Renee Maltezou dhe Michele Kambas
Reuters
Kryeministri Aleksis Cipras dha dorëheqjen të enjten, duke shpresuar të forcojë pozicionin e tij në zgjedhje të parakohshme pas shtatë muajsh në detyrë, ku ai u përball me kreditorët e Greqisë për një marrëveshje më të mirë, por që iu desh të përulej.
Cipras i dorëzoi dorëheqjen e tij presidentit Prokopis Pavlopulos dhe kërkoi një datë zgjedhjesh sa më shpejtë të jetë e mundur.
Zyrtarë të qeverisë thanë që synimi ishte që zgjedhjet të mbaheshin më 20 shtator, me Ciprasin që kërkon të godasë rebelët në partinë e tij të majtë Syriza dhe të garantojë mbështetje publike për programin e huamarrjes, i treti për Greqinë që nga 2010, që ai negocioi.
I gjendur përballë kolapsit të afërt të sistemit financiar grek, i cili rrezikonte të ardhmen e Greqisë në euro, Cipras u detyrua të pranonte kërkesat e kreditorëve për më shumë masa shtrënguese dhe reforma ekonomike – pikërisht politikat që ai kishte premtuar se do t’i hiqte qafe kur
u zgjodh në janar.
“Dua të jem i sinqertë me ju. Ne nuk arritëm marrëveshjen që parashikonim para zgjedhjeve të janarit,” i tha ai popullit grek.
“Unë ndjej përgjegjësinë e thellë politike dhe etike t’ia nënshtroj gjykimit tuaj gjithçka që kam bërë, sukseset dhe dështimet.”
Vendimi tij thellon paqartësinë politike në ditën që Greqia nisi të merrte fonde nën programin e saj të shpëtimit prej 86 miliardë euro, pesë vjet pasi një qeveri më e hershme mori fondin e parë nga eurozona dhe FMN.
Por zgjedhjet e parakohshme do t’i lejonte Cipras të fitonte nga popullariteti i tij me votuesit para se pjesët më të ashpra të programit të fundit – përfshi shkurtime shtesë të pensioneve, rritje taksash dhe një taksë “solidariteti” mbi të ardhurat – fillojnë të kafshojnë. Kjo mund ta lejojë atë të kthehet në pushtet në një pozicion më të fortë pa mundësinë e frenimit nga rebelët e Syrizas kundër programit.
Jeroen Dijsselbloem, që drejton takimet e ministrave të financave të eurozonës, tha se dorëheqja nuk do të vonojë ose devijojë zbatimin e paketës së ndihmës financiare.
“Është jetike që Greqia të zbatojë detyrimet ndaj eurozonës,” tha ai në një deklaratë për Reuters.
HUMBJA E SHUMICËS
Cipras pritej prej kohësh që do të kërkonte zgjedhje të parakohshme. Por ai u detyrua të lëvizte me shpejtësi pasi afërisht një e treta e deputetëve të Syrizas nuk pranuan të mbështesnin programin në parlament javën e kaluar, duke i hequr atij shumicën.
Një nga rebelët kryesorë, deputeti i Syrizas Dimitris Stratoulis, dha sinjal që fraksioni i tij mund të ndahej zyrtarisht nga partia, duke deklaruar “një front politik dhe sociale që do të jetë kundër masave shtrënguese, demokratik dhe patriotik.”
“Ai do të ketë si qëllim anulimin e dy marrëveshjeve për kreditë e mëparshme dhe marrëveshjen e tertë për të cilën votoi qeveria e tanishme, dhe t’i zëvendësojë ato me një program të rritjes ekonomike,” tha ai.
Kushtetuta e ndërlikuar greke ka kushte të veçanta për mbajtjen e zgjedhjen në më pak se 12 muaj pas zgjedhjeve të mëparshme, që do të thotë se presidenti fillimisht duhet t’u japë partive kryesore të opozitës tre ditë të përpiqen për krijimin e një qeverie.
Udhëheqësi konservator Vangjelis Meimaraqis tha se ai do ta provojë, megjithëse llogaria e numrave në parlamentin e tanishëm tregon që partia e tij Demokracia e Re ka shumë pak gjasa për të formuar një koalicion.
Meimaraqis sulmoi Ciprasin.
“Ai është një farë mashtruesi. Ai mund të jetë i pëlqyeshëm, por është dinak,” tha ai në një konferencë për shtyp. “Mendoj se ai po tallet me popullin grek, shokët e tij, dhe evropianët… Mos ka marrë si shumë rreze në gusht?”
Sidoqoftë, Cipras mbetet i pëlqyer te përkrahësit e tij për faktin që provoi të kundërshtonte kreditorët e huaj dhe me opozitën në qorrsokak, parashikohet gjerësisht që të kthehet në pushtet.
Një sondazh i Metron Analysis më 24 korrik e vendosi mbështetjen e Syrizas në 33.6 për qind, duke e bërë kështu partinë më të pëlqyer, por jo të mjaftueshme të qeverisë pa koalicion. Që atëherë s’ka pasur më sondazhe për shkak të sezonit të pushimeve.
Bllokimi i gjatë e detyroi Athinën të mbyllte bankat për tre javë dhe të vendosë kontroll kapital
para se Cipras të pranonte kushtet e kredisë nën kërcënimin e kolapsit financiar dhe daljen e Greqisë nga euro
.
Pjesa e parë e ndihmës i lejoi Greqisë të shlyente borxhin e BQE që i skadonte afati të enjten.