjencia evropiane e kufirit, ai vuri re që gjuha e përdorur ishte “mbrojtja e Europës nga armiku.”
Shumë nga politikat e miratuara gjatë vitit të fundit lënë përshtypjen e një kontinenti në luftë. Në korrik, një takim urgjent i BE krijoi një plan me 10 pika që përfshinin përdorimin e fuqisë ushtarake “të kapë dhe shkatërrojë” varkat që transportojnë në mënyrë të paligjshme emigrantë. Menjëherë pas kësaj, Hungaria dhe vende të tjera Europiane nisën të ngrinin gardhe me tela me gjemba. Gjermania, Austria, Franca, Suedia dhe Danimarka pezulluan ligjet e Shengnit dhe rikthyen kontrollin kufitar. Në nëntor, BE bëri një marrëveshje me Turqinë, duke i premtuar deri në 3.3 miliardë dollarë si shkëmbim për kontroll më të rreptë të kufijve të saj. Në janar, Danimarka kaloi një ligj që lejon marrjen e gjërave me vlerë nga emigrantët për të paguar me to shërbimin ndaj tyre.
Pavarësisht ndjesisë se kjo është një krizë e pashoqe, në reagimin e BE nuk ka asgjë të re ose jo koherente. Njerëzit janë përpjekur të hyjnë në BE, dhe kanë vdekur gjatë përpjekjeve të tyre, për një gjysmë shekulli a më shumë.
Deri më 1991, Spanja e kishte kufirin të hapur me Afrikën e Veriut. Emigrantët ekonomikë mund të vinin në Spanjë për punë sezonale dhe pastaj ktheheshin në atdhe. Më 1986, Spanja demokratike e re u anëtarësua në BE. Si pjesë e detyrimeve të saj si anëtare e BE, iu desh të mbyllte kufirin e saj me Afrikën e Veriut. Katër vjet më vonë, ajo u pranua në Shengen.
Mbyllja e kufijve nuk i frenoi emigrantët ekonomikë të përpiqeshin për të hyrë në Spanjë. Përkundrazi, ata u hipën varkave të vogla të kalonin Detin Mesdhe. Më 19 maj 1991, kufomat e para të emigrantëve klandestinë dolën breg. Qysh atëherë, vlerësohet se duke kaluar Mesdheun kanë vdekur më shumë 20000 njerëz në përpjekje për të hyrë në Europë.
Spanja zotëron dy lokalitete perandorake në Marok, Ceuta dhe Melilla. Pasi u anëtarësua në shengen, Spanja ndërtoi një fortesë 30 milonë euro për të izoluar këto enklava nga pjesa tjetër e Afrikës. BE filloi të paguante autoritete marokene për të arrestuar e izoluar emigrantët potencialë, shpesh me brutalitet të madh.
Qasja spanjolle ofroi bazën e politikës pasuese të BE për emigracionin: një strategji me 3 degë, kriminalizimi i emigrantëve, militarizimi i kontrollit të kufijve dhe kontrolli i jashtëm duke paguar vende jo anëtare të BE, nga Libia në Turqi, me vlera të mëdha për të vepruar si policë të Europës. Asnjë gjë nga këto nuk i ka frenuar emigrantët të përpiqen të hyjnë në Europë. Ata thjesht janë detyruar të gjejnë rrugë të ndryshme, shpesh më të rrezikshme. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre tani udhëtojnë përmes Greqisë dhe Ballkanit.
Pavarësisht madhësisë së tyre, ia vlen që numri i emigrantëve që vijnë në Europë të vendoset në kontekst. Një milionë refugjatë dhe emigrantë mbërritën vitin e kaluar. Kjo përfaqëson jo më shumë se 0.1 për qind të popullsisë së BE. Në Liban ka tashmë 1.3 milionë refugjatë sirianë – 20 për qind të popullsisë. Kjo është ekuivalente me Europën që të presë 150 milionë refugjatë. Turqia, vendi që BE preferon ku të shkarkojë emigrantët e saj, ka tashmë dy milionë refugjatë.
Krahasuar me vende të tjera në botë, refugjatët nuk po e “përmbytin” hiç Europën. Disa nga vendet më të varfra tashmë po mbajnë barrën më të rëndë dhe ky është aspekti më i qortueshëm i politikës së BE: në zemër të tij duket se qëndron ideja që çështja emigrantëve është diçka me të cilën duhet të merren vetëm vendet e varfra. Faktori i dytë në krizën e tanishme të emigracionit qëndron konteksti politik. Sistemi politik i pasluftës në Europë, i ndërtuar rreth ndarjes mes partive socialdemokrate dhe konservatore, por prishet. Sfera politike është ngrushtuar dhe politika shihet më shumë si çështje menaxhimi teknokratik sesa transformim social. Një mënyrë që njerëzit e kanë ndjerë se ky ndryshim është një krizë e përfaqësimit politik, një ndjesi në rritje se s’u jepet mundësi të dëgjohet zëri i tyre dhe që institucionet politike janë të largëta dhe të korruptuara.
Emigracioni nuk ka luajtur asnjë rol në krijimin e ndryshimeve që kanë lënë kaq shumë njerëz të pakënaqur. Emigracioni nuk është përgjegjës për dobësimin e lëvizjes punëtore, ose për transformimin e partive demokratike sociale, ose për vendosjen e politikave shtrënguese. Megjithatë, emigracioni ka arritur të kthehet në mjet përmes të cilit i perceptojnë këto ndryshime shumë njerëz. Ndërkohë, BE është kthyer në simbol i largimit mes qytetarëve të thjeshtë dhe klasës politike. Rezultati ka qenë rritja e armiqësisë ndaj emigrantëve dhe panik mes politikanëve.
Atëherë çfarë duhet bërë? A është e mundur të përputhet një politikë emigracioni e moralshme dhe funksionale me dëshirat e demokratike të publikut evropian? Shumë vetë duken të kënaqur të braktisin nevojën për mandat demokratik, të tjerë heqin dorë nga politika funksionale dhe e moralshme. Pikëpamja dominuese është që Europa ka nevojë për kontroll të rreptë kufijsh, gardhe më të larta, më shumë patrulla ushtarake. Politika të tilla mund të sigurojnë mbështetje popullore, por, megjithëse ata që promovojnë politika të tilla e mbajnë veten për “realistë”, kjo nuk është vetëm morale, por është dhe jofunksionale. Historia e 25 viteve tregon se sado e fortë të bëhet Fortesa Europiane, gardhet dhe luftanijet nuk do të frenojnë emigrantët.
Kontrolli më i fortë i kufijve nuk do të ndryshojë as opinionin publik. Kthimi i Europës më shumë në një fortesë nuk do ta zbutë ndjesinë e margjinalizimit dhe mungesës së përfaqësimit që njerëzit kanë. “Idealistët”, në anën tjetër, kërkojnë të promovojnë një politikë më morale për emigracionin, por duken të gatshëm të injorojnë vullnetin demokratik për ta bërë këtë. Kjo qasje nuk është më e moralshme dhe funksionale se qëndrimi realist. Asnjë politikë ndaj të cilës publiku është armiqësor nuk mund të funksionojë në praktikë.
Siç e ka zbuluar kancelaria gjermane, Angela Merkel, miratimi i politikave liberale për emigracioni pa mbështetje popullore mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Gushtin e kaluar, Gjermania pezulloi në mënyrë të njëanshme “Traktatin e Dublinit”, ligjin e BE që emigrantët duhet të aplikojnë për azil në vendin e parë të BE ku hyjnë. Megjithatë, Merkeli bëri pak përpjekje për të bindur popullin gjerman për vlerën e politikës së re. Kjo u shoqërua me një përplasje të tensionuar dhe brenda dy javëve Gjermania e ndryshoi qëndrimin e saj dhe vendosi kontrollin e kufijve të saj. Pasojat ishin armiqësi më e madhe kundër emigrantëve dhe vetë Merkelit.
Në politikën e emigracionit nuk ka ndreqje të shpejta që mund të lejojnë lidhjen bashkë të morales, funksionales dhe demokratikes. Kriza e emigracionit është afatgjatë dhe çfarëdo nisme që të merret nuk do ta zgjidhë këtë vit apo vitin e ardhshëm. Kyçi i problemit nuk është në nivel politik, por në nivel qëndrimi dhe perceptimi. Kjo është arsyeja pse duhet të mendojmë në afat të gjatë.
Politikat liberale për emigracioni mund të zbatohen vetëm duke fituar mbështetjen e publikut, jo pavarësisht kundërshtimit publik. Realizimi i një mbështetjeje të tillë nuk është e pamundur, nuk ka ligj të hekurt që publiku mund të jetë armiqësor ndaj emigracionit në mënyrë të pakorrigjueshme. Pjesë të mëdha të publikut janë armiqësuar sepse e kanë lidhur emigrimin me ndryshim të papranueshëm. Kjo është arsyeja, në mënyrë paradoksale, pse debati për emigracioni nuk mund të fitohet thjesht duke debatuar emigracionin, dhe as kriza e emigracionit nuk zgjidhet vetëm duke bërë politika për emigrimin. Ankthi për emigracionin është shprehje e një ndjesie më të gjerë mos përfaqësimi dhe mos angazhimi. Derisa sa të trajtohet ky problem politik bazik, mbërritja e emigrantëve në brigjet e Europës do të vazhdojë të shihet si krizë.