Lëvizja studentore e 1990 ishte shkëndija që ndezi fitilin e shpërthimit të një rebelimi mbarëkombëtar, kundër një regjimi të kalbur e mbaruar, i cili ia kish nxirë jetën për gjysëm shekulli një populli të tërë. Lëvizja nisi e paqartë dhe plot drojë, por u rrokullis në tatëpjetën që vetë regjimi kish krijuar dhe mori përmasa që ndoshta edhe vetë protagonistët e saj nuk i kanë menduar.
Në fakt kishim të bënim me një popull të lodhur e të rraskapitur nga një regjim absurd, deri në kufinjtë e të imagjinueshmes, ndërkohë që nga ana tjetër qendronte një pushtet i degraduar, i lodhur dhe i shterruar edhe vetë nga dhuna, terrori dhe megalomania e ushtruar. Megjithatë, sado me shumë paqartësi, lëvizjet e dhjetorit ’90 kishin një ideal: Ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, një të ardhme ku mund të jetohej si njeri, si në çdo vend normal të botës. Parrulla e asaj kohe: «E duam Shqipërinë si gjithë Europa» evokonte këtë aspiratë minimale njerëzore për të gëzuar jetën.
Antikomunizmi i viteve ’90 ishte i vetmi ideal i mbetur tek shqiptarët pas shpërfytyrimit çnjerëzor të një regjimi dehumanizues. Lufta e klasave, terrori, dhunimi i lirisë, zboret, aksionet, lavazhi propagandistik, edukimi doktrinar e kishin shpërfytyruar formacionin mendor e kulturor të kësaj shoqërie, duke shkretinuar çdo skutë të ndërgjegjes shoqërore. Për ironi, i vetmi ideal që mund të formulohej në vitet ’90 ishte ai i kundërvënies ndaj kësaj mynxyre: refuzimi dhe denoncimi i komunizmit. Ky ideal kishte fuqinë të prodhonte dinjitet dhe ndërgjegje të shëndetshme politike e shoqërore për t’ia rinisur gjithçkaje nga fillimi. Ai arriti të motivojë turma njerëzish të përballen e përleshen me diktaturën duke rrezikuar jetët e tyre. Ato kanë qenë ndoshta ditët më të bukura të këtyre 100 vjetëve për këtë popull. Për herë të parë njerëzit shprehnin një solidaritet dhe optimizëm të jashtëzakonshëm, i cili i bënte bashkë kundër një tiranie të pashembullt. Për herë të parë njerëzit ndjeheshin gjallë dhe ndjenin se mund ta ushtronin vullnetin e tyre.
Megjithatë sot nuk mund të mos vëresh zhgënjim kudo. Natyrisht njerëzit sot jetojnë pakrahasimisht më mirë dhe janë pakrahasimisht më të lirë, por sidoqoftë vendi është shumë larg idealit të atyre viteve edhe pse gjithçka është e kuptueshme. Idealet nuk mund të realizohen kurrë plotësisht dhe është e kuptueshme që shumë gjëra të mos bëhen dot ashtu siç janë menduar. Por ajo që është thellësisht zhgënjyese dhe cinike, është fakti që shohim se sot ky vend udhëhiqet ende nga të njëjtat elita politike, kulturore, intelektuale etj.
Sot shohim se ish-kriminelë e ish-shërbëtorë të atij regjimi gëzojnë funksione me rëndësi, ndërsa të persekutuarit, në rastin më të mirë, kanë zënë nga një cep në administratë si vartës të persekutorëve të dikurshëm. Sot shohim gjithashtu se asgjë s’është bërë për dënimin e diktaturës, hapjen e dosjeve, rivendosjen e drejtësisë. Përkundrazi, në 24 vjet është ndërtuar e konsoliduar pengmarrja e vendit dhe lidhja nyjë e interesave për të penguar çdo lloj dekomunistizimi.
Jo vetëm kaq, por sot po shohim anekënd rikthimin diktaturës pas fasadave të veteranëve falsë me shaje partizanë, ekspozimin e portreteve të diktatorit, shtimin e retorikës rehabilituese për krimet e së shkuarës, teksa vetë shteti duket i angazhuar në mënyrë të neveritshme në këtë proces flirti me të kaluarën kriminale. Sot shohim se akademikët organizojnë konferenca ku vlerësojnë Mehmet Shehun si «burrë shteti», shohim qeverinë të dekorojë ish-ministren Vito Kapo me «medalje mirënjohjeje» shohim bij hetuesish që dikur dërgonin njerëz në burg a në varr, të bëhen zëvendësministra ndërsa kanë kurajë të provokojnë duke lavdëruar Enver Hoxhën. Sot shohim shtetin të tërë të angazhuar për të kuruar gërmadhat e atij regjimi, për t’i kthyer në relike të nostalgjikëve mazokistë që mendojnë se kanë qenë mirë dikur, apo se ai regjim paska pasur edhe të mira!
8 dhjetori ishte një ditë çlirimi për këtë vend. Ishte hera e parë që shqiptarët u ndjenë të lirë. Nëntori i ’44 nuk ua solli lirinë, përkundrazi, ua mori edhe atë pak që u kish mbetur. Dhjetori i ‘90 e grisi perden e nënshtrimit dhe liria mundi të fryjë për pak kohë në këtë vend. Por ndërkohë, nga pas kuintave, regjimi arriti ta zhbëjë këtë proces, jo duke ua rimarrë lirinë njerëzve, por duke ua lënë atë në dorë si mall pa vlerë, teksa iu mori atyre mundësitë, ndërkohë që i përçudnoi çdo vlerë e çdo ideal. Ky çlirim, ashtu si gjithë të tjerët, nuk ishte i plotë. Në 1912 pavarësia u shoqërua me dramën e humbjes së gjysmës së territoreve, në 1944 çlirimi u shoqërua me instalimin e terrorit komunist, ndërsa në 1990, rrëzimi i komunizmit u shoqërua me instalimin e një rrjeti korruptiv të njerëzve të regjimit. Si gjithmonë festat tona janë të mangëta dhe fitoret tona janë gjithmonë përgjysëm. Megjithatë, sot është një ditë çlirimi nga një makth 50 vjeçar nga më të tmerrshmit që ky vend ka njohur ndonjëherë, ndaj ia vlen të përkujtohet.