Cilës kulturë i përkasim? A mund ta përcaktojmë identitetin vetëm përmes një portretizimi të gjuhës dhe traditës sonë? A kemi ne dilemat tona përballë ngjarjeve të ndryshme? A është tradita jonë pjesë e kulturës së përgjithshme apo është e veçuar?
Natyrisht përgjigjet nuk mund të jenë të thjeshta. Askush nuk ka më vetëm një përgjigje për këto pyetje. Aq më pak që të ketë një përgjigje të gatuar dhe caktuar institucionalisht. Sepse rrathët e ndjesive brenda nesh kanë një lëvizje tjetër përballë furisë së informacionit e, sidomos, pranisë së konlikteve në emër të kulturës.
Por a mund të ketë konflikte në emër të kulturës?
Idetë rreth ndarjes dhe përplasjes së qytetërimeve të Samuel Hantigtonit, Orientalizimi i Eduart Saidit, konceptet identitare të Amin Malufit, skciat konfliktuale dhe anarkiste të Robert Kaplanit, përshkrimet e Bernard Luisit apo raportet gjenaologjike të identitetit që sugjeron Mishel Fukoja, janë vetëm një pjesë e hapur e debatit. Poshtë rrjedhës së debateve serioze, vlojnë në përditshmëri qendrime që njeriun e vënë në një dilemë të madhe. Askush nuk e fsheh sot se paraqitja e ndryshme mund të bëhët një shkak i thjeshtë për një konflikt. Përkatësia fetare i ka kaluar të gjitha çështjet e tjera, duke u bërë një shkak i menjëhershëm, jo vetëm i kuptimeve të ndryshme, por tashmë dhe i diferencimeve. Ndërkaq, përkatësia kombëtare vijon në Ballkan të krijojë ende hendeqe. Shkupi shënoi një plagë tjetër konflikti, ndërsa shqiptarët e Kosovës e ndeshin gjithnjë e më shumë me fqinjët, që nuk duan të quhen të tillë, edhe pse plagët e masakrave të tyre kullojnë trishtim për këdo që kujton sadopak nga viti 1999 e më parë.
Që pas vitit 1993, kur Samuel Hantingtoni botoi artikullin “Përplasja e qytetërimeve”, të cilin më vonë e zgjeroi në trajtën e një libri, debati veçse është ndezur më shumë. Hantigtoni hodhi tezën se qytetërimi perëndimor po rivalizohet prej qytetërimeve të tjerë dhe për rrjedhojë, në të ardhmen e afërt ekziston rreziku që konfliktet, të cilat sot i shohim në vijat e ndarjes së qytetërimeve, të marrin përmasa më të mëdha. Si vijë ndarëse të qytetërimeve Hantingtoni mori ndarjet e feve të mëdha ekzistuese dhe duke evidenduar qytetërime si: perëndimi, Amerika Latine, Islami, Japonia, konfucializmi, sllavo-ortodoksia, hinduizmi dhe një tjetër qytetërim i mundshëm në Afrikën nënsahariane. Në teorinë e tij Hantingtoni nuk e miraton bipolarizimin perëndim-lindje të botës.
Përballë Hantigtonit është Saidi, i cili e kosnderon trajtimin e tij në përplasjen e qytetërimeve si ideologjik. Sipas Saidit, Hantingtoni kërkon t’i kthejë ‘qytetërimet’ dhe ‘identitetet’ në atë çfarë ato nuk janë: në entitete të mbyllura dhe të veçuara dhe që janë të spastruara nga larmia e rrymave dhe kundërrrymave që i japin jetë historisë njerëzore dhe që përgjatë shekujve kanë bërë të mundur që kjo histori të mos jetë vetëm histori e luftrave fetare dhe pushtimeve perandorake, por edhe ajo e shkëmbimeve, marrëdhënieve dhe e pasurimit të ndërsjelltë.
Po atëherë, si do të orientohemi pëballë kësaj çoroditjeje?
Në këtë furi debatesh, përcaktimi mes “rrugës që duhet të ndjekim” dhe “rrugës që duhet të shmangim”, nuk është aspak i lehtë. Sidomos pas akteve të dhunshme nga njëra anë në emër të një bote dhe terrorizmit intelektual nga ana tjetër, orietimi ynë bëhet gjithnjë e më i vështirë. Do të mjaftonte që gjithësecilit nga ne, t’i bëhej një pyetje në një moment, se ku e gjen veten ai, që të kuptojë se as përgjigjet pa fund nuk do të ishin të dobishme plotësisht, pa e ditur ne më parë, se cilës kulturë i përkasim. Ndaj, në krizën mbarëbotërore të indetintetit, për shkaqe të shtyrjes së kufijve të “turpit publik” dhe për shkak të jetesës në një “fshat global”, duhet që të gjejmë rrugët e mbrojtjes së identitetit që mund të mos na braktisë. Po cili mund të jetë ky identitet, ai që i përgjigjet besimit, gjuhës, racës apo kombit? Sipas Amin Maluf, ne mund të jemi pjesë e të gjithave bashkërisht, por ama vetëm njëra prej këtyre të veçantave merr rolin vendimtar në momente të veçanta, duke dominuar mbi vetitë e tjera që i bartim.
Parë në këtë këndvështrim, rezulton me rëndësi debati i brendshëm i gjithësecilit për të përcaktuar rendin e të veçantave të tij përballë botës. Kjo padyshim që nuk është e lehtë, sidomos me çështje që janë shumë afër personales, siç është besimi dhe raca. Kjo edhe për faktin se përputhen me çështje identitare të rangut të ndjesive intime. Ose të paktën më shumë intime se gjuha dhe kombi, të cilat duket sikur duhet t’i gjejmë edhe diku larg nesh argumentet mbrojtëse.
Megjithatë, p.sh, po të marrim debatet që ndodhin në Shqipëri, duket sikur askush nuk mund të vërë në dyshim se “integrimi për në BE është më i miri” dhe se gjithçka tjetër duhet lënë pas, duhet harruar, e mundësisht duhet delegjitimuar. Askush nuk kujdeset të lexojë rrathët e ndryshme të referencave identitare, të cilat sa janë tradicionale, aq janë edhe multikulturore.
Por, edhe nëse i kemi zgjidhur brenda vetes dilemat e këtyre pikëpyetjeve, nuk do të jemi kurrë të sigurtë për aksidentet kulturore, racore, apo të aspektit kombëtar që mund të na ndodhin. Këto akisdente nuk kërkojnë përgjigje të programuara, por aftësi për të perceptuar se çfarë na kërkohet përballë realitetit dhe se si mund ta mbrojmë ne atë që besojmë se na përfaqëson dhe pjesë e së cilës ndjehemi.
A kemi ne rrugëzgjidhje në këtë krizë globale?
Edhe pse përgjigja nuk do të ishte asesi e lehtë, asnjëherë nuk do mungonte “PO”-ja. Shqiptarët kanë patur shansin e madh të kuptojnë prej kohësh se idetë orientale dhe oksidentale nisin të jenë konfliktuale kur shihen si të tilla, ndërkohë që larg interpretimeve ekstreme, ata qëndrojnë ashtu përkrah, duke pasuruar njëri-tjetrin.
Gjithnjë më ka pëlqyer ti shoh si pasuri gjërat që janë ndryshe, pasi ajo që është ndryshe nga ne, na pasuron. Por të ndryshmen mund ta dallojmë kur kemi saktësuar “të njëjtën brenda nesh”, identiken. Pra, duhet të dimë të përcaktojmë se cilat janë shtyllat e asaj që përbën qenien tonë.
Por ajo që na rrezikon sot është informacioni, teknologjia, e cila e fut idetitetin tonë në pikëpyetje të pafundme, të cilat nuk janë më vetëm pikëpyetje brenda nesh, por të përbotshme. Duket sikur tashmë janë përgjigje të përbotshme dhe ne duhet të mbajmë vesh. E pikërisht përballë kësaj furie, kemi nevojë të lexojmë më larg se sa na shfaqin, të rikthehemi drejt zgjidhjeve që kanë fituar kohën e tyre.
“Tundimi për ta vendosur njerëzimin e sotëm në një shkallë vlerash ku ne qëndrokemi në majë është po aq i rremë nga pikëpamja shkencore dhe po aq i rrezikshëm nga pikëpamja morale sa edhe ndarja e gjinisë njerëzore në etnitete anatomiko-fiziologjike të mbyllyra”, shprehet Alain Finkielkraut në librin e tij “Disfata e mendimit”.
Ndjesitë tona nuk i shmangim dot. Besimin jo se jo. Ndaj pa një meditim kompleks mund të kemi vetëm përgjigje të pjesshme, e si pasojë zgjidhje gjysmake.
Vetëm mbështetja në “të përhershmet” e pakundërshtueshme, janë një garanci, se po i japim vetvetes nga ato përgjigje që do të na bëjnë të mendojmë më mirë për veten. Veçse leximi i tyre duhet të ecë paralel me kohën që jetojmë, ashtu siç jemi të këshilluar nga Librat, për të mos shmangur kurrë pikëpyetjet e kohës.