Duke trajtuar progresin e reformave në Serbi, Kosovë, Mal i Zi dhe FYROM më 2014, Parlamenti Europian e vuri theksin, në rezolutën që miratoi të mërkurën e kaluar, te sfidat në vazhdimësi në luftën për sundimin e ligjit, kundër korrupsionit, diskriminimit dhe ecurisë së reformave strukturale dhe polarizimit të politikës. Ajo bën thirrje për rifillimin e bisedimeve të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit dhe thotë se marrëdhëniet e tyre duhet të normalizohen plotësisht.
Serbia – vazhdon në rrugën e BE
Në rezolutën e tij, Parlamenti përshëndeti përkushtimin e qeverisës së re serbe ndaj procesit të integrimit në BE dhe qasjes së saj konstruktive në marrëdhëniet me fqinjët e saj. Procesi i anëtarësimit,megjithatë, duhet të jetë më përfshirës dhe më transparent.
Serbia duhet gjithashtu të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën e pronësisë së medies dhe shtojë përpjekjet e saj për të përshtatë politikën e saj të sigurisë dhe të jashtme me atë të BE, sidomos kur bëhet fjalë për Rusinë, thanë anëtarët e PE.
“2014 ishte një vit i rëndësishëm për Serbinë, me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Zgjatja e tyre do të varet nga aftësia e Serbisë për të përparuar në fusha kyç si sundimi i ligjit, menaxhimi ekonomik dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Jam i bindur se ky progres mund të bëhet dhe duhet bërë. Treni i Beogradit është në shina drejt Brukselit”, tha raportuesi i PE për Serbinë, David McAllister
Kosova – rikthim te puna pas krizës
Fundi i krizës politike gjashtë mujore në Kosovë nxjerr në pah nevojën e vazhdimit në kursin evropian dhe vendosjen e reformave të nevojshme në lëvizje. Sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe masat efektive për të luftar korrupsionin duhet të jetë kreu i prioriteteve të qeverisë së re, thotë PE. Ai i bën thirrje KE të zbatojë, në fillim të 2015, vendimin për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Kosovën, sepse kjo do të jetë një shtysë e fuqishme për reforma.
“Vota e sotme enjë shumice të madhe tregon mbështetjen e fortë për të ardhmen evropiane të Kosovës. BE duhet të shpejtojë procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën dhe qeveria në Prishtinë duhet të hedhë hapa konkretë drejt ofrimit të një të ardhme të qytetarëve të saj në Kosovën e gjallëruar. Ne gjithashtu u kemi bërë një thirrje të qartë pesë vendeve anëtare të BE që njohin shtetin e Kosovës,” tha reporteri Ulrike Lunacek.
Mal i Zi – udhëheqje me përgjegjësi
PE përshëndet progresin e Malit të Zi dhe thekson se është i vetmi vend në rajon që hap dhe mbyll kapituj negocimi, ndërsa vënë dukje përgjegjësinë që sjell kjo. PE mirëpret përshtatjen e plotë të Malit të Zi me Politikën e Sigurisë dhe të Jashtme të BE, por duhet ende progres në luftën kundër korrupsionit, garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së shprehjes e të medies.
“Rezoluta pasqyron një pamje të drejtë të Malit të Zi, duke lavdëruar progresin e tij aty ku u tregua dhe duke ofruar këshilla aty ku ka nevojë për përmirësime. Përkushtimi i Malit të Zi ndaj procesit të anëtarësimit është i fortë dhe do të jetë politikisht i rëndësishëm për të ruajtur përkrahjen e të gjitha partive në vend. BE vendos kushte të vështira për anëtarësim, por në këndvështrimin tim Mali i Zi është në rrugën e duhur”, tha Charles Tannock, që mbrojti rezolutën në Parlament.
FYROM – nevojë për bashkëpunim politik konstruktiv
Deputetët e PE i bëjnë thirrje për të nëntën herë Këshillit që të vendosë një datë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin pa vonesë, ose përndryshe rrezikon të minojë besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE. Shefi i politikës së jashtme të BE duhet të ndërmarrë iniciativa të reja për t’i dhënë fund krizës për çështjen e emrit dhe të ndihmojë dialogun për t’i dhënë fund klimës politike të polarizuar brenda vendit. Qeveria dhe opozita duhet të bashkojnë forcat në shpejtimin e agjendës evropiane dhe të garantojnë bashkëpunim politik konstruktiv, thotë PE.
“Me votën e sotme n i japim përkrahje të plotë perspektivës evropiane të Maqedonisë. Tani koha që Këshilli t’i hapë dritën jeshile hapjes së negociatave të anëtarësimit dhe që Maqedonia e Greqia të gjejnë zgjidhje të pranuar për të dyja në lidhje me emrin. Një Maqedoni e qëndrueshme dhe e zhvilluar është në interes të fqinjëve dhe Europës si e tërë”, tha reporteri Ivo Vajgl.