Të gjitha shtetet e Ballkanit po përpiqen të përfshihen në një rrugë të përbashkët, atë evropiane dhe mbi këto vlera të mund të arrijnë paqen aq të dëshiruar në një rajon me aq luftra dhe konflikte. E vërteta është se në fakt retorikat e Edi Ramës, se Ballkani është sot në vitin 2014 në paqe nuk janë aspak të vërteta. Ballkani ka ende probleme të brendshme, të cilave nuk iu është dhënë zgjidhje, ku ndër ta është emri i pazgjidhur i Maqedonisë dhe problemi i dytë, që vetë kryeministri ynë e pa se çfarë reagimi pati sapo e përmendi: Kosova. E pra, Kosova është problem ballkanik dhe asesi nuk mund të lihet anash, edhe pse kërkohet të anashkalohet. Kosova është sot një shtet i pavarur dhe sovran, që e ka shpallur pavarësinë që në vitin 2008 dhe e njohur nga mbi 105 shtete të botës, ndërkohë që është një realitet që Serbia nuk dëshiron ta shikojë. Pra, ky shtet, Serbia mund edhe të nxisë akoma probleme në rajon.
Ekzistenca e mitit të rremë ndër serbë për Kosovën
Serbët dhe Serbia si shtet nuk janë shkëputur nga miti i tyre mbi Kosovën. Beteja e vitit 1389 në Fushë-Kosovë akoma përkujtohet në Serbi si data historike ku, sipas tyre, iu është marrë Kosova. Edhe heronjtë e historisë së Serbisë nga kjo datë vijnë dhe kjo betejë kujtohet akoma me këngë e kore nacionaliste. Historiografia serbe, akademikë serbë, por edhe klasa politike në Serbi janë përkujdesur shumë që ta mbajnë fort këtë mit, duke mbajtur peng një komb të tërë, duke mos i thënë atij akoma një të vërtetë që e di e gjithë bota, veç tyre.
Me siguri që ka nga ata serbë që e dinë të vertëten, që Kosova është shtet i pavarur. Interesante ishte letra që disa të rinj i dërgonin kohë më parë liderëve serbë, ku i thonin se vetëm ata e dinë se Kosova është Serbi, ndërsa e gjithë bota këtë e di se nuk është e vërtetë. Këta të rinj kërkonin edhe ndihmë që të shkëputen nga një mit që mban peng një komb të tërë dhe që nuk e lë as rininë të ecë përpara, por e mbush me nacionalizëm të paqenë dhe aspak të vërtetë.
Influenca ruse mbi Serbinë
Rusia mund të konsiderohet pa frikë rrezik për Ballkanin me atë influencë që ka, sidomos mbi Serbinë. Duke qenë se Serbia dhe Rusia njihen për një lidhje miqësore tradicionale mes tyre, kjo mund të ndikojë në shumë gjëra në rajon. Së pari, përmes kësaj influence, Serbia nuk do ta njihte kurrë Kosovën, sikundër bën Rusia. E dyta, është edhe më shqetësuese: Vetë fakti se është Rusia ajo që po nxit destablitet në Ukrainë dhe në shtete të tjera që dikur kanë qenë satelite të BS-së, bën që të frikësohesh se edhe në Ballkan, sidmos në Kosovë, mund të ketë ndonjë projekt të ngjashëm me Krimenë. Jo pak herë janë bërë krahasime mes Krimesë dhe Kosovës dhe për këto krahasime Putini ka marrë jo pak kritika. Lufta e ftohtë është shumë pranë dhe se edhe ndonjë rrezik që nxitet nga Rusia e niset nga Serbia, është i mundshëm.
Paradoksi mashtrues rus mbi Kosovën
Vladimir Putin tha publikisht se Krimea ka të drejtë të jetë e pavarur, sikundër u shpall e pavarur edhe Kosova, duke e marrë të mirëqënë edhe këtë paralele aspak të drejtë (nuk është krahasim i drejtë, për shkak se në Krime nuk janë shkelur të drejtat e asnjë shtetasi, ndërsa në Kosovë kishte projekte për largim të shqiptarëve dhe kishte edhe genocid mbi popullsinë civile). Një paradoks të tillë kaq të dukshëm vetëm Putin nuk mund ta vëzhgojë.
Rusia po bëhet një shtet i rrezikshëm për paqen në botë. Ajo dhe Kina shpesh herë janë bërë shtetet që bllokojnë procese mjaft të rëndësishme për paqen në botë. Konflikti aktual që ka ndezur Rusia është në Ukrainë dhe valë-valë ka zbritur edhe në Gjeorgji dhe në Poloni, e deri rreziku është edhe në Kosovë. Nëse Ballkani rrezikohet në paqe sot, kjo është për shkak të Serbisë dhe nxitjes së Rusisë.