Nico Hines
The Daily Beast
Kur një mesazh i koduar u shfaq në ekranin e Bastian Obermayer për herë të parë, gazetari hetues gjerman nuk e kishte idenë që ishte në prag të merrte materialin e fshehtë më të madh që bota kishte parë ndonjëherë.
“Përshëndetje. Jam John Doe. I interesuar për të dhëna?” e pyeti burimi. Sigurisht që ishte. Përmes një shërbimi mesazhesh të koduar, burimi vazhdoi:
Ka disa kushte. Jeta ime është në rrezik.
Ne do të shkëmbejmë vetëm dosje të koduara.
Pa u takuar, kurrë.
Obermayer nuk e dinte ende që kjo qasje e fshehtë ishte krejtësisht e justifikuar. Burimi anonim do të ekspozonte disa nga sekretet e burrave më të frikshëm dhe të fuqishëm të botës, të mbajtura sekret me rreptësi. Të mërzitësh Vladimir Putinin, Bashar Assadin ose Mbretin e Arabisë Saudite individualisht do të thotë të bësh kundërshtarë shumë të fortë, por miq të ngushtë ose të afërm të të treve gjenden mes emrave në një zbulim të paprecedent që ekspozon punët financiare më të fshehta të familjeve të tyre.
Duhet theksuar se kalimi i dhjetëra milionë dollarëve në llogari bankare offshore, të cilat nuk mund të preken nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit ose mbledhësit e taksave, nuk është veprim i paligjshëm – por sugjeron që pronarët e këtyre llogarive nuk donin që të dhënat financiare private të tyre të publikoheshin nga gazetat në gjithë botën.
Megjithatë, pikërisht kjo ndodhi kur dikujt i ranë në dorë të dhënat financiare të disa dekadave nga një ekspert bankar i lartë offshore. Mossack Fonseca është një firmë e vendosur në Panama që ka këshilluar mijëra klientë nga kunati i presidentit kinez Xi te babai i kryeministrit britanik Cameron. Shumë nga këta depozitues të fshehtë mund të mos kenë gjë për të fshehur, por shumë nga agjencitë botërore të taksave dhe korrupsionit kanë kërkuar të drejtën e pasjes njohje të të dhënave të këtyre llogarive.
Pse duhet që familjet e diktatorëve afrikanë të kenë shuma të mëdha parash që s’duhet t’i shohë askush? Pse kompanitë amerikane duhet t’i fusnin fitimet e tyre në llogari sekrete? Cilat janë gjasat që kaq shumë miq të afër të Putinit të jenë pasuar kaq shumë pa asnjë linjë korrupsioni që buronte nga Kremlini?
Disa nga përgjigjet mund të gjenden në të dhënat që iu ofrua Obermayer-it. “Pse e bëni këtë?” e pyeti gazetari i Süddeutsche Zeitung burimin e tij, kur ai u shfaq më shumë se një vit më parë. “Dua t’i bëj këto krime publike,” ishte përgjigja. Obermayer-i e pyeti se për sa material të dhënash bëhej fjalë. “Më shumë se gjithçka që mund të kesh parë ndonjëherë”, erdhi përgjigja. Dhe vërtetë, zbulimi përfshinte 4.8 milionë e-mail-e, 3 milionë dosje elktronike (folders), dhe 2.1 milionë PDF. Kjo shifër është shumë herë më lartë se kabllot e WikiLeaks, Pentagon Papers dhe dokumentet e Snowden së bashku. Panama Papers përfshijë 12 kryetarë ose ish-kryetarë shtetesh, dhe më shumë se 60 të afërm dhe bashkëpunëtorë kryetarësh shteti ose politikanëve të tjerë. Disa nga këto emra nuk janë lidhur me asnjë lloj krimi, kurse disa janë akuzuar për grabitje të vendeve të tyre për përfitim personal.
Shumë nga këta liderë u përballën me pyetje të sikletshme të hënën. Ndërsa shtypi i kontrolluar i Rusisë nënkuptonte që Kremlini ishte në gjendje të qeshte dhe të fajësonte “Putinofobinë” për kauzat që gjurmët e 2 miliardë dollarëve të çojnë te presidenti rus, liderët e demokracive funksionale u futën në krizë.
Mijëra islandezë të zemëruar dolën në rrugët e Rajvikut duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit pasi u hodhën dyshime që ai kishte investuar në një kompani sekrete offshore më 2007, pak para se kriza financiare globale e gjunjëzoi Islandën. Sigmundur David Gunnlaugsson nuk e deklaroi kurrë këtë aset të fshehtë para autoriteteve – më vonë ai ia shiti gjysmën e kompanisë offshore, e cila mund të vlente miliona, për një dollar, gruas së tij.
Gunnlaugsson, i cili e la në mes një intervistë televizive kur u pyet për investimet e tij, tani përballet me një votëbesim në parlamentin islandez, megjithëse ai nuk pranon të ketë shkelur ndonjë ligj dhe nuk pranon të japë dorëheqje [e dha dorëheqjen të martë, në fakt]. Në Ukrainë, opozita nisi një fushatë për të larguar presidentin Petro Poroshenko pasi u mor vesh që ai kishte krijuar një kompani sekrete offshore në Ishujt Britanikë Virgin për të mbrojtur pronat e tij në momentin kur tanket ruse po futeshin në Ukrainë. Kur Süddeutsche Zeitung e kuptoi se qëllimin dhe skandalin e mundshëm prej këtij informacioni, ata kërkuan ndihmën e Konsorciumit Ndërkombëtare të Gazetarëve Hetues, me qendër në Uashington DC. Pastaj i ndanë dokumentet me gazetarë nga 109 organizata mediatike në 72 vende, nga BBC te Miami Heralnd.
Fuqia e përbashkët e këtyre organizatave ishte në gjendje të hetonte përfshirjen e figurave të larta nga Argjentina në Zambia. Askush prej tyre nuk njihte burimin e informacionit. As Obermayer-i nuk e di kush ishte. “Nuk e di emrin ose identitetin e personit,” ai i tha Wired. “Por mund të them që e njoh. Për periudha të caktuara fola më shumë me këtë njeri se me gruan time”.
Pak javë para se të kontaktohej ndonjëri nga emrat e përmendur në dokumente, Obermayer-i shkatërroi telefonin dhe harddiskun e laptopit që kishte përdorur për marrjen e dokumenteve. Presidenti francez Hollande e mirëpriti publikimin e informacionit sot dhe qeveria britanike i bëri një mirëpritje gjysmake materialit të vjedhur. Gjasat janë të pakta që burimi të përfshihet në listën e njerëzve më të kërkuar të Interpolit për një kohë të afërt, por mes diktatorëve, njerëzve të fortë dhe disa prej kolegëve të tyre të respektuar, të turpëruar të botës, nuk ka dyshim kush është Armiku Publik Nr. 1.