Ralph Raico
Mises Institute
“Liberalizëm klasik” është termi që përdoret të përshkruajë ideologjinë në mbrojtje të pronës private, një ekonomi tregu të lirë, sundimin e ligjit, garantimin kushtetues të lirisë së besimit dhe fjalës, dhe paqen ndërkombëtare bazuar mbi tregtinë e lirë. Deri më 1900, kjo ideologji njihej gjerësisht thjesht si liberalizëm. Cilësori “klasik” tani është i nevojshëm, në vendet anglishtfolëse të paktën (por jo, për shembull, në Francë), sepse liberalizmi ka arritur të shoqërohet me një radhë ndërhyrjesh te prona private dhe tregu në emër të qëllimeve egalitariane. Ky version i liberalizmit – nëse ende mund të quhet kështu – është herë-herë i projektuar si liberalizëm “social”, ose (gemisht) “modern”, ose “i ri”. Këtu do ta përdorim liberalizmin në kuptimin e variantit klasik.
Megjithatë pretendimet themelore të tij janë universale, liberalizmi duhet kuptuar së pari si një doktrinë dhe lëvizje që lindi prej një kulture të caktuar dhe rrethanave historike të veçanta. Kultura – siç e pranonte qartësisht Lord Acton – ishte Perëndimi, Europa që ishte ose kishte qenë e bashkuar me Peshkopin e Romës. Mitra e tij, me fjalë të tjera, ishte shoqëria njerëzore e veçantë që iu nënshtrua “mrekullisë evropiane” (sipas frazës së E. L. Jones). Rrethanat historike ishin përplasja e institucioneve të lira dhe vlerave të trashëguara nga Mesjeta me pretendimet e shtetit absolut të shekullit 16 dhe 17.
Nga lufta e holandezëve kundër absolutizmit të Hapsburgsve spanjollë buroi një qeverisje që manifestoi karakteristika liberale bazë: sundimin e ligjit, përfshi një përkushtim të vendosur ndaj të drejtave të pronës; tolerancë fetare de fakto; liri shprehjeje të konsiderueshme; dhe një qeveri qendrore me pushtet tepër të kufizuar. Suksesi i habitshëm i eksperimentit holandez përcolli një “efekt demokratizimi” te mendimit social evropian dhe, gradualisht, në praktikën politike. Kjo ishte më e vërtetë për shembullin e mëvonshëm të Anglisë. Gjatë gjithë historisë së liberalizmit, realiteti social bashkëveproi me teorinë që stimulohej dhe përsosej përmes vëzhgimit të praktikës, dhe u ndërmorën përpjekje për të reformuar praktikën me referencë për një teori më të saktë.
Në betejat kushtetuese të anglezëve në shekullin e 17 një numër individësh dhe grupesh shfaqën karakteristika liberale të rëndësishme. Megjithatë, njëra prej tyre dallon si partia e parë liberale e njohur në historinë eurpoiane: Levellers. E udhëhequr nga John Lilburne dhe Richard Overton, kjo lëvizje e radikalëve të klasës së mesme kërkoi tregti të lirë dhe heqjen e monopoleve të shtetit, ndarjen e kishës nga shteti, përfaqësimin popullor, dhe kufizime të rrepta dhe për autoritetin parlamentar. Rëndësia që i kushtuan ata pronës, duke filluar me pronësinë e individit për veten e tij, dhe armiqësia e tyre ndaj pushtetit të shtetit tregojnë që përzierja e Leverllers me Diggers para-socialistë ishte thjesht propagandë armiqësore. Pavarësisht dështimeve në kohën e tyre, Levellers krijuan prototipin e një liberalizmi radikal të klasës së mesme që ka qenë një karakteristikë e politikës së popujve anglishtfolës qysh atëherë. Më vonë në atë shekull, John Locke krijoi doktrinën e të drejtave natyrore të jetës, lirisë dhe pronës – të cilat i quajti së bashku “pronësi”- në formën që do të trashëgohej, përmes Whigs-ve të Vërtetë [Konservatorët e vërtetë) të shekullit 18, te brezi i Revolucionit Amerikan.
Amerika u bë shteti liberal model, dhe, pas Anglisë, shembulli i liberalizmit në botë. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 19-të ajo ishte në shumë drejtime një shoqëri në të cilën shteti thuajse nuk ekzistonte, siç vërenin vëzhguesit evropianë të habitur. Idetë liberale radikale manifestoheshin dhe zbatoheshin nga grupe të tilla si xhefersonianët, xheksonianët, abolicionistët, dhe anti-imperialistët e shekullit të 19-të.
Megjithatë, deri thellë në shekullin e 20, teori liberale më domethënëse vazhduan të prodhoheshin në Europë. Shekulli i 18 ishte i pasur në këtë drejtim. E dallueshme ishte vepra e mendimtarëve të iluminizmit skocez, veçanërisht David Hume, Adam Smith, Adam Ferguson, dhe Dugald Stewart. Ata zhvilluan një analizë që shpjegoi “origjinën e strukturave sociale komplekse, pa nevojën se sugjerimit të ekzistencës së inteligjencës orientuese” (sipas përcaktimit të Ronald Hamowy). Teoria skoceze e rendit spontan ishte një kontribut i rëndësishëm në modelin e një shoqërie civile vetë-gjeneruese dhe vetë-rregulluese që kërkonte veprimin e shtetit vetëm për të mbrojtur nga ndërhyrja e dhunshme në sferën e të drejtave të mbrojtura të individit. Siç thotë Dugald Steward në “Kujtime biografike për Adam Smith” (1811), “Shumë pak gjëra të tjera kërkohen për të ngritur një shtet në shkallë më të lartë të begatisë nga barazimi më i ulët, veç paqes, taksave të lehta, dhe një administratë drejtësie tolerante; gjithçka tjetër rregullohet nga rrjedha natyrale e gjërave.” Formula fiziokratike, Laissez-faire, laissez-passer, le monde va de lui-même [bota lëviz vetë], sugjeron programin liberal dhe filozofinë sociale mbi të cilën qëndron ajo. Teoria e rendit spontan u përpunua nga mendimtarë liberalë të mëvonshëm, më të shquarit Herbert Spencer dhe Carl Menger në shekullin e 19 dhe F.A. Hayek dhe Michael Polanyi në të 20-in.
Një argument mes liberalëve dhe burkeanëve [pasues të Edmund Burke] dhe konservatorëve të tjerë, të cilët në aspekte të rëndësishme janë të afërt me liberalët, është i lidhur me këtë koncept liberal qendror. Ndërsa pritshmëria e liberalëve është që tregu në kuptimin më të gjerë – rrjeti i shkëmbimeve vullnetare – të gjenerojë një sistem institucionesh dhe traditash që prodhojnë vazhdimësi, konservatorët këmbëngulin që bazat e nevojshme duhet të ofrohet nga shteti përtej mbrojtjes thjesht të jetës, lirisë, dhe pasurisë, përfshi veçanërisht përkrahjen e shtetit për fenë.
Me fillimin e industrializimit, u hap një fushë e madhe konflikti mes liberalizmit dhe konservatorëve. Elitat konservatore dhe zëdhënësit e tyre, veçanërisht në Britani, shpesh shfrytëzuan rrethanat e industrializimit të hershëm për të zhvlerësuar mburojën e liberalëve për klasën e mesme dhe kundërshtarët jo konformistë. Në perspektivë historike, është e qartë se ajo që njihet si Revolucion Industrial ishte mënyra e Europës (dhe Amerikës) për të përballur një rritje kokëfortë të popullsisë. Disa konservatorë arritën të përgatisin një kritikë për rendin e tregut bazuar në materializmin e tij të dyshuar, pashpirtësinë, dhe anarkinë.
Lidhja e konservatorizmit me militarizmin dhe imperializmin që bënin liberalët shkoi aq larg saqë shpërtheu një tjetër burim konflikti. Ndërsa një pjesë liberalizmit (të Wigg-ëve) nuk ishte kundër luftërave (tej vetëmbrojtjes) për qëllime liberale, dhe kur luftërat për bashkimin kombëtar përbënin një përjashtim të madh nga rregulli, në përgjithësi liberalizmi lidhej me paqen. Tipi ideal i liberalizmit anti-luftë dhe anti-imperializëm u ofrua nga Shkolla e Mançesterit dhe udhëheqësit e saj Richard Cobden dhe John Bright. Cobden, sidomos, zhvilloi një analizë të sofistikuar të motiveve dhe mekanizmave të shtetit që çonin në luftë. Duke zhvilluar këto ide, Frédéric Bastiat [francez] propozoi një formë të veçantë më të pastër të doktrinës liberale që gëzoi një vëmendje të veçantë në kontinent [Europë] dhe, më vonë, në SHBA.
Ndjekësit e liberalizmit nuk ishin përherë të qëndrueshëm. Një shembull paqëndrueshmërie ishte rasti kur ata i hodhën sytë nga shteti për të promovuar vlerat e tyre. Në Francë, për shembull, liberalët përdorën shkolla dhe institute të financuara nga shteti për të përhapur shekullarizimin në kohën e Directory (qeveria e revolucionit), dhe mbështetën ligjet kundër klerikëve gjatë Republikës së Tretë, ndërsa në Gjermaninë e Bismarkut përdorën Kulturkampf-in (beteja kulturore) kundër Kishës Katolike. Megjithatë, këto përpjekje mund të shihen si tradhti e idealeve liberale dhe në fakt u zbatuan nga ata që pranoheshin se ishin më të qëndrueshmit dhe më besnikët e doktrinës së tyre liberale.
Bazat për një pajtim të mundshëm mes liberalizmit dhe konservatorizmit anti-shtetëror u shfaqën pas përvojës së Revolucionit Francez dhe Napoleonit. Eksponenti më i shquar i kësaj ishte Benjamin Constant, që mund të shikohet si figurë përfaqësuese e liberalizmit të maturuar. Duke u përballur me rreziqet e reja të fuqisë së pakufishme të shtetit bazuar në manipulimin e masave demokratike, Constant shikoi për përkrahës socialë dhe aleatë ideologjikë kudo që ata mund të gjendeshin. Besimi fetar, lokalizmi, dhe traditat vullnetare të njerëzve vlerësoheshin si burime fuqie kundër shtetit. Në brezin pasues, Alexis de Tocqueville e përpunoi këtë qasje constantian-e, duke u bërë analisti i madh dhe kundërshtar i shtetit burokratik, gjithë-shtypës, në rritje.
Në vendet anglishtfolëse armiqësia e konservatorëve anti-shtet ishte ashpërsuar nga një theks ekstrem te roli i Bentham-it dhe Radikalëve Filozofikë në historinë e liberalizmit. Traktati i J. S. Mill-it “Mbi lirinë” (1859) kishte devijuar faktikisht nga linja kryesore e mendimit liberal duke e kundërvënë individin dhe lirinë e tij jo thjesht përballë shtetit por dhe “shoqërisë”. Ndërsa liberalizmi i hershëm i Wilhelm von Humboldt-it dhe Constant-it, për shembull, i shihte trupat e ndërmjetme si lastarë të veprimeve individuale dhe si pengesa të dëshiruara ndaj zmadhimit shtetëror, Mill-i synonte ta zhvishte individin nga çdo lidhje me traditën shoqërore të gjeneruar në mënyrë spontane dhe autoritetin e pranuar me dëshirë – si, për shembull, në traktatin e tij “Mbi lirinë” ku jezuiti është “skllav” i rendit të tij.
Liberalizmi klasik ka kundërshtuar me forcë shtetin socialist. Austro-amerikani Ludwig von Mises, për shembull, demonstroi pamundësinë e planifikimit qendror racional. Prodhimtar për më shumë se pesëdhjetë vjet, Mises ritheksoi filozofinë sociale liberale pas eklipsimit të saj për disa dekada; ai u bë zëdhënësi i pranuar i ideologjisë liberale në shekullin e 20-të. Mes shumë studentëve të cilëve Mises pati një influencë të madhe ishte Murray N. Rothbard, i cili bashkoi teorinë austriake të ekonomisë me doktrinën e të drejtave natyrore për të prodhuar një formë anarkizmi individualist, ose “anarkokapitalizëm”. Duke e zgjeruar fushën e shoqërisë civile deri në pikën e zhdukjes së shtetit, pikëpamja e Rothbard shfaqet po aq e kufizuar sa dhe çështja e liberalizmit autentik.
Liberalizmi klasik shpesh krahasohet me një liberalizëm social të ri, i cili mendohet që është zhvilluar nga varianti klasik rreth viteve 1900. Por liberalizmi social devijon thellësisht nga liberalizmi klasik në rrënjët e tij teorike, në atë që ai mohon kapacitetin vetërregullues të shoqërisë: shtetit i kërkohet të rregullojë pabarazitë sociale me degëzime që shtohen. Shpjegimi që ai synon të ruajë qëllimin e lirisë individuale, duke modifikuar vetëm mjetet, për liberalët klasikë është jashtë logjike – aq sa mund të pretendohet për të gjitha llojet e socializmit. Në fakt, liberalizmi social nuk mund të dallohet, teorikisht dhe praktikisht, nga socializmi revizionist. Për më tepër, gjithashtu mund të debatohet që kjo shkollë mendimi nuk lindi nga liberalizmi klasik në fillim të shekullit të 20-të – kur, për shembull, mendohet që është zbuluar mashtrimi i dyshuar i lirisë së kontratës në tregun e punës. Liberalizmi social ka ekzistuar i plotë të paktën që nga koha e Sismondi (ekonomist politik dhe historian francez, 1773-1842), dhe elementë të tij (ndihma sociale) mund të gjenden edhe te shkrimtarët klasiko-liberalë të shquar si Condorcet dhe Thomas Paine.
Me mbrimin e projektit të socializmit klasik, liberalët klasikë dhe konservatorët anti-statistë bien dakord që tani qëndron si armik i shoqërisë civile liberalizmi social bashkëkohor. Preokupimi politik i liberalëve klasikë është, prej nevojës, të kundërsulmojë rrymën që tani e çon botën drejt asaj që Macaulay e quajti “shteti gllabërues” – ankthi që tmerronte Burke e jo më pak Constant, Tocqueville, dhe Herbert Spencer. Ndërsa grindjet e vjetra zhyten në harresë, liberalët dhe konservatorët anti-statistë mund të zbulojnë që kanë më shumë të përbashkëta seç paraardhësit e tyre arritën të shohin.