Protestat e ditëve të fundit në Kosovë, e sidomos ajo e të martës në Prishtinë kanë ngjallur reagime të ndryshme. Një ministër serb i kabinetit të qeverisë Mustafa kishte quajtur ‘egërsira’, qytetarët e Gjakovës që kishin dalë për të protestuar kundër një autobusi me serbë që donin të vizitonin kishën ortodokse serbe. Indinjata që shkaktoi ky përcaktues i Jabllanoviçit, u kanalizua në një protestë iniciale në Gjakovë që do vazhdonte më pas në Prishtinë, në kërkim të dorëheqjes së tij dhe në anën tjetër ruajtjes së Trepçës. Por më e rëndësishme sesa fjalët që filluan këtë sagë për gjithë këtë kontekst ishte ajo që pasoi. I ledhatuar butësisht nga bashkë-qeveritaret, por i vënë nën presion nga qytetarët, Jabllanoviç tha se nuk dinte çfarë kishte ndodhur në Kosovë.
Duke injoruar kështu krimet e luftës, Jabllanoviç, si i ardhur nga një planet tjetër, në fakt injoronte e mohonte atë që është themeli i legjitimitetit të Kosovës si Shtet. Në argumentet e ndryshme që legjitimojnë pavarësimin Kosovës, argumenti më i qëndrueshëm është pa dyshim ai i ‘mohimit të qytetarisë’ që iu është bërë shqiptarëve nga shteti i mëparshëm, të cilët janë mbytur e përzënë nga shteti, pasaportën e të cilit mbanin. Jabllanoviç pra kontestoi edhe legjitimitetin e Shtetit në të cilin ai është ministër dhe është shumë e natyrshme që edhe qytetarët e edhe opozita të kërkonin dorëheqjen e tij nga qeveria.
‘Pozita’, në anën tjetër, e cila e ka të varur tërësisht pushtetin e saj mbi grremçin e Listës Serbe si ‘minoritet përcaktues” në koalicion dhe qeveri, e trajtoi ligjërimin e Jablanoviçit në mënyrë ledhatuese. Ajo bashkë më disa zëdhënës të saj në shoqërinë civile zgjodhën diskreditimin e protestës, duke u ankuar për ‘politizimin’ e saj, sikur diku në botë të kishte protesta apolitike.
Natyrisht kjo i drejtohej Vetëvendosjes, e cila i qe bashkuar nënave gjakovare në kërkesën dhe indinjatën e tyre. Vetëvendosja, në një kontekst të tillë është entitet kontingjent, e në vendin e saj mund të ishte cilado parti opozitare. Artikulimi diskreditues për ‘politizim’ të protestës ishte absurd, jo vetëm për faktin se nuk ka protestë apolitike dhe se vetë kjo në retorikë në vete bëhej instrumentalizim politik i idesë së ‘politizimit’ së protestuesve (në të vërtetë heterogjene), por mbi të gjitha edhe për arsyen se VV-ja, qysh në fillimet e saj, për preokupim kryesor ka pasur çështjen e të pagjeturve, edhe atëherë kur ajo merrej krejt në mënyrë margjinale më çështje të tjera të politikes qendrore.
Më shumë se kaq, për të zgjedhur këtë ‘problem’ të paramenduar, qeveria e kishte të ‘lehtë’. Ajo mund t’i përgjigjej kërkesave të qytetarëve dhe ta ‘pamundësojë’ atë që ata quajnë ‘politizim të protestës’ nga VV-ja. Por kjo nuk e është dhe aq e lehtë, ngase ata janë peng i Listës Serbe, e cila mund të prishë qeverinë po doli nga koalicioni. Kjo mbase është fillimi i lojës së këtij faktori minoritar, i cili, me të matur pulsin e raportit dëshiror me pushtetin që kanë LDK-PDK, do ta ristabilizojë e shfrytëzoj edhe me tutje pozitën e tij, nëse natyrisht qeveria arrin ti bëj ballë qytetarëve të akumuluar me frustrim.
Ajo që megjithatë është shokuese është qëndrimi gati krejt indiferent i një klase të privilegjuar të shoqërisë civile pas protestës së ditës së martë, ndaj dhunës së shtetit drejtuar protestuesve. Preokupimi i këtyre institucionalistëve fetish, është dhuna e ushtruar nga disa qytetarë gjatë protestës. Në një rend kronologjik, këto qëndrime vërshuan pas prononcimit në twitter të ambasadores Amerikane të Kosovës e cila kishte konsideruar ‘akt kriminal’ sulmin ndaj ‘pronës private’ pa thënë asnjë fjale për dhunën e shtetit ndaj protestuesve, kërkesa e të cilëve ishte pikërisht respektimi i rendit institucional.
Të sufluarit nga ambasadorja bënin barazimin e dhunës së Shtetit me dhunën e disa qytetarëve. Të barazosh dhunën e orkestrua të Shtetit, me dhunën margjinale të disa qytetarëve gjatë një proteste është gabim trashanik. Dallimi është strukturor: Shteti ka monopolin mbi përdorimin e dhunës, ai është aparat që dikton, ndërkaq aktorët jo-shtetërorë, pra edhe protestuesit nuk janë entitet i tillë, në këtë mënyrë dhe gjithnjë janë heterogjenë dhe të pakontrollueshëm, prej nga edhe nuk mund të konsiderohen si entitet lehtë i definueshëm. Konceptualisht kjo do të ishte sikur barazimi i dhunës se Shtetit serb me dhunën e disa ushtarëve të UÇK-se, ndaj civilëve në Kosovë, e vënia e të dyve në të njëjtën bankë të akuzuarish, si entitete të njëjta.
Dhuna e ushtruar nga policia e Kosovës duhet të preokupojë çdo qytetar, sidomos kur konsiderohet se i njëjti Shtet përpiqet edhe të kalojë legjislacione të çuditshme mbi përgjimet, të cilat shkelin direkt liritë thelbësorë të qytetarit. Ajo çfarë ka ndodhur të Martën, nuk është muhabet ‘veza apo pula’. Ushtrimi i dhunës së shtetit atë ditë kishte filluar qysh në mëngjes. U raportua se kishte arrestime pronarësh të autobusëve të cilët ofronin shërbimin e transportit për protestuesit nga qytetet tjera, për të penguar autobusët të vazhdojnë rrugën drejt Prishtinës. Flaka Surroi raportonte se përplasja e dhunshme gjatë protestave filloi me hedhjen e gazit lotsjellës nga ana a policisë dhe prej aty rrodhi çdo gjë. Video të shumta dëshmojnë për brutalitetin e policisë karshi protestuesve. Një qytetar merr një grusht nga një polic pa bërë asgjë, një tjetër goditet brutalisht nga një grumbull policësh, video arrestimesh të protestuesve të qetë qarkullojnë plot (gjithsesi, edhe raste policësh të lënduar) …
Por ka dy raste në të cilat ne veçanti e kthejnë përmbys pretendimin së dhuna e ushtruar prej policisë ishte dhunë për ruajtjen e ‘rendit institucional’.
I pari është arrestimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, që i ishte bashkëngjitur protestës së qytetarëve. Policia e kishte arrestuar me pretendimin se kishte marrë urdhër, por me të arritur në stacionin policor , shefi i policisë e kishte konsideruar të paligjshëm arrestimin e tij. Ahmeti nuk ka autoritet mbi policinë, përtej një pushteti krejt të kufizuar në raport me Drejtoratin policor të Komunës. Arrestimi i tij në fakt ishte ushtrim dhune dhe kundërvënie ndaj rendit institucional. Nuk është marrë vesh ende kush ka urdhëruar për arrestimin e tij.
Rasti tjetër është ai i Albin Kurtit, i cili i ishte bashkuar qetësisht protestuesve. Në një video shihet qartë se si një polic vjen jashtë turmës së policëve që kishin rrethuar Kurtin, e godet atë në fytyrë dhe largohet. Albin Kurti është parlamentar, dhe si deputet ai gëzon imunitet, i cili duhet të ishte respektuar nga të gjithë. Përdorimi i dhunës ndaj një deputeti të Kuvendit të Kosovës është skandaloz dhe akoma me skandaloze është indiferenca dhe mos dënimi i saj nga Qeveria dhe deputetët e pozitës. Deputetët gëzojnë imunitet me qëllim që ata të jenë të lirë që të kundërshtojnë me ngulm e edhe radikalisht politikat e ndryshme para tyre. Imuniteti i tyre është siguria e lirisë së tyre dhe realisht është baza e funksionimit të rendit institucional. Shkelja mbi imunitetin e një deputeti është cenim jo vetëm i rendit institucional, por edhe i vet lirisë.
Këto janë vetëm disa nga arsyet të cilat duhet të konsiderohen nga të gjithë ata aktorë në shoqërinë civile, të cilët kanë ngritur llupën e tyre gati ekskluzivisht kah dhuna e protestuesve. Shoqëria civile, sipas definicionit, është një mediator dhe qëllimi i saj është mbi të gjitha ti adresohet Shtetit dhe të limitojë pushtetin e tij kufizues mbi qytetarët. Në momentin kur aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile qëndrojnë indiferentë ndaj dhunës së Shtetit, apo barazojnë dhunën e shtetit me dhunën e qytetarëve, ata në fakt kanë tradhtuar cilësorin e tyre. Kakofonia e një klase të tillë, iu bashkua këngës që filloi me ambasadoren e Amerikës Tracy Jacobson, e vazhdoi me presidenten Jahjaga, Thaçin dhe Isa Mustafën, duke e bërë atë në mënyrë implicite komplic me dhunën e Shtetit. Qytetari duhet të adresojë dhunën e shtetit e dhe kontrollin e tij mbi liritë qytetare. Shteti është aparat i dhunshëm dhe dhuna e tij mund të kufizohet vetëm me një preokupim mbi vet karakterin e tij dhe shtrirjen e dhunës së tij në shoqëri. Kahja që ka marrë Shteti i Kosovës obligon që kjo dhunë të trajtohet me emergjencë dhe si prioritet.