Reuters
Të paktën dhjetë persona vdiqën në lindje të Turqisë kur njerëz të armatosur hapën zjarr ndaj policisë, dhe kurdët e zemëruar prej rrethimit të bashkëpatriotëve të tyre në Siri, nga militantët islamikë, u ndeshën me grupe të tjera në qytetin e gjashtë më të madh të vendit, raportoi media lokale dje.
Luftime të dendura vazhduan në qytetin e Kobanit, në kufirin kurd të Sirisë, ku sulmi trejavor i Shtetit Islamik e ka zemëruar minoritetin 15-milionësh kurd, i cili kërkon që Ankaraja të ndërhyjë ushtarakisht.
Përtej kufirit jehonte zjarri i armëve, por një zyrtar ushtarak turk tha se përparimi i militantëve të Shtetit Islamik drejt qytetit ishte ngadalësuar për shkak të bombardimeve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA.
Trazirat në lidhje me fatin e Kobanit rrezikon të nxitë ndasitë e thella etnike në Turqi dhe të shkatërrojë një proces paqeje i realizuar me vështirësi, me qëllim çarmatimin e luftëtarëve të jashtëligjshëm të Partisë së Punëtorëve Kurdë (PPK), të cilët kanë 30 vjet që luftojnë kundër autoriteteve turke në kërkim të autonomisë.
Të paktën 25 vetë u vranë në fillim të javës ndërsa shpërthyen protesta pro-Kobanit në shumë qytete të vendit.
Të enjten u plagosën rëndë një shef policie dhe një polic dhe u vranë dy oficerë, pasi persona të paidentifikuar hapën zjarr me armë automatike, ndërsa ata inspektonin dyqanet e dëmtuara nga trazirat në fillim të javës në krahinën lindore të Bingolit, sipas Dogan News Agency.
Katër prej personave të armatosur u vranë më vonë dhe dy u arrestuan pas një shkëmbimi zjarri me forcat e sigurisë, raportoi agjencia.
Të premten ende nuk ishin dhënë detaje për personat e armatosur dhe askush nuk mori përsipër sulmin e raportuar, i pari i këtij lloji qysh kur një zyrtar policie i larë u vra në Diyabakir më 2001.
“Terroristët përgjegjës për këtë (sulm) u ndëshkuan brenda një ose dy orësh, u morën të gjitha masat,” u tha gazetarëve kryeministri Ahmet Davutoglu në Ankara të premten, pa dhënë detaje të tjera.
Pushkë dhe shpata
Krahina juglindore e Gaziantepit përjetoi dhunën më të keqe gjatë natës, kur katër persona u vranë dhe 20 u plagosën, ndërsa shpërthyen përleshje mes protestuesve që demonstronin në përkrahje të Kobanit dhe grupeve që i kundërshtonin ata.
Pamje filmike shfaqën turma kryesisht me burra të armatosur me armë, shpata dhe hunj që kumbonin rrugëve të Gaziantepit, dhe dy degë lokale të Partisë Demokratike Kurde (PDK) në Gaziantrep u dogjën, raportoi Dogan News Agency.
Policët u vunë në shënjestër gjithashtu në sulme në krahinën juglindore të Sirtit, në krahinën jugor të Mersinit dhe në lindje, Tunceli, raportuan mediet lokale, ndërsa u sulmuan godina qeveritare, përfshi rajonet e policisë.
Procesi i paqes kurde i udhëhequr nga presidenti turk Taip Erdogan ka ndihmuar për të zbutur disa nga pakënaqësitë e krijuara nga tre dekada konflikt, që ka shkaktuar rreth 40000 të vdekur, por përplasjet e tanishme rrezikojnë të hapin plagët e vjetra.
Zemërimi i kurdëve në lidhje me Kobanin ka ringjallur dhe pakënaqësitë e vjetra mes simpatizantëve të PPK dhe Hizbullahut turk, një grup islamit me qëndrimi të fortë anti PPK.
Të mërkurën, Davutoglu bëri thirrje që të mos shkatërroheshin përpjekjet për të gjetur një paqe afatgjatë.
“Aty ku nuk ka rend publik, nuk do të ketë proces paqeje, nuk do të ketë asgjë,” tha ai, gjatë një fjalimi në Ankara, duke iu referuar trazirave në fillim të javës.
Lufta në Koban
Mospranimi i Turqisë – vendi i dytë me ushtrinë më madhe në NATO – të ndërhyjë ushtarakisht për të ndaluar përparimin e Shtetit Islamik drejt Kobanit e ka vendosur nën një presion në rritje nga grupet kurde dhe aleatët perëndimorë të Ankarasë.
Zyrtarët turq këmbëngulin se nuk do të marrin përsipër një ndërhyrje të njëanshme e të pleksen në luftën civile siriane, e cila i ka dërguar deri tani më shumë 1.2 milionë refugjatë, një valë njerëzish që Turqia i ka përballuar me sakrifica.
Të premten, shkëmbimi i dendur i zjarrit mes forcave të Shtetit Islamik dhe forcave kurde modestish të armatosura në rrugët e Kobanit dëgjohej përkëtej kufirit.
Në qiell gjëmonin avionit dhe pjesa perëndimore e qytetit u bombardua, me shumë gjasa nga avionit e koalicionit të udhëhequr nga amerikanët, të cilët e kanë shtuar fushatën e tyre kundërt objektivave të IS në zonën e Kobanit.
Kreu i forcave kurde që mbrojnë Kobanin tha se IS kishte nën kontroll rreth një të tretën e qytetit. Goditjet ajrore të koalicionit ndihmonin për të kontrolluar përparimin e IS, thanë zyrtarët e forcave ushtarake kurde.
Islamistët e kanë forcuar gradualisht rrethimin e Kubanit për më shumë se tre javë, duke përdorur artileri të rëndë mbi zonat e banuara, prej të cilave janë larguar drejt Turqisë rreth 200.000 njerëz, shumica kurdë sirianë.
Zyrtarët kurdë i kanë bërë thirrje Turqisë të lejojë qarkullimin e armëve dhe luftëtarëve nga Turqia në Koban, por zyrtarët turq ngurojnë të ndihmojnë mbrojtësit e qytetit, sepse ata kanë lidhje të forta me PPK, e cila ende shikohet si një organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe Europë.