Moderniteti dhe Holokausti*
Zygmunt Bauman
Një tjetër dhe po aq i rëndësishëm efekt i kontekstit burokratik të veprimit është dehumanizimi i objekteve të operacionit burokratik: mundësia për t’i shprehur këta objekte me terma të pastër teknikë dhe moralisht neutralë. Ne e projektojmë dehumanizimin te pamjet e tmerrshme të burgosurve në kampet e përqendrimit – të poshtëruar me anë të reduktimit të veprimeve të tyre në nivelin më të ulët të mbijetesës primitive, duke mos i lejuar të kapen pas simboleve kulturore (me anë të trupit dhe të sjelljes) të dinjitetit njerëzor, duke mos u lënë atyre madje as përngjashmërinë e dallueshme njerëzore. Siç thotë Peter Marsh-i: “Duke qëndruar buzë gardhit të Aushvicit, duke i parë këta skelete të holluara, lëkurën e tkurrur dhe sytë e futur në zgavra, kush do ta besonte se këta ishin me të vërtetë njerëz”? Megjithatë, këto pamje përfaqësojnë vetëm një shfaqje të skajshme të një tendence që mund të zbulohet te të gjitha burokracitë, sado të padëmshme dhe dashamirëse qofshin detyrat e tyre. Unë sugjeroj që diskutimi i tendencës dehumanizuese në vend që të përqendrohet te shfaqjet e veta më të bujshme, të ulëta dhe fatmirësisht të pazakonta, duhet të përqendrohet të shfaqjet më universale, të cilat janë edhe potencialisht më të rrezikshme.
Dehumanizimi fillon në pikën kur, në sajë të largësimit, objektet e vëna në shënjestër nga operacioni burokratik mund të reduktohen dhe ashtu ndodh në disa masa sasiore. Për menaxherët e hekurudhave i vetmi artikulim me kuptim i objektit të tyre është në terma të tonazhit për kilometër. Ata nuk merren me njerëz, dele, apo tela me gjemba, ata merren vetëm me ngarkesën, dhe kjo do të thotë një njësi e përbërë tërësisht nga matje dhe e zbrazur nga cilësitë. Për shumicën e burokratëve madje, edhe një kategori si ngarkesa do të thoshte një kufizim cilësor tepër strikt. Ata merren vetëm me efektet financiare të veprimeve të tyre. Objekti i tyre është paraja: objekti i vetëm që shfaqet në hyrje e dalje, dhe pecunia, sikurse kanë vërejtur të vjetrit mendjehollë, sigurisht non olet. Ndërkohë me rritjen e tyre, organizimet burokratike rrallë ia lejojnë vetes të kufizohen te një fushë e vetme e veprimtarisë. Ato përhapen tërthor, duke u udhëhequr në lëvizjet e tyre nga një lloj paratropizmi – një lloj force tërheqëse gravitacionale e maksimalizimit të fitimit nga kapitali. Për ta rikujtuar, i gjithë operacioni i Holokaustit u menaxhua nga Seksioni i Administrimit Ekonomik i Reichsicherheithauptamt-it dhe dimë se ky caktim nuk kishte qëllimin të ishte një dredhi apo kamuflim.
Të reduktuar në shifra pa cilësi, sikurse edhe objektet e tjera të menaxhimit burokratik, objektet njerëzore e humbasin veçantinë e tyre. Ata janë tashmë të dehumanizuar – në kuptimin që gjuha me të cilën tregohen gjërat që u ndodhin (ose u shkaktohen) atyre, i mbron referentët e vet nga vlerësimi etik. Në fakt kjo gjuhë nuk i shkon deklaratave normativo-morale. Vetëm njerëzit mund të jenë objekt të pohimeve etike (është e vërtetë që deklaratat morale ndonjëherë përfshijnë edhe qeniet e gjalla jonjerëzore, por kjo bëhet me anë të zgjerimit prej origjinës së tyre antropomorfike). Njerëzit e humbasin këtë kapacitet kur fillojnë të reduktohen në shifra.
Dehumanizimi është pashmangshëm i lidhur me tendencën më thelbësore e racionaliste të burokracisë moderne. Meqenëse të gjitha burokracitë ndikojnë në njëfarë mase objektet e tyre njerëzore, ndikimi negativ i dehumanizimit është më i përhapur se sa na sugjeron zakoni i identifikimit thuajse tërësisht i tij vetëm me efektet e veta gjenocidale. Ushtarëve u thuhet të hapin zjarr kundër shënjestrave, të cilat bien pasi goditen. Nëpunësit e sipërmarrjeve të mëdha nxiten të shkatërrojnë konkurrencën. Zyrtarët e agjencive të ndihmës shoqërore njëherë operojnë me shpërblime diskrete dhe njëherë tjetër me kredite personale. Objektet e tyre quhen përfitues të benefiteve suplementare. Është e vështirë të konceptohet dhe kujtohet se pas këtyre termave teknike qëndrojnë njerëz të gjallë. Për sa u përket qëllimeve burokratike, më e mira është që kjo gjë të mos konceptohet dhe kujtohet.
Me t’u dehumanizuar në mënyrë efektive, dhe kësisoj duke mos qenë më subjekte potenciale të kërkesave morale, objektet njerëzore të detyrave burokratike shihen me indiferencë etike, e cila shpejt shndërrohet në dënim dhe censurë kur qëndresa e tyre apo mungesa e bashkëpunimit e ul rrjedhshmërinë e rutinës burokratike. Objektet e dehumanizuara nuk mund të zotërojnë një “kauzë”, aq më pak një kauzë “të drejtë”; ato nuk kanë “interesa” për t’u marrë në konsideratë, në të vërtetë nuk kanë pretendime për subjektivitet. Në këtë mënyrë objektet njerëzore kthehen në “faktor bezdisës”. Mosbindja e tyre e potershme fuqizon më shumë vetëbesimin dhe lidhjen esnafore të zyrtarëve. Këta të fundit e shohin veten tani si bashkëluftëtarë në një betejë të vështirë, që kërkon guxim, vetëflijim dhe përkushtim vetëmohues ndaj çështjes. Nuk janë objektet e veprimit burokratik, por subjektet e tij, që vuajnë dhe meritojnë dhembshuri dhe lavdërim moral. Ata mund të marrin me të drejtë krenari dhe sigurim për dinjitetin e tyre për shtypjen që i bëjnë mosbindjes së viktimave të tyre – po aq sa ata janë krenarë për kapërcimin e çdo pengese tjetër. Dehumanizimi i objekteve dhe vetë-vlerësimi pozitiv moral përforcojnë njëri-tjetrin. Zyrtarët munden t’i shërbejnë me besnikëri çfarëdo qëllimi ndërsa vetëdija e tyre morale mbetet e paprekur. Përfundimi i përgjithshëm është se mënyra burokratike e veprimit, ashtu siç ajo është zhvilluar përgjatë procesit të modernizimit, përmban të gjithë elementët teknikë të nevojshëm në zbatimin e detyrave gjenocidale. Kjo mënyrë veprimi mund të vihet në shërbim të një objektivi gjenocidal pa ndonjë rishikim substancial të strukturës, mekanizmave dhe normave të saj të sjelljes.
Për më tepër, ndryshe nga opinioni i përhapur, burokracia nuk është thjesht një mjet që mund të përdoret me lehtësi të njëjtë, njëherë për synime mizore e moralisht të ulëta, e njëherë tjetër për synime të thella njerëzore. Edhe nëse ajo lëviz në çdo drejtim për ku shtyhet, burokracia më shumë i ngjan një zari me marifet. Ajo ka një logjikë dhe shpejtësi të vetën. Disa zgjidhje i bën më të mundshme se sa të tjerat. Me të marrë një shtytje fillestare (duke u përballur me një synim), ajo – si fshesat e ndihmësit të një magjistari – do të lëvizë lehtësisht përtej të gjithë pragjeve, para të cilëve shumë prej atyre që i dhanë shtytjen asaj do të kishin ndalur, nëse do të ishin akoma në kontroll të procesit që vunë në lëvizje. Burokracia është e programuar të kërkojë zgjidhjen optimale. Ajo është e programuar ta masë optimalen me terma që bëjnë dallimin midis një objekti njerëzor dhe një tjetri, ose midis një objekti njerëzor dhe një tjetri jonjerëzor. Ajo që ka rëndësi për të është efikasiteti dhe ulja e kostove të procedimit.
*Ekstrakt i përpunuar nga libri Moderniteti dhe Holokausti i autorit Zygmunt Bauman: shtëpia botuese ‘Pika pa Sipërfaqe’.